Kryeqytetet e botës kanë këngët e tyre. Artistë vendas apo të huaj, janë frymëzuar nga Parisi, Roma, Stambolli, etj., dhe kanë krijuar këngë kushtuar qyteteve ku kanë lindur, jetuar, vizituar, apo që i kanë frymëzuar.
Edhe për Tiranën, kryeqytetin e dashur të shqiptarëve ka disa këngë. Tirana, prej kohës së krijimit të saj e deri më sot mbetet burim frymëzimi për autorë e kompozitorë. Nga “Lule të bukura ka Tirana”, e deri tek prurjet e larmishme të ditëve të sotme, të gjitha këto këngë kanë krijuar një fond të pasur kompozimesh për kryeqytetin. Edhe lajtmotivet kanë evoluar, sikurse edhe vetë përmasa dhe përbërja e metropolit të ditëve të sotme.
Ne do të sjellim tre këngë kushtuar Tiranës, të krijuara nga tre autorë, të treja këngë që kanë mbetur në memorien e kryeqytetit dhe këndohen me shumë mall dhe nostalgji.
“Shi bie në Tiranë”
Kjo këngë është një nga më të bukurat e festivalit të këngës në RTSH, të vitit 1996. Asaj kohe kantautorja që e solli këngën ishte një vajzë e re nga Tetova. Kënga titullohej “Shi bie në Tiranë”. Këngëtarja fitoi çmimin si kantautorja më e mirë e festivalit, ndërsa melodia e saj fluturonte mbi kryeqytet si lajtmotiv i një qyteti që mbillte dashuri, nostalgji dhe mall. Kantautorja ishte Fitnete Tuda dhe kishte një zë tepër unik.
Kur Fitnete Tuda e krijoi këtë këngë dhe e këndoi në Fest’ 1996, nuk e kishte menduar kurrë, se kjo këngë do të bëhej një refren, një sinonim për Tiranën. Tani që kanë kaluar 25 vite, ajo ndihet shumë e lumtur për këtë, madje çuditet kur këtë këngë e këndojnë edhe brezat e rinj. Dhe ka një fakt interesant, të cilën e ka pohuar vetë ajo. Motivi i këngës “Shi bie në Tiranë”, lindi një ditë shtatori me diell, ndërsa po ecte bregut të liqenit në Strugë.
Shiu i rrëmbyeshëm në Tiranë gjatë dhjetorit të vitit 1995, kur këngëtarja kishte ardhur në festivalin e RTSH-së në Tiranë me këngën “Rrugë”, me të cilën debutoi për herë të parë para publikut shqiptar, i kishte mbetur si një mirazh në mendjen e saj.
Sot, Fitnete Tuda, nuk merret më me muzikë, ajo punon si gazetare, ndonëse të gjithë e njohin dhe e duan këngën e saj. Si pa e kuptuar, ajo i ka dhuruar kryeqytetit shqiptar, një ndër këngët më të bukura.
“I am from Tirana”
Kujtim Prodani, kantautori që fatkeqësisht humbi jetën nga covid 19 para një viti, është ndër kantautorët e dashur dhe shumë prodhimtar të muzikës së lehtë shqiptare. Bir i dy muzikantëve shumë të njohur, lindur dhe rritur në Tiranë, formuar si njeri dhe artist në një oaz muzikor të përkorë, ndonëse kaloi një pjesë të jetës në Austri, ku studio kompozicion, asnjëherë nuk e harroi se “ishte nga Tirana”.
Kujtim Prodani e deshi Tiranën e tij. U frymëzonte nga ajo, nga rrugët, miqtë, vajzat dhe klubet e Tiranës. Ndonëse shpesh herë thonte se nuk ishte më Tirana që kishte lënë dikur, prapseprap e donte Tiranën e rritur, të ndryshuar dhe të transformuar.
Një fakt të tillë e konfirmon kënga “I am from Tirana”, (Unë jam nga Tirana), një ndër më të bukurat e kantautorit. Kënga fillimisht u këndua tek “Kënga Magjike” në vitin 2003, një produksion i TV Klan dhe menjëherë u kthye në një hit. Vazhdon të jetë i tillë dhe të këndohet edhe nga të rinjtë. Semantika e këngës është e fuqishme dhe emocionuese. Në këngë spikat krenaria e identitetit, forca e tij, ndërsa titulli në anglisht, flet për një shoqëri globale ku të gjithë bëjmë pjesë, e ku të gjithë e ndiejmë të nevojshme për pranojmë me krenari përkatësinë tonë. Mall, kujtesë, ngjyra, diell, freski, bulevard dhe hënë e plotë, të gjitha këto fjalë kanë hyrë brenda tekstit të këngës kushtuar Tiranës, e cila mbetet një ndër më të bukurat që la në testamentit e tij kantautori, i cili humbi jetën në moshën 57 vjeçare.
Për një kafe në Tiranë
Të njëjtën nevojë për identitet, për t’u ndjerë pjesë e dikujt që në fakt i përket, plot fjalë malli, nostalgjie, mungese dhe dashuri, vjen kënga e kantautorit Pirro Çako “Për një kafe në Tiranë”. Këngën e sjell në duet me këngëtaren Elsa Lila.
Ngjan koençidencë, por edhe jeta e Pirro Çakos për shumë kohë është ndarë mes Parisit dhe Tiranës, sikundër edhe e Elsa Lilës, që jeton prej shumë kohësh në Itali. Mungesa është e kuptueshme, malli, po ashtu. Kaq larg shkon me semantikën e këngës Pirro Çako, sa në vargjet e këngës thotë:
“e humba unë durimin së qëni një udhëtar/ në stacionet e largëta të autobusëve inter-urbanë/ nga biletat e lëmuara të avionëve të hirtë/ e të pa shpirt/
Të gjitha do t’i ndërroja për të pirë me ty një kafe/ në kafenetë plot zhurmë, të një mbrëmjeje tiranase
Të gjitha do t’i lija, për një çapitje në shëtitore/ me ty për dore…”
Kënga, me një melodi të shtruar, vjen shumë e ndjerë në interpretimin e duetit Çako – Lila, duke shtuar një këngë tjetër në repertorin e këngëve kushtuar kryeqytetit tonë të dashur. Kjo këngë tashmë i përket të gjithëve.
Neritana Kraja