Nazif Cela ne interviste per CMG
Nazif Çela, një nga këngëtarët më të spikatur të polifonisë labe, shquhet për një muzikalitet të veçantë të vokalit të tij, që duket sikur del nga instrumentet muzikore dhe jo nga një grykëgoje e njeriut të zakonshëm. Kur ka kënduar “Janino ç’të panë sytë” kritika muzikore e quajti zërin e tij dhe këtë këngë, si një risi në isopolifoninë shqiptare, mënyrë të kënduari unike jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Ka mbi 42 vjet në skenë dhe rezultatet rriten çdo ditë. Është thirrur në të katër anët e botës ku ka emigrantë dhe këngët më të preferuara të emigrantëve janë “Polifonia labe”, “Janinës ç’i panë sytë” dhe “Tana”. Në arkivin e tij muzikor ka mbi 400 këngë. Në një intervistë për CMG Nazifi na tregon rreth karrierës së tij artistike si dhe aktivitetet e shumta si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Nazif Cela me grupin polifonik
CMG: Z.Çela përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen në emisionin Bio Folk.
Nazif Çela: Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën.
CMG: Fillimet tuaja në muzikë kanë qenë me polifoninë labe?
Nazif Çela: Patjetër! Me polifoninë e kam nisur dhe me polifoninë do ta përfundoj. Polifonia thoshte Lefter Çipa, rapsodi i mirënjohur i Labërisë, ka lindur dhe do të vdesë e virgjër.
CMG: Kush ju zbuloi si zë i rrallë i këngës polifonike?
Nazif Çela: Që në vitet e fillimit të shkollës, nga klasa 5, Feti Ibrahimi punonte me grupet polifonike të Lapardhasë, që bënin pjesë nga shkolla në brigadë, pra ishin tre brigada dhe tre grupe dhe shkolla. Me grupin e madh të të rriturve të fshatit punonte Feti Brahimi. Ai më zbuloi dhe më projektoi që atëhere, pra që në klasën e shtatë, që unë isha një këngëtar i lindur. Që atëhere kam kënduar polifoninë dhe deri në ditët e sotme.
CMG: Ka qenë dikush tjetër në familjen tuaj, që këndonte polifoninë?
Nazif Çela: Unë e kam thënë edhe në intervista të tjera, unë zërin e fuqishëm e kam nga babai dhe melodinë e kam nga nëna. Kështu që babai këndonte shumë fort dhe shumë lart, ndërsa nëna ishte ledhatuese te kënga, pra ishte melodioze dhe kur dilnin në valle gratë e Lapardhasë, nëna ime ishte primare.
Nazif Cela duke interpretuar me grupin
CMG: Ju keni një repertor të pasur me këngë polifonike, por unë do të veçoja këngën “Janinës çi panë sytë”. Kur është kënduar në fillim kjo këngë?
Nazif Çela: Neve përgatiteshim nga viti 1983 për Festivalin e madh Folklorik të Gjirokastrës. Ne gjithmonë përgatiteshim për festivalet e mëdha, por kësaj here u përgatitëm rrënjësisht dhe punuam shumë. Sa e sa këngë të tjera kemi lënë mbrapa që janë pak si kënga e Janinës, por që punuam fort për këngën “Janinës ç’i panë sytë”. Feti Brahimi nuk bënte gjumë në sy, vetëm e vetëm për këngën së bashku dhe me mua. Kur vinte grupi, ne këngën dhe melodinë e kishim të gatshme sepse i konsumonim më përpara me Fetiun.
CMG: Sa këngë përmban repertori juaj në këto dekada karrierë artistike?
Nazif Çela: Repertori ynë është i pafund, sepse çdo muaj ne publikojmë nga tre këngë të reja, pra është një repertor në pafundësi dhe është si minierë.
CMG: Pas viteve 90-të shumë këngë polifonike janë muzikuar dhe interpretuar nga këngëtarë të tjerë. Keni këngë nga repertori juaj që janë të muzikuara?
Nazif Çela: Po. Kjo ndodhi në vitet e demokracisë për efekt të tregut muzikor, pra tregut atëhere i humbi kënga labe dhe ishim të detyruar që dhe neve të mbijetonim. Kështu që u detyruam t’i kthejmë një pjesë të këtyre këngëve me muzikë popullore, por që baza është vetëm polifonia.
CMG: Sipas mendimit tuaj, a ka problematika polifonia labe dhe brezi i ri ka dëshirë ta interpretojë si ju?
Nazif Çela: Unë jetoj sot me brezin e ri dhe mendoj se kënga labe nuk do të shterojë kurrë. Asaj nuk i dihet as lindja dhe nuk do ketë as vdekje. Ka shumë të rinj që e duan dhe e këndojnë polifoninë.
CMG: Ju keni udhëtuar në shumë vende të botës me polifoninë. Çfarë emocionesh keni përjetuar dhe si ju ka pritur publiku i huaj në këto aktivitete?
Nazif Çela: E vërteta është se kemi pasur shumë aktivitete jashtë vendit, qofshin këto evenimente personale, por edhe festivale ku kemi marrë pjesë shumë herë. Përshtypje më të madhe më ka bërë njëherë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar në Holandë, ku merrnin pjesë 20 shtete. Presidenti i festivalit u ndal shumë te kënga polifonike e Shqipërisë. Ne ishim një grup polifonik i Lapardhasë dhe unë këndova 45 minuta në skenë, pa lëvizur. Presidenti i festivalit nuk pyeti më se do dilnin të tjerë apo jo, por u kthye nga ne dhe na tha: “Çfarë më keni prurë në këtë festival, më sollët malet, fushat, lumenjtë, mi sollët të gjitha këtu në skenë dhe nuk do të ketë kuptim festivali pa Shqipërinë”.
Nazif Cela ne interviste per CMG
CMG: Ju përveç këngëve të panumërta polifonike, vitet e fundit keni realizuar dhe këngë të muzikuara. Këto janë këngë të reja apo të bazuara në polifoni?
Nazif Çela: Këto janë këngë me tekste të reja, por që janë të mbështetura te polifonia e vjetër. Kështu që detyrimisht ato do të kishin një vlerë te populli, siç e patën.
CMG: Ka ndikuar periudha e pandemisë në jetën tuaj artistike?
Nazif Çela: E vërteta është se na vrau pak, se po shkon gati dy vite. E them na vrau se neve këngëtarët duhet të dalim në skenë që të kemi jetë. Kështu që kjo periudha e pandemisë na dëmtoi pak. Ne jemi duke punuar dhe do punojmë për të realizuar këngë të tjera.
CMG: Keni së afërmi ndonjë projekt artistik?
Nazif Çela: Unë kam disa projekte ku njërin do ta bëj për Feti Brahimin. Ky projekt është pothuajse në përfundim me këngë polifonike ku dhe ne kemi bërë një tekst të posaçëm për Feti Brahimin, të kënduar nga grupi i tij dhe gjashtë djemtë e lumit të Vlorës.
CMG: Këngën e famshme “Janinës ç’i panë sytë” e këndoni shpesh nëpër aktivitete?
Nazif Çela: Para pak kohësh isha me grupin tim në një aktivitet organizuar nga qendra e Vodafon me një grup italian dhe ata më kërkuan këngën e Janinës. Kam ndjerë një kënaqësi shumë të madhe ku morën pjesë edhe personalitete të artit dhe kulturës të vendit tonë.
CMG: Së fundi një mesazh për dëgjuesit, por edhe për brezin e ri që ta kultivojnë këngën polifonike.
Nazif Çela: Mesazhi im është që gjithmonë tekstet të jenë në kritikë, sepse tekstet janë ato që do mbeten. Muzikë dhe melodi bëjmë sa të duash, por fjalë themi pak dhe duhet teksti që të godasë. Unë habitem me disa që bëjnë tekste të dobëta dhe i këndojnë. Unë vetë, po nuk më tërhoqi teksti, nuk e këndoj atë këngë.
CMG: Faleminderi për intervistën dhe suksese.
Nazif Çela: Ju falendroj ju që më ftuat në emisionin Bio Folk.
Intervistoi: Gazmend Agaj