Angjelina Nika ka lindur në Tropojë dhe arti koreografik është pasioni i jetës artistike, aktivitet i nisur në moshën gjashtë vjecare. Për publikun shqiptar, Angjelina Nika, u bë e njohur me artistin e madh Gezim Nika, bashkëshortin e saj dhe me ansamblin “Dardania”. Si pjesëtare e grupit mori pjesë në shumë festivale në Shqipëri, Europë dhe Amerikë ku u nderua me çmime. Dashuria e publikut për interpretimin e artistes koreografe është e madhe edhe ne Nju Jork, ku ajo jeton që nga viti 1997 së bashku me familjen. Prej 20 vitesh Angjelina jep mësime koreografike për Grupin Rozafati, pjesë e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës. Ajo me përkushtim të lartë profesional dhe dashuri u mëson mbi 600 artistëve te rinj të diasporës vallet shqiptare të krahinave të ndryshme.
Angjelina me bashkeshortin, kengetarin Gezim Nika
Në një intervistë për CMG koreografia Nika na tregon për aktivitetin e saj artistik si dhe pasionin që ka për vallen shqiptare dhe kostumet popullore kombëtare.
CMG: Angjelina përshëndetje dhe të falenderoj që je e pranishme në Bio Folk.
Angjelina Nika: Faleminderit për ftesën dhe është kënaqësi për mua që të marr pjesë në emisionin tuaj.
CMG: Ju keni vite që promovoni në SHBA vallen folklorike dhe kulturën shqiptare. Ndalemi në aktivitetin tuaj artistik me ansamblin “Rozafati” në New York.
Angjelina Nika: Ka 20 vjet që unë e ushtroj zanatin tim si koreografe me ansamblin “Rozafati” dhe kam pesë shkolla ku mësoj vallen shqiptare, është shkolla e Rozafatit që e dua, në fakt i dua të gjitha por Rozafati është dashuria ime e parë. Shkollat e tjera janë Ana e malit, Kraja, Youth Center si dhe dhe Shtojzovallet. Është mirë që të bëjmë diçka për rininë, që ta ruajmë kulturën tonë sepse po nuk e ruajtëm ne, rinia do të harrojë dhe kështu që do të harrohen rrënjët tona dhe nga kemi ardhë. Do mundohem në maksimuam që ta ruajmë folklorin dhe kulturën tonë.
Angjelina Nika
CMG: Sa e vështirë ka qenë për ju në fillim për ta krijuar këtë ansambël dhe për ta zgjeruar edhe në shkolla të tjera të valles?
Angjelina Nika: Ansambli “Rozafati” ka qenë i krijuar dhe ka 40 vite. Koreografi i parë ka qenë Dom Pjetri dhe për mua nuk ka qenë shumë e vështirë sepse e gjeta të krijuar. Ai e kishte të hapur derën për mua, por më krijoi mundësinë që unë të hapja më shumë rrugë dhe ta hapja më shumë derën për të tjerët.
CMG: Cilat grupmosha vijnë për të mësuar vallen folklorike shqiptare në këtë ansambël?
Angjelina Nika: Ne nuk kemi limit moshe për ata që duan të regjistrohen në ansambël, por vijnë edhe mosha të mëdha përpara se të martohen sepse duan që të mësojnë vallen shqiptare. Është bukur që kur martohen të kërcejnë vallen shqiptare, në ditën e dasmës së tyre.
Angjelina Nika me grupin e saj te valles
CMG: Vallet që ju i mësoni atyre janë valle nga të gjitha trevat e Shqipërisë?
Angjelina Nika: Unë kam 100 valle që janë krijimtari e imja dhe këto valle janë nga Çamëria deri në malësi, Shqipëri e mesme, e jugut, Tropojë, Kukës. Të gjitha vallet pa dallim.
CMG: Ju gjithashtu promovoni dhe kostumet popullore kombëtare. Si arrini t’i siguroni këto kostume për valltarët?
Angjelina Nika: Kostumet i blej kur vij në Shqipëri. Unë shkoj në Krujë dhe Tiranë për të blerë kostumet popullore. Ne tani kemi hapur edhe “Albanian Heritage” dhe po mundohemi që të sjellim kostumet e vjetra shqiptare, jo kostumet që i kanë bërë me lule dhe gurë, por kostumet e vjetra shqiptare t’i kthejmë aty ku kanë qenë, që mos të harrohen.
Angjelina Nika me kostumin popullor te Tropojes
CMG: Keni bërë ndonjë kërkim për kostumet popullore të vjetra dhe ka qenë e vëshirë për t’i gjetur?
Angjelina Nika: Kemi shkuar në muzeum në New York dhe kemi gjetur një kostum popullor të vitit 1811. Atë kostum e kam sjellë këtu në Shqipëri dhe tani po e realizoj. Ai kostum do të vishet për herë të parë në festivalin e 30-të që organizon Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” më 15 nëntor në New York. Kostumet që do vishen, nënat dhe gjyshet tona që i kanë ruajtur ato kostume, i kanë nxjerrë nga valixhet dhe këto kostume po kthehen edhe njëherë dhe po vishen. Unë po mundohem që këto kostume popullore të vjetra të vishen edhe njëherë.
Angjelina Nika
CMG: Angjelina ju jeni vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe njëkohësisht edhe ansambli që ju drejtoni ka marrë këtë vlerësim. Besoj se këto vlerësime ju motivojnë më shumë në punën tuaj për promovimin e artit dhe kulturës sonë?
Angjelina Nika: Unë e falenderoj Presidentin që na ka dhënë këto tituj, por për mua vlerësimi më i madh është vlerësimi i popullit, vlerësimi i këtyre brezave që vijnë dhe pasojnë vlerat e valles shqiptare. Këtyre prindërve që punojnë gjithë ditën dhe vijnë dhe i sjellin fëmijët për të mësuar vallen dhe që nuk duan të harrojnë vlerën dhe rrënjët shqiptare. Ky është vlerësimi im.
CMG: Ju jeni bashkëshortja e këngëtarit të mirënjohur Gëzim Nika dhe njëherësh jeni artistë. E mbështesni njëri- tjetrin në fushën e artit?
Angjelina Nika: Gëzimi ka qenë mbështetja më e madhe dhe jam me fat që jam bashkëshortja e Gëzim Nikës. Ne e mbështesim njëri- tjetrin, por Gëzimi më ka mbështetur më shumë dhe e falenderoj shumë, por dhe fëmijët e mi që nuk u lodhën kurrë me mua, kështu që i falenderoj shumë Eligertën, Danielin dhe Jasonin me Gëzimin, që më kanë mbështetur dhe më kanë ndihmuar shumë në punë time.
Angjelina Nika në intervistë për CMG
CMG: Keni menduar që ta sillni grupin tuaj të valleve në Shqipëri në ndonjë aktivitet artistik?
Angjelina Nika: Në vitin 2012 kam qenë e ftuar me ansamblin “Rozafati” dhe kemi dhënë koncert në Shqipëri. Nëse do të kemë ftesa të tjera do të vij me kënaqësi.
CMG: Keni arritur që të keni 600 nxënës që vijnë dhe mësojnë vallet shqiptare në shkollat e vallëzimit. Si keni arritur të keni këtë numër të madh kërkesash?
Angjelina Nika: Kur punon fort ke dhe rezultatet e mira.
CMG: Keni ndonjë aktivitet artistik së afërmi?
Angjelina Nika: Kemi aktivitete në festën e flamurit, kemi festivalin dhe shumë aktivitete të tjera.
CMG: Së fundi një mesazh për të gjithë ata që e duan vallen shqiptare.
Angjelina Nika: Mesazhi im është, ta ruajmë atë që na e ka dhënë Zoti.
Intervistoi: Gazmend Agaj