Violinistia e talentuar Lirza Zaloshnja prej një dekade është pjesë e një orkestre të madhe në Shqipëri, por njëherësh ajo ka zhvilluar mjaft koncerte të rëndësishme brënda dhe jashtë vendit me artistë të famshëm botërorë. Gjatë pandemisë ajo realizoi një projekt mjaft të rëndësishëm “Mozaik me artistë nga e gjithë bota”, gjithçka e realizuar nëpërmjet interpretimit live, ku çdo artist interpretoi një pjesë nga vendi i tij, duke ndarë për publikun dhe një mesazh optimizmi në gjuhën e vendit të tij. Përveç këtij projekti kaq të veçantë, ajo ndau me ne për programin “Muzika shqip” dhe prezencën e saj si anëtare jurie në një spektakël të talenteve të reja, që zhvillohet për muzikën e dhomës dhe instrumentin e violinës në Londër të Anglisë.
CMG: Lirza, mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”!
Lirza Zaloshnja: Është kënaqësi për mua!
CMG: Gjatë periudhës së pandemisë ti u angazhove me një projekt shumë të rëndësishëm. Na trego për programin "Muzika shqip" rreth këtij projekti?
Lirza Zaloshnja: Gjatë periudhës së pandemisë, e cila erdhi e menjëhershme ku e gjithë bota u mbyll, për artistët ishte shumë e ndjeshme kjo gjë pasi u shkeputëm nga skena, nga jeta koncertale dhe në atë moment mua më lindi një ide spontane, të ftoja miqtë e mi artistë nga e gjithë bota, gjithsej rreth 32 artistë nga Evropa, Azia, Australia, Amerika Veriore-jugore, etj. Ishte në të vërtetë dhe një lloj fati, nëse mund ta quaj kështu, pasi këta artistë janë shumë të njohur dhe kanë një axhendë të pasur në të gjithë botën dhe po të ishte një situatë tjetër ndoshta do ta kisha shumë të vështirë të lidhesha me ta dhe t’i kërkoja që të bënin këtë mini-projekt që unë realizova. E veçanta e këtij projekti ishte se artistët e pranuan me shumë dëshirë dhe idea ishte që secili të jepte një mesazh sensibilizues, solidarizues për situatën në të cilën ne po kalonim. Mesazhi ishte në gjuhën e tyre dhe mundësisht të luanin muzikën e vendit të tyre. Të gjithë e përqafuan shumë këtë ide- projekt dhe u realizua ky kolazh,video-mozaiku me mesazhet e tyre për situatën të cilën po kalonim dhe me muzikën e tyre, duke na përshëndetur me një koncert.
Gjithashtu unë kam realizuar dhe mjaft projekte personale ku kam luajtur vetë me artistë të ndryshëm, qoftë në formatin e muzikës së dhomës, por edhe nëpër orkestra ku në kohën e pandemisë u realizua në kushtet e shtëpisë audio dhe modeste, pra cilësia nuk është më e mira e mundshme, por ishte diçka për publikun i cili e priti mjaft mirë pasi kanë patur kohë që ta ndjekin artistin, kanë patur kohë që ta ndjekin muzikën klasike.
CMG: Dhe në të vërtetë kanë qenë këto vlera artistike të sjella nga artistë të ndryshëm që e kanë larguar stresin e publikut në periudhën e izolimit nga pandemia. Keni patur miqësi të hershme apo bashkëpunime më parë me këta artistë?
Lirza Zaloshnja: Po, patjetër. Kishim kohë që njiheshim dhe ftesa u pranua në bazë të miqësisë. E realizuan me shumë dëshirë këtë bashkëpunim.
CMG: Ti vjen nga një familje artistësh dhe mamaja jote të orientoi drejt këtij instrumenti. Je penduar meqë vështirësitë janë të shumta në fushën e artit?
Lirza Zaloshnja: Mendoj se çdo profesion ka vështirësi, ka momente ku njeriu mendon pse këtë profesion dhe jo diçka tjetër, por mendoj se nuk ka patur momente aq të forta sa për t’u bërë pishman. Do doja të përmendja se shkollimit tim, nuk i kam kushtuar vëmendje vetëm instrumentit, por dhe kulturës, apo lëndët e përgjithshme, ku isha e apasionuar. Kam patur shumë vullnet dhe dëshirë për të arritur maksimumin e gjithçkaje dhe ka qenë një dilemë diku në përfundimin e shkollës 8-vjeçare kur më thonin mësues të ndryshëm se mund të bëhesha dhe një mjeke apo një ekonomiste shumë e mire, pasi i kam patur shumë pasion lëndët shkencore. Unë kam një natyrë, që kur e marr përsipër diçka dua ta çoj deri në fund e jo ta lë përgjysmë, kështu që përderisa e mora përsipër këtë profesion që në moshën 5 vjeçare patjetër që do e çoj deri në fund.
CMG: Të ka privuar violina nga dëshirat e moshës?
Lirza Zaloshnja: Po, dhe jo vetëm mua, por të gjithë artistët sidmos instrumentet e pianos, violinës, violinçelit që nisin në moshë të vogël. Mendoj se të gjithë muzikantët i ka privuar instrumenti nga fëmijëria dhe nga adoleshenca. Madje edhe në këtë moshë që jam më privon sepse përveç orëve të punës, më duhet të punoj edhe orë ekstra për të paraqitur një koncert.
CMG: Sa orë pune të duhet për t’u përgatitur në një ditë normale dhe sa ju duhen në një periudhë koncerti?
Lirza Zaloshnja: Orët e punës janë variabël, si është një ditë, nuk është një tjetër, pasi varet agjenda dhe koncertet për të cilat duhet të përgatitem. Në momentin që është një koncert recital duhen shumë orë pune, por kur ka dhe programe të reja aty normal që i shton edhe më tepër orët e punës.
CMG: Cili ka qenë koncerti që të ka dhuruar më shumë kënaqësi si artiste?
Lirza Zaloshnja: Është pak e vështirë që të zgjedh se cili koncert ka qenë ai që më ka dhuruar më shumë kënaqësi, sepse secili prej tyre ka patur specifikat e tij dhe unë jam ndjerë e lumtur dhe më ka dhuruar kënaqësi, më ka bërë të ndjehem krenare. Gjithsesi do doja të theksoja koncertin e fundit, i cili ishte pak para pandemisë në vitin 2019, ku pata kënaqësinë dhe nderin që të luaja me artistin nga Vjena koncert-maestrin e orkestrës së Vjenës Delibor Karvay. Violinisti erdhi posaçërisht në Tiranë për këtë koncert dhe e ndamë së bashku koncertin ku me ne ishte edhe pianistja Merita Rexha Tërshana, e cila e shoqëroi të gjithë koncertin në piano. Ka qenë një koncert shumë emocionues sepse ishte maja në karrierën time artistike deri në këto momente që po flasim, të luaja me një nivel të tillë violinisti.
Koncerte të bukura janë edhe ato të cilat i kam interpretuar jashtë vendit, sepse kam luajtur muzikë shqiptare dhe ballkanike dhe për këtë jam ndjerë shumë krenare, pasi muzika jonë shqiptare është një muzikë shumë e mirë, e bukur dhe është vlerësuar, e pëlqyer shumë në vende të ndryshme të botës ku unë e kam luajtur. Madje kënaqësia më e madhe është ku pas koncertit vijnë artistë dhe të kërkojnë partiturat në mënyrë që t’i njohin këto vepra.
Mendoj se artisti është një lloj ambasadori, sepse muzikën shqiptare përveç ne shqiptarëve nuk ka kush e luan tjetër në botë. Kështu që është diçka e bukur dhe unike që në programe të ndryshme ne të luajmë edhe muzikë shqiptare
CMG: Ti ke provuar të interpretosh vepra të artistëve të huaj në Shqipëri, por dhe vepra të autorëve shqiptarë jashtë vendit. Ku është emocioni më i bukur?
Lirza Zaloshnja: Është një emocion ndryshe. Kur dërgon materiale nga Shqipëria është një tjetër emocion, një tjetër krenari dhe kur kjo gjë pëlqehet, lumturia është më e madhe. Ndërsa kur luaj në Shqipëri vepra të kompozitorëve botërorë është përgjegjësi sepse duhet t’i luash bukur, në stil, duhet të japësh maksimumin, pasi janë kompozitorë shumë të vështirë që i kanë luajtur artistë të mëdhenj në botë dhe përgjegjësia është maksimale me kompozitor të mëdhenj që i interpreton e gjithë bota.
CMG: Cila është vepra shqiptare që ti e luan me shumë kënaqësi?
Lirza Zaloshnja: (Qesh) Edhe kjo është diçka mjaft e vështirë për ta zgjedhur pasi janë disa vepra, disa autorë që i kemi shumë të mirë. Unë kam luajtur nga Aleksandër Peçi, Vasil Tole, Pjetër Gaci etj. Nuk dua të harroj asnjë sepse të gjithë artistët shqiptarë janë shumë të mirë dhe u kërkoj ndjesë nëse nuk kam përmendur ndonjë. Janë kompozitorë shumë të mirë dhe në Shqipëri punohet me vështirësi dhe për këtë gjë duhen vlerësuar. Krijimtaria është e vështirë për t’u bërë dhe për t’u promovuar, kështu që çdo kompozitor që merr iniciativën për të bërë diçka duhet përgëzuar.
CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdimësi?
Lirza Zaloshnja: Përveç planeve që kam stabël në Shqipëri, sigurisht që realizoj dhe koncerte apo projekte të ndryshme, ku jam e ftuar në vende të ndryshme të botës. Gjithashtu doja të theksoja se jam anëtare jurie prej 6 vjetësh në një konkurs ndërkombëtar për sektorin e violinës dhe muzikës së dhomës, i cili kryhet dy herë në vit në Londër. Ky është plani më i afërt.
CMG: Na trego diçka më zgjeruar rreth këtij eventi në Londër, pasi është diçka mjaft e rëndësishme që një artiste nga Shqipëria të jetë në panelin e jurisë jashtë kufijve shqiptarë?
Lirza Zaloshnja: Është vërtetë kënaqësi që jam pjesë e këtij konkursi që zhvillohet në Londër. Ky është një konkurs internacional dhe aty ka artistë nga e gjithë bota. Në fakt janë në disa sektorë dhe unë jam në sektorin e violinës dhe të muzikës së dhomës. Realizohet dy herë në vit, një herë bëhet për instrumentin e violinës dhe një herë për muzikën e dhomës, më pas bëhet selektimi, faza para finales, për t’u përcaktuar se cilët do hyjnë në finale dhe më pas në finale përcaktohet se kush do të jetë fituesi, çmimi i parë, i dytë dhe i tretë.
CMG: Lirza, si kanë qenë pushimet e tua këtë vit ? Pushim i plotë apo dhe me angazhime?
Lirza Zaloshnja: Në momentin kur dikush pushon, relaksohet, shkëputet nga rituna e përditshme. Unë këtë vit i kalova pushimet në Greqi, në ishullin Lefkada ku isha për herë të parë. Deti Jon është i mrekullueshëm kudo dhe ne kemi fatin që ta kemi detin shumë të bukur në jug të Shqipërisë. Më dukej sikur isha në territorin shqiptar.
CMG: Duke patur shumë miq artistë më kanë treguar se kur shkojnë me pushime nuk janë në pushim total, por i kanë gjithmonë me vete instrumentat muzikore. Kanë qenë pushimet e tua vetëm pushime apo edhe punë?
Lirza Zaloshnja: Telefoni është gjithmonë me vete dhe ftesa të ndryshme vijnë edhe gjatë pushimeve. Pushimet shërbejnë kur sheh dhe vende të tjera si inspiruese për të shkuar për koncerte pse jo në ato vende apo të frymëzojnë për të lindur ide të tjera, për projekte në vazhdimësi.
CMG: Kur pushove këtë vit, kishe me vete në çantën tënde vetëm kremin e plazhit apo edhe violinën?
Lirza Zaloshnja: Violina është gjithmonë me vete në zemër dhe në mendje patjetër, por këtë herë kur shkova për pushime ishin pushime absolute dhe nuk ishte violina me vete për aq ditë sa isha aty.
Intervistoi: Sava Lena