Raimonda Kamberi është këngëtare e njohur e muzikës popullore të Shqipërisë së mesme. Ajo e nisi karrierën e saj muzikore në qytetin e lindjes Durrës, por më pas pati një një shkëputje të gjatë nga kënga. Vitet e fundit Raimonda i është rikthyer pasionit të saj me pjesëmarrjen në disa aktivitete muzikore si dhe realizimin e këngëve të njohura popullore. Një një intervistë për Radio Ejani, Raimonda tregon rrugën e saj artistike, shkëputjen për një kohë të gjatë dhe rikthimin për publikun e saj durrsak dhe të të gjithë Shqipërisë.
Raimonda Kamberi (Facebook)
CMG: Keni shumë vite shkëputje nga aktivitetet muzikore në Shqipëri edhe pse vite më përpara keni qenë një këngëtare e njohur. Flasim për fillimet tuaja në muzikën popullore.
Raimonda Kamberi: Unë e kam filluar që në moshën 7 vjeçare muzikën, por u shkëputa prej saj në moshën 22 vjeçe, sepse pësova një disfatë me babain tim. Megjithatë gjatë gjithë kësaj kohe isha një këngëtare, të paktën në qytetin e Durrësit që nderohesha nga duartrokitjet e spektatorit që në moshën fëminore. Unë jam nxënësja e pedagogut të mrekullueshëm që sot nuk jeton, Nazmi Micit. Kam kënduar në festivalet e pionerëve, nëpër festivalet e qytetit të Durrësit, në Ansamblin e shtetit si dhe në Ansamblin Popullor të Durrësit dhe anketat muzikore, por edhe në shumë aktivitete kulturore që për mua ishin një jetë e tërë në muzikë.
Raimonda Kamberi gjate nje koncerti ne Durres (Facebook)
CMG: Edhe pse keni kënduar për një periudhë të shkurtër kohore, keni qenë shumë aktive si artiste e Durrësit, por edhe tani pas kaq vitesh keni një zë të admirueshëm.
Raimonda Kamberi: Me të thënë të drejtën, unë e kam këtë zë sepse nuk kam abuzuar në radhë të parë, puna ime ishte krejt ndryshe me atë që unë lashë. Megjithatë unë mendoj se ndoshta është dhe puna e madhe që kanë bërë pedagogët e mi të muzikës, si Ramiz Kovaçi, Zeliha Sina, Hysen Koçia për të më impostuar zërin, dhe zëri i impostuar nuk humbet kaq shpejt. Unë e kisha pasion muzikën dhe në punën që bëja ju këndoja dhe klientëve në punë e sipër dhe kjo më mbajti timbrin e zërit. Nuk kam punuar gjatë këtyre viteve fare me zërin, ndoshta Zoti ma dha në këtë moment që për mua ishte një nostalgji shumë e madhe.
Raimonda Kamberi duke interpretuar (Facebook)
CMG: Ju jetoni prej vitesh në Greqi, por a jeni aktivizuar atje me ndonjë aktivitet artistic ?
Raimonda Kamberi: Unë kam 30 vjet që jetoj në Greqi dhe nuk jam aktivizuar në evente artisike. Prej 20 vjetësh kam biznesin tim, që nuk më linte sepse kisha dy fëmijë të vegjël që i shkollova nëpër kolegje dhe shkuan të studionin dhe në Amerikë. Kështu që nuk më linte fare puna që unë të merresha me këto aktivitete. Hapi im i parë ishte para katër vjetësh kur u organizua një aktivitet i madh në Durrës, dhe prej asaj dite deri më sot unë marr pjesë nëpër evente më shumë për hobi sesa për zanat.
CMG: Unë e thashë që ju keni një zë të bukur dhe prandaj duhet t’ju shikojmë më shpesh nëpër aktivitete muzikore.
Raimonda Kamberi: Kjo është e vërtetë, sepse edhe kur isha në kursin e kantos për muzikën popullore me këngëtaren Fatmira Breçani dhe jemi shoqe të ngushta, që në javën e parë mua më morën në ansamblin e shtetit, më dalluan direkt që unë do të këndoja dhe mbaj mend që këndoja me Fitnete Rexhën, Zeliha Sinën, Naile Hoxhën. Ndër gjithë këto këngëtarë unë isha më e vogla. Mbaj mend shumë mirë sepse më duartrokisnin ngaqë isha shumë e vogël dhe këndoja këngën “S’paske pasë një pikë mëshirë” që ishte kënga më e vështirë, sepse ka vështirësi në frymëmarrejn, por kisha shumë sukses.
Raimonda Kamberi me kengetaren Fatmira Brecani (Facebook)
Unë isha shumë e kënaqur që mes atyre artistëve të mëdhenj kisha sukses. Aty më dalluan që kisha një zë të mirë dhe profesor Ramiz Kovaçi vendosi që unë të vazhdoja mësimet e kantos.
CMG: Kohët e fundit keni bërë dhe disa regjistrime të reja me këngë të njohura popullore të Shqipërisë së mesme, duke i interpretuar ato bio dhe duke i ruajtur të pastra si këngë.
Raimonda Kamberi: Po, dhe më pëlqen shumë t’i këndoj kështu, të padeformuara, sepse kjo është muzika jonë dhe unë nuk kam qejf që të këndoj një muzikë të deformuar. Ndonjë orkestracion edhe mund të bëhet, por jo deformimi i këngës, sepse është perla e muzikës sonë. Unë dua të falenderoj dhe të mrekullueshmin Gjergj Lekën që më ftoi në festivalin e tij, duke më dhënë një forcë që unë e kisha humbur. Jam shumë e lumtur që ndodhem mes këtyre artistëve.
CMG: Rikthimi juaj në Shqipëri është gjithmonë për të marrë pjesë në aktivitete, si edhe në festën e këngës shqiptare. Si ndjeheni kur merrni pjesë në aktivitete të tilla të muzikës?
Raimonda Kamberi: Jam shumë e lumtur dhe nuk e di sesi më erdhi ky moment, por ndoshta Zoti ma ruajit këtë moment pasi unë mbarova gjithë hallet e mia me fëmijët dhe më erdhi tani ky moment për të kënduar. Jam shumë e gëzuar që marr pjesë dhe në këtë festival në vitin e dytë të organizimit të tij.
CMG: Nëse në Shqipëri pas përfundimit të pandemisë do të organizohen koncerte apo festivale të këngës së mirëfilltë popullore, do kishe dëshirë të merrje pjesë?
Raimonda Kamberi me muzikantin Gjergj Leka (Facebook)
Raimonda Kamberi: Patjetër që do kisha shumë dëshirë dhe në qoftë se do të më ftojnë nuk do hezitoj që të vij. Është kënaqësi e madhe për mua dhe më duket se më erdhi dita.
CMG: Cilët janë këngët që keni regjistruar së fundi dhe a mendoni që së afërmi të realizoni një album me këngë popullore?
Raimonda Kamberi: Unë kam regjistruar disa këngë popullore si “Ç’u dëshirush me të pa ty”, “S’paske pasë një pikë mëshirë”, “Vika deti tallaz tallaz” dhe disa këngë të tjera. Unë mendoj që të bëj diçka dhe publiku durrsak ta ketë kujtim, por dhe fëmijët e mi.
CMG: Mendoni që të realizoni edhe ndonjë koncert live në Durrës për publikun durrsak?
Raimonda Kamberi: Po, pretendoj shumë. Madje më thirri Ansambli i Durrësit, por unë ngaqë isha me provat e festivalit të këngës shqiptare, nuk arrita të këndoj. Unë pretendoj shumë që ta realizoj një koncert për durrsakët e mi, sepse kam një nostalgji të jashtëzakonshme.
CMG: Duke parë regjistrimet tuaja shihet qartë që nuk keni dashur që ta ktheni në komerc muzikën popullore, por ta këndoni atë bio.
Raimonda Kamberi ne interviste per CMG
Raimonda Kamberi: Po sepse ashtu na mësuan, edhe kur bëra shkollën ashtu na thanë që këto këngë këndohen kështu dhe unë ashtu i këndova dhe do t’i këndoj gjithmonë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për adhuruesit tuaj si dhe dëgjuesit e Radio Ejani.
Raimonda Kamberi: Unë dëshiroj të përshëndes të gjithë fansat durrsakë, të Shqipërisë dhe diasporës. I falenderoj dhe jam shumë e lumtur që më ndjekin gjithmonë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe jam shumë e lumtur që dëgjoj vetëm fjalë të mira.
CMG: Unë ju uroj shëndet dhe suksese gjithmonë.
Raimonda Kamberi: Faleminderit shumë dhe unë ju uroj gjithë të mirat.
Intervistoi: Gazmend Agaj