Klinsman Llazani është një këngëtar i ri, por tepër i talentuar dhe muzika ku ai identifikohet më shumë është ajo popullore shkodrane. Ai shihet si pasues i këngëtarëve të njohur të muzikës popullore shkodrane, si dhe është shumë pasionant i këngës së vendlindjes së tij. Ka studiuar në Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër në degën Pedagogji Muzikore. Klinsman luan në disa instrumenta dhe në skenë ai është prezantuar dhe si kantautor. Së fundi ka publikuar edhe këngën e njohur shkodrane "Për mu paska ken kismet" të shoqëruar edhe me videoklip. Në një intervistë për CMG Klinsman na tregon për fillimet e tij në muzikë, aktivitetet artistike dhe planet për të ardhmen.
Klinsman Llazana në intervistë për CMG
CMG: Klinsman përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen në emisionin Bio Folk.
Klinsman Llazani: Përshëndetje dhe shumë faleminderit për ftesën. Është kënaqësi me marrë pjesë në këtë emision.
CMG: Na tregoni diçka më shumë rreth fillimeve tuaja në muzikë?
Klinsman Llazani: Muzika ka linduar në trupin tim që në lindjen time, sepse unë që në moshë të vogël kam filluar të merrem me muzikë duke u aktivizuar në këto ambientet familjare. Në moshën 5 vjeçare unë u futa në një konkurs privat me profesor Zef Çobën, të cilin e përshëndes në veçanti sepse unë ja di shumë për nder dhe nuk do e harroj kurrë në jetën time mundin që ai ka bërë për mua. Unë vazhdova studimet me Zef Çobën për afër 10 vjet dhe në moshën 18 vjeçare jam aktivizuar për herë të parë me Ansamblin e qytetit të Shkodrës, me Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci”, ku nga gjithë brezi i vjetër ishim vetëm dy të rinj të aktivizuar në ansambël së bashku me shokun tim Isli Ademin. Që nga ajo ditë unë marr pjesë në çdo aktivitet dhe në repertorin tim kam shumë këngë shkodrane sepse gjithmonë e kam pasur pasion dhe në veshët e mi është kënga popullore shqiptare, jo vetëm ajo shkodrane, por në përgjithësi e gjithë trevave të Shqipërisë. Shumë veta më pyesin sesi i kam mësuar gjithë këto këngë, por as vetë nuk e di se si i kam mësuar. Ndoshta i madhi Zot dikujt i fal talentin që me një të dëgjuar me e mësuar këngën dhe ndoshta këtë talent e kam edhe unë.
Klinsman Llazani me kostum popullor
CMG: Përveç talentit dhe pasionit më vonë ju keni vazhduar dhe studimet në fushën e muzikës.
Klinsman Llazani: Unë kam përfunduar Akademinë e arteve në qytetin e Shkodrës në degën e pedagogjisë muzikore. Arsimin 9 vjeçar dhe atë të mesëm e kisha të përgjithshme dhe nuk është se kisha studiuar për muzikë, por unë dijet për muzikë i kisha marrë nga kurset private që kisha bërë me profesor Zef Çobën, me profesor Nexhat Rexhën në firzarmonikë dhe kuptohet që isha i pregatitur për në Akademinë e Arteve. E fitova konkursin dhe e përfundova Akademinë me rezultate tepër të mira.
CMG: Akademia e Arteve besoj se ju ndihmon me njohuritë e përgjithshme që keni marrë në fushën e muzikës.
Klinsman Llazani: Absolutisht që po, sidomos në muzikën live që bëjmë ne nëpër ambiente familjare, të ndihmon shumë edhe në renditjen e këngëve, pra çdo gjë me qenë si duhet. Pra shkolla të ndihmon shumë.
Klinsman Llazani ne skene
CMG: Ju përveç se keni interpretuar bukur këngët popullore shkodrane, keni krijuar edhe këngë të reja siç janë kënga për Kafen e Madhe, por dhe kënga tjetër “Qefliu”, duke i sjellë bukur si këngë dhe me një muzikë të pastër qytetare.
Klinsman Llazani: Unë e kam pasur gjithmonë qejf me kriju dhe në arkivin tim kam disa këngë të tjera, që unë i kam realizuar sepse artisti në mënyrën më të mirë duhet me e shpreh atë që ndjen në shpirt dhe pastaj ta transmetojë te tjetri me anë të muzikës, dikush me të kënduar, dikush me muzikë dhe dikush mundet që t’i bëjë të dyja. Unë kam arritur që ta shkruaj dhe ta këndoj këngën dhe është kënaqësi kur të tjerët të bëjnë komplimenta për krijimtarinë muzikore.
CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë në realizimin e këngëve tuaja?
Klinsman Llazani: Për këngën “Tuj shetit te Kafja e Madhe” orkestrimin dhe muzikën e kam bërë unë, tekstin e ka shkruar Ramazan Çeka. Këngën e “Qefliut”, teksti është i Armand Trebickës, orkestracioni është realizuar nga Vani Rushiti, ndërsa muzika dhe interpretimi është nga unë. Bashkëpunëtorë të tjerë në qytetin e Shkodrës ku unë realizoj këngët e tjera shkodrane është maestro Andi Unaza dhe maestro Ilir Zoga, që janë ndër muzikantët më të mirë që ka Shkodra. Është kënaqësi shumë të punosh me ata sepse të rrisin vlerat si këngëtar.
Klinsman Llazani gjate nje koncerti
CMG: Si jeni ndjerë këtë periudhë, që nuk ka pasur shumë aktivitete muzikore për arsye të pandemisë?
Klinsman Llazani: Në fakt gjatë periudhës së pandemisë unë kam bërë një koncert ku mblodha katër muzikantët më të mirë të qytetit të Shkodrës dhe realizova diçka live pa public, por me praninë e kamerave që u transmetua live në televizion. Më vonë realizova dy klipe të tjera, kuptohet gjithmonë në kohën e pandemisë. Nuk është se më ka penguar kjo gjë, por thjesht këtë e kam menduar në një pikë tjetër, dhe thosha se njerëzit në këtë periudhë janë para televizorit dhe duhet me investu që meqë ndjekin TV kanë më shumë mundësi të më shikojnë në televizor dhe me të vërtetë që kisha sukses sepse dhe këngët janë klikuar shumë.
CMG: Kohët e fundit keni publikuar një këngë të njohur shkodrane, por që ju e keni sjellë dhe me videoklip dhe është një nga perlat e muzikës shkodrane.
Klinsman Llazani: Unë realizova para pak kohësh këngën “Për mua paska kenë kismet” dhe e realizova me videoklip. Kjo këngë është e shkruar nga Palok Kurti, drejtuesi i parë i orkestrës në Shkodër. Ai ka shkruar për mendimin tim jaren më të bukur “Për mua paska kenë kismet” në vitin 1880. Unë kam një kënaqësi tjetër sepse jam i pari që kam realizuar dhe videoklipin e kësaj kënge të ndërtuar në historinë e këngës, sepse historia është shumë e bukur e kësaj kënge dhe ata që kan qejf me e kuptuar këtë histori munden që të klikojnë te kënga që unë kam publikuar. Kam marrë shumë komplimente për këtë këngë nga gurpi shoqëror por edhe thjesht artdashësve të qytetit të Shkodrës sepse kur shikojnë klipin dhe dëgjojnë muzikën e kuptojnë historinë e kësaj kënge.
Klinsman Llazani me kengetaret Artiola Toska dhe Bujar Qamili
CMG: Përveç këngëve shkodrane, çfarë treve tjetër preferon më tepër të interpretosh qoftë edhe në ambiente familjare?
Klinsman Llazani: Treva ime e preferuar përveç këngëve shkodrane është Shqipëria e mesme që unë e kam shumë qejf sepse nuk ka gëzim familjar në qytetin e Shkodrës që nuk këndohen këngë elbasanase, tiranase apo dhe këngë të qytetit të Kavajës sepse janë këngë shumë të bukura. Preferoj shumë edhe këngët gjakovare të cilat kanë shumë përafërsi me këngët shkodrane, edhe këngët korçare janë shumë të bukura dhe ne i interpretojmë gjithmonë nëpër lokale.
Klinsman Llazani me gurpin muzikor
CMG: Keni ndonjë projekt tjetër artistik së afërmi?
Klinsman Llazani: Shumë shpejt unë do të publikoj dhe tri këngë të tjera me videoklip në një bashkëpunim me këngëtarin e mrekullueshëm të qytetit të Gjakovës, Edi Furra të cilin dua ta përshëndes shumë sepse është një mik tepër i mirë jo vetëm i imi, por i gjithë shkodranëve dhe shqiptarëve. Kemi menduar të realizojmë tre këngë, një këngë shkodrane, një këngë gjakovare dhe kënga tjetër do të jetë pak e hareshme. Këngët i kemi përzgjedhur dhe po i punojmë në studio ku së shpejti do të realizojmë dhe klipet që të jenë gati për tu transmetuar nëpër televizione.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Klinsman Llazani: Përshëndetja ime është për të gjithë dëgjuesit dhe suksese ju për këtë emision radiofonik ku është kënaqësi të marrësh pjesë. Gjithashtu dua tju uroj të gjithë shqiptarëve, shkodranëve në veçanti jetë, shëndet dhe gjithë të mirat.
Intervistoi: Gazmend Agaj