Po zhvillohet në Tiranë Edicioni i 8 Ndërkombëtar i Filmit Dea Open Air, një festival që si çdo vit promovon dhe vlerëson kinemanë.
Në mbrëmjen e së martës, me prezencën edhe të kineastëve, përfaqësuesve të medias dhe adhuruesve të filmit, mes emocioneve të kuptueshme në ngjarje të tilla, do të zhvillohet edhe takimi përmbyllës në formën e një mbrëmje Gala.
Festivali që zhvillohet në 5 ditë, nga data 15 deri më 19 tetor, u parapri nga një punë e madhe seleksionuese, që nisi në mars të këtij viti dhe që organizatorët e festivalit e përsërisin prej tetë vitesh. Nga edicioni në edicion, kjo punë realizohet nga njerëz që e duan filmin e që përpiqen që në Shqipëri tonë, “Dea Internation Film të mos mungojë asnjë vit, pasi tashmë është kthyer në traditë dhe ngjarje të shumëpritur.
Dy vitet e fundit kanë qenë një sfidë më vete për Festivalin e Filmit Dea, sikundër kanë qenë të vështira për të gjithë industrinë e filmit në botë, për shkak të kufizimeve, shto këtu problematikën që has filmi në një vend të vogël si ky i yni. Megjithatë organizatorët arritën të minimizojnë vështirësitë dhe festivali u zhvillua konform standarteve të larta, siç ata vetë i kanë kërkuar.
Prurjet në film kanë qenë të bollshme. Drejtorja Artistike e Festivalit, Mirela Oktrova flet për produket cilësore që u përfshinë në programin e festivalit, duke nënvizuar se edhe në edicionin e 8-të tradita për të filtruar cilësinë vazhdon.
“Festivali vazhdon traditën e tij me produkte cilësore. Ka qenë dhe mbetet një nga qëllimet e festivalit të ofrojë kinema cilësore, veçanarisht në kohë pandemije, kur kinemaja është goditur globalisht, në pikën e vet më sensibël, në dëshirën për të konsumuar film së bashku. Festivalet e filmit në përgjithësi dhe ky i yni në veçanti, ofrojnë një mundësi për rezistencë kulturore, për të garantuar vazhdimësinë e kësaj marrëdhënieje”, nënvizon Oktrova.
Ndërkohë Drejtori i Festivalit Edmond Topi konstaton arritjet e “Dea”-s, që për të tetin vit hapi sërish dyert, duke zgjedhur produkte filmike prestigjoze nga vendi, rajoni, Europa dhe bota, duke ngritur katër juri profesionistësh dhe duke bashkërënduar produktet e katër akademive të filmit, përfshi kineastë, studentë, pedagogë, median dhe publikun filmdashës.
Duke folur për kriteret e festivalit Topi tha specifikisht se nga mbi njëmijë aplikime në zhanre të ndryshme për të konkurruar në festival u përzgjodhën 56 prej tyre, nga të cilët 7 konkurruan në seksionin e filmit me metrazh të gjatë, 3 në programin Cine -Ko, 16 në seksionin e filmit të shkurtër, 15 në seksionin e filmit studentor dhe 16 në seksionin e filmit dokumentar.
Para fillimit të festivalit, por edhe gjatë ditëve të tij, organizatorët nuk i kanë kursyer komunikimet me median, ku kanë folur mbi përfshirjen e filmave në katër programet konkurruese, duke nxitur kësisoj interesin e parë për festivalin, por edhe duke folur për pikat më të forta të tij.
Filmi dokumentar, sipas Oktrovës, ishte një nga programet e spikatura të këtij edicioni, pasi garantonte trajtimin e atyre temave që ne si shoqëri na preukopojnë në mënyrë të vazhdueshme.
“Bie në sy fokusi i këtyre filmave, si pasojë e pandemisë, ku autorët, nga gjeografia e gjërë e preukopimit apo e tërheqjes së vëmëndjes së tyre, janë kthyer më tepër tek vetvetja dhe tek temat më brizante. Jam shumë e kënaqur që ne mund të ofrojmë sivjet, krahas të tjerëve dy filma, që janë vërtetë highlights. I pari, megjithëse vjen nga Gjermania ka në fokusin e tij luftën në Siri. Një tjetër film që për nga tematika i takon prap luftës së kulturave, është “Sekulari”, i cili merr përsipër të thyejë tabutë në mënyrën se si ne e përceptojmë Lindjen dhe kulturën lindore, duke dashur të zbulojë aty, ithtarët ose iluministët e kohës sonë brenda lindjes”.
Ndërkohë, zemra e festivalit, siç e pohojnë vetë organizatorët e tij, është filmi me metrazh të gjatë.
Genc Përmeti drejtori i këtij seksioni veçon si unike në këtë program, përqendrimin tek njerëzit e thjeshtë dhe humanizmi.
“Po tí shohësh me kujdes të gjithë filmat që janë përzgjedhur kanë një aspekt human shumë të fortë. Çfarë i lidh? Filli i përbashkët është humanizmi dhe ajo çfarë është interesante është se vijnë nga disa këndvështrime kinematografike dhe stilistike të ndryshme. Pra kemi këto elementët njerëzorë, të cilët bashkohen dhe japin mesazhe shumë të fuqishme njerëzore. Dhe për mendimin tim kinematografia e ka këtë mision, të përçojë zërin e njerëzve të thjeshtë”, komenton Genc Përmeti.
Në kategorinë e filmit me metrazh të gjatë u prezantuan 7 filma.
“Galaktika Andromeda”, “Bisedë me yllin qiellor”, “Brighton Nr.4”, “Metamorfozë në thertore”, “Njeriu që bleu hënën”, “Inane” dhe “Putra e lepurit”. Filmat konkurrues vijnë nga vende të ndryshme, si Gjeorgjia, Irani, Rusia, Italia apo Japonia, ndërsa filmi që hapi festivalin “Galaktika Andromeda” ishte jashtë konkurimit.
Në përfundim të festivalit filmat do të vlerësohen nga ana profesionale dhe artistike nga tri juri profesionale ndërkombëtare. Gjithashtu sipas traditës, për nga rëndësia shoqërore e mesazhit për komunitetin, filmat do të vlerësohen edhe nga Juria e Medias, duke kaluar në total në një sitë prej 4 jurish.
Dea Film Festival është një vitrinë me çmime të rëndësishme për kinemanë. Studiot prodhuese e përdorin atë për të reklamuar filmat e tyre drejt një publiku të panjohur, gazetarët marrin një vështrim për atë që kanë përpara dhe kineastët marrin dëshminë se si audienca shqiptare reagon ndaj një filmi. Duke ofruar filmat free, pa biletë, ky festival është një përpjekje e mirë për të sjellë publikun sa më afër kinemasë.
Mbrëmjen e së martës, Festivali Ndërkombëtar i filmit Dea, do të mbyllë siparin e këtij edicioni duke dhënë edhe çmimet për fituesit. Një aktivitet përfundon, por puna me filmin është e gjatë dhe inspiruese, ndërsa magjia e kinemasë vazhdon. Dhe organizatorët e Deas e dinë këtë. Ata e duan filmin, e bëjnë këtë punë me seriozitet dhe pasion.
Neritana Kraja