Aureli gjatë videoklip të këngës -Më nuk u pamë
Këngëtari Aurel Thëllimi e ka nisur muzikën që në moshën 5 vjeçare, kur realizoi një rol të vogël në një opera që u zhvillua në qytetin e tij të lindjes, në Korçë. Më pas ai vazhdoi rrugëtimin artistic, duke fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në moshën 11 vjeçare në një përfaqësim të Shqipërisë në Ankara ai solli me vete çmimin e dytë të atij festivali. Rruga e tij vazhdoi drejt muzikës, ku ai studio në “Akademinë e Arteve” në Tiranë në degën e kantos dhe paralelisht filloi angazhimin në Teatrin e Operas dhe Baletit si bariton. Një ndër sukseset e asaj kohe ishte pjesëmarrja në Musical-in e njohur “West Side Story”, por edhe mjaft role të ndryshme si solist në TKOB. Ka marr pjesë për vite me rradhë në festivalin e Rtsh-së, “Kënga Magjike” etj, por duke mos lënë pas interpretimet live për publikun, i cili i fal shumë emocione. Këtë vit Aurel Thëllimi ka sjellë disa materiale muzikore për publikun, të cilat i rrëfen në intervitën për Radio Ejani.
CMG: Përshëndetje Aurel! Kohët e fundit u zhvillua një ngjarje e rëndësishme kulturore, inagurimi i T.K.O.B. Si e sheh ti këtë ngjarje, si pjesë e këtij teatri?
Aurel Thëllimi: Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën! Faleminderit për emocionet që na falni ju si radio, duke i dhuruar audiencës ushqimin e shpirtit. Është kënaqësi që Teatri i Operas u hap me një koncert madhështor, sepse dihet që muzika klasike në Shqipëri është elitare, audienca është specifike, jo gjithkush e ka shijuar dhe e ka prekur. Artistëve u nevojitej një skenë e tillë sepse të gjithë kolegët janë profesionistë dhe është pikërisht ajo qënie e cila ka dhënë rininë, vitet, aty ku ka marrë emocionet e para dhe njëkohësisht thinjet si artist. Një godinë e tillë i mungonte, por edhe vlerësimi duhet të jetë i njëjtë për artin dhe çdo lloj profesioni në Shqipëri, në mënyrë që të jenë të barabartë si në gjithë botën.
CMG: Ke shumë impenjime apo aktivitete artistike në T.K.O.B.?
Aurel Thëllimi: Pjesa më e madhe e jetës time është këtu. Kam qenë shumë i vogël, në fund të vitit të parë në “Akademinë e Arteve” kur u emërova pranë T.O.B. dhe fillova si solist ku kam bërë shumë role në atë kohë. Kujtoj kur u bë Muzikal-i i parë në Shqipëri “West Side Story” ku bashkë me një staf të njohur, të cilët erdhën nga Amerika kemi bërë një super show për ato vite. Ka qenë një emocion shumë i bukur, një përgjegjësi në perceptimin mbi artin. Ndërkohë unë fillova paralelisht të merresha me këngën për të fituar më tepër të ardhura, për t’u ndjerë ekonomikisht më i plotësuar si artist, por u detyrova të isha më afër audiencës shqiptare, pasi Teatri i Operas ka një audiencë specifike dhe dëshira ime ishte që të këndoja për të gjithë popullin. Mesazhi im është që të mos kemi klasifikime, por të këndojmë në mënyrë të barabartë për veshë të barabartë. Nëse unë bëj një këngë të bukur dhe depërtoj tek çdo lloj qënie, kjo për mua është një arritje më e madhe se një diplomë e “Akademisë së Arteve”.
Aurel Thëllimi në -Këngë moj.
CMG: Është e lehtë apo e vështirë të përshtatesh me zhanre të ndyshme muzikore që ti këndon?
Aurel Thëllimi: Qënia është pa komplekse dhe arritja më e madhe për çdo qënie i çdo lloj profesioni është të krijojë individualitetin e tij, që do të thotë bashkëbisedim me veten. Kur gjërat i ke të qarta dhe je i diplomuar për çfarëdo lloj fushe, normal që atë fushë do e eksplorosh për të arritur majat në marrëdhënie me veten. E zgjerova pak sepse dhe arti është i tillë. Një artist eksploron ato që ka brënda vetes. Ana shpirtërore e ndërthurur me anën e mendimit, fjalën e bukur apo ndjesia individuale e barazuar me masën është element bazik në çdo lloj profesioni. Unë si artist kam një shkollë për të kënduar bukur dhe pse mos e lëvroj apo mos e sjell bukur në mënyrë profesionale këngën nga të gjitha trevat e muzikës shqiptare. Është si puna e traditës, kur ne shkojmë në një restorant zgjedhim traditën e vendit, sepse është diçka autentike, të njëjtin mendim ndaj dhe për muzikën.
CMG: Në cilin zhanër muzikor je vetvetja?
Aurel Thëllimi: Nëse muzika shqiptare trajtohet me tendencat e kohëve të fundit do shohim se kemi një muzikë që lëvrohet dhe e kalon shijen shqiptare. Unë ta them me siguri të madhe se nëse kompozitorët dhe studiot që ne kemi këtu, nëse e sjellin në mënyrën e duhur muzikën shqiptare me siguri e them se kënga jonë do pëlqehet në të gjithë botën, deri në Australinë e largët.
CMG: E vërtetë, nëse të gjithë kompozitorët bazohen te rrënjët e vendit përkatës përcjellin në publik idetitetin e vendit…
Aurel Thëllimi: Ne duhet të jetojmë në shekullin e 21 me mendimet e shekullit të 21, e jo duke e ruajtur traditën me fanatizëm. Gjyshërit tanë kanë jetuar të cunguar në lirinë e mendimit dhe veprimit, ndërsa ne sot jemi shumë të lirë, duke futur pak nga individualiteti kjo të bën që të jesh një artist unik dhe që të depërtosh në çdo lloj veshi. Si shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë marr formën e kohës dhe shtetit ku jetojnë, ashtu edhe muzika të marrë formën e kohës dhe shteteve të ndryshme.
CMG: Çfarë kënge këndon ti në përditshmërinë tënde?
Aurel Thëllimi: Në adoleshencë pëlqeja muzikën e bukur, ndërsa sot pëlqej fjalët e thëna bukur me melodi. E preferuara ime mbetet Whitney Houston, por sot pëlqej dhe Jennifer Hudson, një nga nxënëset e saj, gjithashtu vlerësoj shumë artistë shqiptarë si; Eugent Bushpepën, Aurela Gaçen, Anxhela Peristerin si dhe shumë artistë të tjerë. Personalisht kam shumë qejf të këndoj në çdo moment këngën “Janinës ç’i panë sytë” më pas e lidh me Jennifer Hudson, ashtu është edhe kënga jonë shqiptare. Kënga jonë merr formën e ditës, nëse zgjohemi të mërzitur, gjatë ditës bëhemi të lumtur apo anasjelltas nëse zgjohemi të lumtur dhe jeta na ofron të mërzitemi, e njëjta gjë është dhe me muzikën, duhet të këndosh këngën e duhur në momentin e duhur.
Aurel Thëllimi në intervistë për CMG
CMG: Ka disa javë që ti ke sjellë një këngë të re e cila mban titullin "Më nuk u pamë". Me cilën nuk u pe, që të frymëzoi për këtë këngë?
Aurel Thëllimi: Mendoj se terreni emocional në mbarë botën sot është melankolik. Në përgjithësi në verë të gjithë sjellin trende bashkëkohore, ndërsa unë mendova të sillja një baladë sepse e tillë ishte gjëndja ime shpirtërore në atë moment. Ka një tekst, i cili në impaktin e parë të tregon ngjarjen e një partneriteti, por në thelb teksti ka një mesazh brenda. Në kohët e sotme janë prishur marrëdhëniet për interesa apo për një moment të caktuar emocional kënga thotë; “Më nuk u pamë, më nuk u pamë nga një fjalë”. Sapo e publikova këtë këngë kam marr mesazhe nga shumë njerëz, sepse kjo këngë nuk ka klasifikim moshe. Për herë të parë e këndova këngën në një koncert në Belsh dhe aty u prit mjaft mirë, madje mora një duartrokitje të madhe dhe që nga ai moment mendova se kjo këngë vlen sepse depërtoi dhe ky ishte dhe qëllimi im. Mendoj se ja kam arritur pasi kam dhënë emocione dhe një mesazh shumë të qartë. Kënga vazhdon; “Sy më sy më nuk u pamë” pra që ne të mos jetojmë të vetëm, duhet të jetojmë shumë të kujdesshëm, të mendojmë shumë gjëra, por të flasim pak. Ky ka qenë emocioni i atij momenti kur shkova në një studio, dëgjova këtë melodi dhe menjëherë më erdhi teksti në mendje.
CMG: Këtë vit ti ke patur mjaft angazhime në muzikë, pjesëmarrje në “Këngë moj”, "Kënga Magjike", por edhe në turin e "Maratonës së këngës”…
Aurel Thëllimi: E kam quajtur “bekim” faktin që në ditët më të vështira të pandemisë ne të bënim një spektakël, ku të gjithë artistët mbanim distancë me njëri-tjetrin, dezinfektonim mikrofonin duke respektuar rregullat, por edhe mbrojtur veten. Pati një audiencë të madhe edhe përtej Shqipërisë dhe ne kemi marë komente dhe oferta deri në Australinë e largët si dhe u mbushëm me emocione të bukura. Të gjithë artistët patën fatin për të treguar një anë tjetër, sepse është vështirë që të godasësh në audiencë, është e vështirë që audienca të kuptojë se je artist që mund të këndosh çdo lloj zhanri. Televizioni ka mesazhin më të fortë, si gazetaria, libri, por sidomos radioja është një nga komponentët kryesor në ushqimin e jetës, pavarësisht se në kohët moderne i është dhënë më shumë rëndësi tok-tokut, instagramit dhe facebookut, por koha do e seleksionojë dhe do shkojnë gjërat aty ku duhet të shkojnë. Çdo gjë që ka vlerë mbetet vlerë dhe media është e tillë. Për artistin e bën klasifikimin sepse del aty si artist dhe përcjell mesazhe artistike dhe më pas e merr këtë petkun dhe jua përcjell njerëzve në ambjetet ku performon si një artist që ka krijuar identitetin e vet.
Ne jemi kalimtarë në këtë botë dhe duhet të lemë mesazhe të qarta “të ruajmë autenticitetin”. Kemi ardhur në këtë botë për të lënë gjëra të bukura dhe për t’u kujtuar si njeri i thjeshtë dhe me vlera. Thjeshtësia është një nga gjërat më me vlerë që mund të ketë qënia njerëzore, por është një nga më të vështirat. Duke krasifikuar veten në nivelet emocionale njeriu kur ngrihet në mëngjes i pasur në mendje, i pasur në ekonomi, por ndihet shumë i varfër emocionalisht, njeriu duhet të eksplorojë veten dhe të gjejë të mirat e vetes, duhet të dashurojë natyrën, ambjentin, t’i falësh dashuri çdo qënieje që të rrethon, ashtu si në kohët e sotme që e kemi marrë si kulturë të dashurojmë kafshët, t’i mbajmë në shtëpi dhe t’i rrisim me dashuri pse jo të mos dashurojmë çdo gjë që na rrethon. Kemi ardhur në këtë botë dhe do ikim shumë shpejt.
Inva Mula & Aurel Thëllimi (në interpretimin e operës “Peshkatarët e Perlave”) Viti 2017
CMG: Edhe në librat e shenjtë i jepet shumë rëndësi fjalës, do doja të përmendja dhe një varg. "Zoti i ka dhënë njeriut fuqinë e fjalës". A je bazuar ti aty për krijimin e këngës “Fjala”?
Aurel Thëllimi: Me thënë të drejtën nuk e kisha menduar për të dhënë një mesazh kaq të fortë, por duke menduar se njerëzit janë me halle, u janë larguar njerëz të dashur nga kjo jetë dhe mesazhi im në momentin që e krijova këtë tekst nuk ishte për të arritur masën. Aty ku këndohej live, aty duket dhe se sa vlen një artist, duket veshi muzikor, formimi artistik dhe unë te “Kënga Magjike” doja të vija si Aurel Thëllimi. Lum ai që depërton brenda vetes dhe arrin të bëjë veten të lumtur dhe duke bërë veten, bën edhe të tjerët rreth vetes të lumtur dhe kjo sigurisht që arrihet nëpërmjet “Fjalës”. Ne jemi njerëz që jemi shumë të lidhur me marrëdhënien e interesit dhe kur prishet interesi, depërtojmë nëpërmjet fjalës më shumë se logjika, që është një gjë shumë e gabuar. Pavarësit se ne kemi konflikte interesash për të fituar apo për të humbur, kjo do të thotë që ekuilibri nëpërmjet fjalës të jetë i barabartë dhe kështu janë fjalët e këngës; “Fjalët na ndanë, dashurinë e vranë”, pra pse duhet ta vrasim dashurinë, kur secili prej nesh duhet të bëj revolucion me veten, për të kaluar sa më bukur. Duhet të jemi të kujdesshëm me fjalët kur i drejtohemi nënës, partnerit, fëmijëve etj. “Fjala” është ekulibri për çdo lloj marrëdhënie, profesioni, etj. Të gjithë ne besojmë në Zot në mënyrën tonë, të gjithë mundohemi të respektojmë vlerat njerëzore për të qenë sa më afër Zotit, por të gjithë lëndojmë, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme nëpërmjet fjalës apo nëpërmjet gjestit.
CMG: Si është Aureli në familje?
Aurel Thëllimi: Unë si natyrë jam pak egoist dhe në parimet e mia mundohem të bëj më të lumtur veten dhe duke bërë të lumtur veten, di të bëj edhe ata që më rrethojnë. Bëj një program të qartë për veten time me orare të përcaktuara, ku dita fillon me punën, pasi mbaroj punën në T.K.O.B. shkoj në shtëpi dhe kujdesem për nënën, më pas shkoj në palestër dhe në fund të ditës kam kohën time për të dalë vetë, për të reflektuar dhe për të bërë axhendën. Shpreshherë preferoj të gatuaj dhe përherë i pyes anëtarët e familjes se çfarë preferojnë t’u gatuaj dhe më pas e bëj gjithçka me shumë kënaqësi.
CMG: Cili është ushqimi që gatuan më mirë?
Aurel Thëllimi: Unë gatuaj për kënaqësi, ndonjëherë më ndodh të gatuaj edhe në orën 2 pas mesnate kur nuk më zë gjumi dhe merrem me gatimin që mos ta shtyj kohën kot. Secili në shtëpi ka vendin e vet, djali mund të jetë duke mësuar, bashkëshortja me ato angazhimet e veta dhe unë filloj e merrem me gatimin. Përherë i pyes anëtarët e familjes se çfarë t’u gatuaj dhe kur kërkon njëri kek e tjetri byrek, unë i bëj të dyja për t’ua plotësuar dëshirën.
CMG: Në një intervistë ti ke thënë; "ata çifte që janë gjithë ditën bashkë, janë të mallkuar... " Për çfarë je penalizuar nga të qënit në një profesion me bashkëshorten Eldën?
Aurel Thëllimi
Aurel Thëllimi: Të gjithë çiftet që punojnë në të njëjtën punë mendoj se është shumë problematike, sepse duke qenë se jetojmë në Shqipëri duhet të përballesh me mentalitetin shqiptar të kolegëve në çfarëdo lloj profesioni. Në rradhë të parë duhet të mendosh që të mos vesh në siklet as partneren sepse ndodh që mund të kesh një debat me eprorin tënd dhe në momentin që debaton, e vë në siklet partneren apo partnerin dhe kjo gjë më shoqëron me vete dhe në shtëpi. Nisemi nga shtëpia dhe kthehemi sërish në shtëpi me të njëjtat biseda dhe kjo gjë mendoj se e bën pak monotone marrëdhënien, sepse duke e parë të dy me këndvështrime të ndryshme, duke qenë të dy në të njëjtën punë, mund të kuptohesh nga analiza e anës profesionale dhe mendoj se nuk të jep risi në familje, se është një gjë e parë e jetuar dhe e rithënë përsëri në shtëpi. Pra e ke tërë kohën me vete mendimin, hallin apo stresin. Të paktën unë kështu e mendoj dhe perceptoj, plus duke patur të njëjtin rreth shoqëror nuk ke asnjë risi, gjithashtu nuk duhet të bësh debat në sy të partneres sepse ajo nuk duhet të vihet në siklet dhe ndërkohë nuk duhet të lëndosh askënd, mendoj se kjo për partneritetin shqiptar është një nga gjërat më të vështira, duke ju referuar vetes, por sigurisht që ka dhe gjërat e mira. Nëse do marrim anën pozitive, ke diçka urgjente, e ke partneren afër. Kjo është jeta, ky është profesioni që zgjodha dhe Elda është partnerja që zgjodha. Nëse do kisha bërë zgjedhje të tjera, mund të kisha ndoshta një analizë tjetër (qesh).
CMG: Na trego dhe anën pozitive. A është dashuria juaj e zgjarrtë si në ato fillime?
Aurel Thëllimi: Dy persona të një profesioni kanë gjithmonë një problem, nuk kanë asnjë pikë të përashkët. Ne kemi patur fatin që kemi qenë shokë klase, më pas shokë jete dhe sot edhe kolegë pune. Këndvështrimi është individual, nuk mund të imponohet. Deri para pak kohësh doja që të kisha mendimin e sinqertë, por ai mendim i sinqertë në një moment të caktuar, nuk të pëlqen dhe kjo krijon një divergjencë në partneritet dhe fillon e debaton në mënyrën më reale të qënies dhe fillon e ofendohesh, kjo të penalizon pak në mendime se këtu prish dhe marrëdhënien në çift, por shyqyr Zotit teknologjia ecën dhe ne e regjistrojmë veten nëpërmjet celularit dhe e korrigjoj veten, kështu që s’kam nevojë që të marr mendim nga partnerja se e ridëgjoj veten. Më ndodh kur bëj një këngë në studio, vij dhe jua tregoj në shtëpi këngën e cila më ka dhënë një gjendje shumë të mirë, e shoh se tek partnerja apo edhe te djali nuk e jep atë gjendje që më ka dhënë mua, dhe aty stepem sepse e di se ata janë të kujdesshëm për të mos më lënduar mua për atë gjë të cilën e kam bërë me plot dashuri, por në fund mendoj se këtu janë dy veshë që nuk e pëlqejnë, por mund të ketë shumë veshë të tjerë për ta pëlqyer. Bashkëshortja ime e ka shijen muzikore vetëm te muzika klasike, djali nuk ka ndonjë shije mbi artin, por kjo sigurisht që ka dhe anën pozitive sepse duke marë mendimin e të dyve unë shkoj më afër audiencës sepse kam të drejtën maksimale, në fund të fundit arti është menaxhim.
CMG: Faleminderit që ishe në programin “Muzika shqip”!
Aurel Thëllimi: Kënaqësia është e imja! E vlerësoj shumë kohën dhe respektin që kemi për artin dhe artistët, për të nxjerr në pah vlerat, dhe mënyrën se si jetojmë ne në kushte të barabarta me të gjitha profesionet e tjera dhe anën emocionale të fjalës së thënë nga një natyrë emotive siç është artisti. Të falenderoj se nëpërmjet jush ne kemi afrimitet me audiencën dhe të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen. Dhe në këto ditë të vështira pandemie dua t’u them të gjithëve se; Jeta duhet jetuar me të gjitha dhimbjet dhe forcën që të ka dhënë ajo, në mënyrë që ushqimi i shpirtit të jetë fjala, muzika dhe dashuria. Jetoni, dashuroni në mënyrën tuaj, sepse duke bërë veten të lumtur do bëni të lumtur të gjithë ata që ju rrethojnë. Faleminderit dhe ty Sava për këto momente të lumtura!
Intervistoi: Sava Lena