Këngëtari i mirënjohur i folklorit shqiptar Gëzim Nika ka një repertor të pasur me krijimtari të larmishme. Ai ka një karrierë artistike 38 vjeçare që e ka filluar që në moshë të re dhe që e vazhdon edhe sot në Shtetet e Bashkuara. Gëzim Nika i përket një brezi të paktë këngëtarësh që vazhdon traditën e këtij stili të veçantë të muzikës folklorike mes komuniteteve të diasporës shqiptare, duke përcjellë traditën e këtij zhanri tek brezat e rinj. Në çdo skenë që këndon duartrokitjet janë të shumta, publiku vlerëson interpretimin e artistit nga Tropoja. Këngë të suksesshme mbajnë emrin e këngëtarit Gëzim Nika, si “Në Dardani bien tupanat”, “Liridona”, “Shqipëri o nëna ime”, “O sa mirë që jam shqiptar”, etj. Në një intervistë për CMG, Gëzim Nika na tregon për jetën e tij artistike dhe planet në të ardhmen.
CMG: Z.Nika, përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në emisionin Bio Folk në valët e Radio Ejani.
Gëzim Nika: Radio juaj paska emër shumë të bukur “Ejani” dhe duhet me ardh te radio juaj. Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e radios, kudo që ndodhen.
CMG: Ju keni përafërsisht katër dekada që këndoni këngën e mirëfilltë popullore si në Shqipëri ashtu dhe diasporë. Si ndjeheni në këto vite karrierë artistike?
Gëzim Nika: Me thënë të drejtën në vitin 1983 kam dalë në skenë dhe në tetor të vitit 2023 bëj plot 40 vite që këndoj. Unë ndjehem mirë sepse kur në jetë ke marrë një lloj zanati dhe afërsisht në atë zanat ke pasur një lloj suksesi. Unë vetë jam pak modest në këtë punë, por që vërtetë ndjehem mirë.
CMG: Në repertorin tuaj muzikor keni shumë këngë që sot janë hite, siç janë këngët “Shqipëri oj Nëna ime” ose kënga tjetër “O sa mirë me qenë shqiptar”, pra janë këngë që këndohen nga të gjithë.
Gëzim Nika: Të them të drejtën ndjehem mirë. Po marr si shembull vetëm këngën “Shqipëri oj Nëna ime”. Unë e dëgjoj si në Sarandë, në Greqi apo Amerikë që ajo këngë vazhdon të jetojë dhe më duket se i ka bërë 32 vjet si këngë që është krijuar. Kjo këngë ka tekstin e poetit të madh Naim Frashëri dhe kompozitori shumë i madh për mua dhe më të mëdhenjtë shqiptar Kol Susaj. Kam pasur fatin ta këndoj unë për herë të parë dhe me atë këngë identifikohem. Unë kam dhe shumë këngë të tjera, gati mbi 100 këngë ne repertorin tim, dhe me më thënë se cilën po e heq nga këto këngë, e kam të vështirë. Këtë këngë e kam dëgjuar edhe nga arbëreshët e Ukrainës, të cilët më thirrën në telefon dhe më kërkuan që t’ju dërgoja me partiturë këngën “Shqipëri o Nëna ime”, që t’ua mësonin fëmijëve atje. Gjithashtu kam parë dhe një emision ku fëmijët e arbëreshëve të Italisë ishin duke kënduar pikërisht këtë këngë në dialektin e arbëreshëve. Me thënë të drejtën ndjehem i lumtur, sepse kam përçuar një mesazh me këngët e mia.
CMG: Prej shumë vitesh ju jetoni në Amerikë dhe jeta juaj artistike është midis Shqipërisë dhe Amerikës.
Gëzim Nika: Unë jam larguar në kohë të vështirë nga Shqipëria. Ishte viti 1997 dhe situata këtu nuk ishte e mirë. Fëmijët i kisha të vegjël dhe sëbashku me bashkëshorten time Angjelinën morëm rrugën për në Amerikë. Unë nuk e kisha në plan me jetu kurrë jashtë Shqipërisë, por në kushtet që ishin këtu dhe unë e kisha një status artisti të fituar atje, u larguam. Nnuk ishte e lehtë si për çdo njeri që largohet nga vendi i tij dhe ta dini se është shumë e vështirë. Unë bashkë me Angjelinën duke pasur dhe njëri- tjetrin, e para ishte që të shkollonim fëmijët dhe tani jemi mirë sepse fëmijët u integruan me jetën atje, edhe vetë ne afërsisht. Në Amerikë ka shumë shqiptarë dhe ne e kemi gjetur vetveten edhe në fushën e artit, pra nuk e kemi humbur atë që kemi pasur në shpirt.
CMG: Bashkëshortja juaj Angjelina është një koreografe e njohur e valles shqiptare, pra jeni bashkëshortë, por edhe kolegë në fushën e artit.
Gëzim Nika: Ne gjithmonë e kemi mbështetur njëri- tjetrin ku unë më tepër e kam mbështetur me muzikat dhe duke e shtyrë atë për ta bërë këtë punë. Dua të tregoj diçka. Don Pjetri, prifti i shqiptarëve në New York që unë kam shumë respekt dhe është një shqiptar i vërtetë, para më shumë se 40 viteve kishte krijuar grupin “Rozafati” dhe gjatë takimeve më kërkoi që të shkonte Angjelina te grupi që ai kishte krijuar. Angjelina ka më shumë se 20 vite që është te grupi “Rozafati” dhe nga ai numri i vogël i nxënësve ajo arriti dhe i bëri 200 nxënës. Fëmijët aty kanë ardhur të vegjël, kanë mësuar të kërcejnë, janë njohur me njëri- tjetrin, janë martuar aty dhe kanë sjellë sërisht fëmijët e tyre te ky grup, pra brezi i dytë. Sot ajo ka 5 shkolla dhe mbi 600 nxënës që ju mëson çdo javë vallen. Tani ajo nuk ka më nevojë për emrin tim, sepse ka vënë emrin e vet.
CMG: Z.Nika para pak kohësh keni marrë pjesë në spektaklin “Këngë Moj” në natën Gjakovare dhe atë Tropojane. Si u ndjetë në këtë spektakël, edhe pse ishte pa publikun në sallë?
Gëzim Nika: Publiku nuk ishte aty, por e ndoqi nëpërmjet televizorit nga shtëpitë. Në këtë spektakël jam ndjerë shumë mirë sepse aty takova këngëtarë shumë të mëdhenj dhe kisha fatin të takoja këngëtarin më të mirë shqiptar që sot unë e vlerësoj. Është këngëtari Aranit Hoxha nga Tropoja i cili ka mbaruar Artet, një djalë shumë i mirë dhe i talentuar, ndaj unë sot mburrem me atë që e kam shumë mik. Unë ndjehem krenar me të sepse unë jam në Amerikë dhe në rast se kam lënë dikë mbrapa, ai është Aranit Hoxha.
Në spektaklin “Këngë Moj” takova dhe shumë këngëtarë të tjerë ku pata fatin që të kem një orkestër shumë të mrekullueshme nën drejtimin e Altin Llakaj, një orkestër shumë e mirë që unë i kam njohur dhe më përpara. Aty kishte këngëtarë shumë të mirë dhe unë në fakt kam ardhur gjithmonë në këto aktivitete, pavarësisht se jam shumë larg, por gjithmonë e kthej kokën prapa dhe jam mes Shqipërisë dhe Amerikës.
CMG: Sa ka ndikuar pandemia në jetën tuaj artistike?
Gëzim Nika: Për ne artistët ishte një goditje shumë e madhe, por e gjithë bota në formën e vet janë të goditur. Ne artistët kemi dhe ato emocionet shpirtërore ndoshta më të mëdha se të tjerët dhe ndoshta shpirtërisht ka ndikuar më shumë. Edhe ekonomikisht ka ndikuar, por mendoj se shpirtërisht ka ndikuar më shumë se te të tjerët.
CMG: Në Amerikë ju jeni vlerësuar me çmime të ndryshme për kontributin tuaj në art. Si jeni ndjerë gjatë marrjes së këtyre vlerësimeve?
Gëzim Nika: Unë atje ndjehem shumë i vlerësuar, ndoshta edhe më shumë se në vendin ku kam linduar. Në Shqipëri jam vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, në Amerikë kam tituj nga shumë organizata dhe bashki të ndryshme. Nuk kam punuar për ato çmime, por ndjehem mirë dhe i vlerësuar.
CMG: Keni ndonjë plan së afërmi për ndonjë koncert recital në Shqipëri?
Gëzim Nika: Unë e kam biseduar disa herë me Aranitin, por që është problem koha si dhe pandemia sepse do e kishim realizuar gjatë kësaj kohe. Besoj se do ta realizoj koncertin tim recital me Teatrin e Operas dhe Baletit sepse aty e gjej vetem më mirë sepse është promovuar arti, folklori, vallja dhe kënga shqiptare dhe aty më takon ta realizoj recitalin.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe adhuruesit tuaj.
Gëzim Nika: Përshëndes të gjithë adhuruesit e mi kudo që ndodhen në botë, duke i uruar mbarësi dhe Zoti i ruajt!
Intervistoi: Gazmend Agaj