Koreografi me famë botërore dhe origjinë shqiptare Angjelin Preljocaj i ka dhuruar këtë fundjavë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit premierën absolute “Annonciation” dhe shfaqjen “La Stravaganza”. Dy veprat janë ngjitur në skenë nga trupa shqiptare e baletit dhe kanë emocionuar publikun, pasi u shoqëruan me duartrokitje dhe ovacione pa fund. Angjelin Preljocaj ia ka dhuruar Teatrit të Operës dhe Baletit krijimtarinë e tij me rastin e inaugurimit të rikonstruksionit të këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës shqiptare.
“Annociation” është premiera absolute krijim i koreografit dhe mjeshtrit të talentuar me origjinë shqiptare Angjelin Preljocaj me interpretimin e trupës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Shfaqja premierë është punuar përgjatë muajit nëntor të vitit të kaluar në Marsejë, me balerinat e trupës tonë, për t’u shfaqur në javën e festimeve të Inaugurimit të Rikonstruksionit të Teatrit të Operas dhe Baletit.
Me një gjuhë të pasur koreografike ai ka arritur të shpalosë poezinë e baletit modern, duke transmetuar mesazhe që prekin dhe emocionojnë.
Ndërsa shfaqja tjetër “La Stravaganza” rievokon punën artistike të mjeshtrit të bërë ndër vite.
Akademia e Shkencave për herë të parë organizon veprimtari për At Gjergj Fishtën
Për herë të parë, Akademia e Shkencave ka organizuar një veprimtari për At Gjergj Fishtën. Për 150-vjetorin e lindjes së një ndër figurave më mbizotëruese të letërsisë shqipe, Akademia Shkencave ka organizuar konferencën shkencore ad honorem. Në konferencën e titulluar "Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”, morën pjesë akademikë e profesorë, studiues, nga institucionet universitare dhe akademike të vendit dhe të ftuar të tjerë. Në konferencën shkencore, e cila u organizua në nderim të 150-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, u fol dhe u vlerësua kontributi i Fishtës si personalitet që ka dominuar me emrin dhe veprën e vet gjithë periudhën midis dy luftërave, si poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar, botues; me ndihmesa të njohura në veprimtarinë laike e kanonike-kishtare. Konferenca u organizua në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë.
“Arkivit të hapur” të GKA i shtohen veprat e artistëve bashkëkohorë shqiptarë
Veprat e artistëve bashkëkohorë shqiptarë (1990-2000), i shtohen “Arkivit të hapur” të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se, “të fshehtat” e Galerisë, tashmë janë të hapura për të gjithë, përpara nisjes së procesit të restaurimit, rikonstruksionit dhe rehabilitimit të ambienteve të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura”.
Ministrja Margariti pak ditë më parë tha se, “do të vazhdojmë me Teatrin Kombëtar, i cili bashkë me rikonstruksionin dhe zgjerimin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të krijojë një pol të ri në Pedonale, por dhe një magnetizëm jo vetëm kundrejt artistëve shqiptarë dhe të huaj, por në të gjithë planifikimin e territorit dhe qendrës së Tiranës”.
Edicioni i 19-të i “Tirana International Film Festival”, 112 filma në konkurrim
Në edicionin e 19-të të “Tirana International Film Festival Oscar qualifying” që po mbahet nga data 24 shtator e do te vazhdoje deri me dat -30 shtator në Tiranë, do të shfaqen 112 filma në garë në të gjitha kategoritë dhe zhanret kinematografike, ndërsa 110 filma do të jenë jashtë kompeticionit me programet speciale.
Duke patur parasysh rregullat profilaktike të pandemisë ky do të jetë një edicion me shfaqje të kufizuara në kinema si dhe online për ndjekësit e shumtë në Shqipëri dhe në botë, që nuk mund të frekuentojnë sallat dhe nuk mund të udhëtojnë lirisht në Shqipëri.
Ky edicion shënoi një numër rekord aplikimesh prej 2950 filma nga 118 vende të botës. Nga Evropa kanë aplikuar 1706 filma, nga Amerika e Veriut 558 filma, nga Amerika e Jugut 66 filma, nga Azia 530 filma, nga Afrika 34 filma dhe Australia 56 filma.
“Studio e hapur”, çelet ekspozita në Durrës me rreth 60 punime
“Studio e hapur” titullohet ekspozita e çelur në Muzeun Arkeologjik Durrës nga 5 piktorë të njohur shqiptarë.
Artistët Buron Kaceli, Emijona Stasi, Vangjo Vasili, Gjergji Marko dhe Agron Polovina sollën në këtë ekspozitë rreth 60 piktura, të punuara me teknika të penelit dhe akuarelit.
Në punimet e 5 artistëve dominojnë portretet dhe peizazhet më të bukura të zonave turistike në vendin tonë.
Artdashësit durrsakë vlerësuan krijimtarinë bashkëkohore e figurative të 5 piktorëve, ku dallohet mjeshtërisht në çdo vepër “peneli” që është një nga elementët më të rëndësishëm të krijimtarisë së tyre të përbashkët.
Ekspozita është hapur më parë në qytetet e Beratit dhe Pogradecit dhe po vazhdon udhëtimin e saj në Durrës dhe në disa qytete të tjera.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Arkeologjik gjatë Ditëve Evropiane të Kulturës dhe do të lëvizë drejt qytetit të Vlorës pas dy javësh.
Kulla e Sahatit në Krujë, në restaurim për ta shpëtuar nga rreziku i rrënimit
Kulla e Sahatit, në kalanë e Krujës, e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, së shpejti do të kthehet në identitet.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se po vijon puna për restaurimin e saj.
“Kulla simbolike e Krujës ishte ndër objektet më të dëmtuara nga tërmeti. Me durim po e restaurojmë, për ta shpëtuar nga rreziku i rrënimit”, shprehet Margariti.
Projekti pëpr restaurimin e kullës është realizuar nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHËB) dhe po zbatohet nga “Leon Construction”, nën mbikëqyrjen e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Ndërhyrjet përforcuese do të ndahen në tre hapa: përforcimi paraprak i kullës, me fasha poliestri dhe binarë druri; përforcimi i plotë i kullës me elemente çeliku; instalimi i sistemit të monitorimit.
Kalaja e qytetit të Krujës, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore të Krujës, 16 shekuj përpara, në një lartësi 557 metra. Flamuri ynë kombëtar u ngrit pikërisht aty për herë të parë në 28 Nëntor 1443 nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Dy Luanë drejt Venecias”, kandidatura e Shqipërisë për “Oscar”
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila i uroi suksese filmit shqiptar.
Margariti tha se filmi “Dy Luanë drejt Venecias” me skenar dhe regji nga Jonid Jorgji, prodhuar nga shtëpia kinematografike “EJF FILM” sh.p.k, do të konkurojë në edicionin e 94-të INTERNATIONAL FEATURE FILM AWARD.
Filmi flet për aventurën e dy kineastëve shqiptarë, rrugës për në festivalin e Venecias, ku takojnë papritur në udhëtimin e tyre dy aktore italiane të filmave për të rritur. Këtu përplasen botëkuptime të ndryshme, që sjellin të papritura.
N. Kraja