Pas më shumë se një viti nën pushtetin e pandemisë Covid 19 shqiptarët këtë verë kanë zgjedhur të kalojnë pushimet edhe jashtë vendit. A është ruajtur i njejti trend i destinacioneve turistike ? Si paraqiten kufizimet e udhëtimit për shqiptarët që kanë zgjedhur vende të ndryshme për të pushuar ? Në agjencinë turistike Travelbar mësojmë të rejat e këtij sezoni turistik veror dhe zgjedhjet e shqiptarëve për të pushuar, pas një periudhe të vështirë në luftë me pandeminë.
Pamje aeroporti (Bota sot)
Si u bënë rezervimet për pushime këtë vit, duke patur parasysh kufizimet?
“Të pamundur për të lëvizur, ashtu si pothuajse e gjithë bota prej mëse një viti, shqiptarët mezi pritën lehtësimin e kufizimeve të lëvizjes me shtetet e tjera, për të kaluar pushimet e tyre verore.
Me shumë frikë dhe pasiguri, rezervimet këtë rradhë ishin jo në avancë, por iniciativat më së shumti u morën sot për nesër.
Një lehtësi më shumë në këtë aspekt ishin edhe garancia që jepnin kompanitë ajrore për të ndryshuar datat e biletave pa asnjë penalitet, ndërkohë që hotelet kanë qenë më të ngurtë në këtë aspekt.”, shprehet Adriani, drejtues i agjencisë Travelbar
Ndërsa pyetjes sonë se cilat destinacione turistike zgjodhën shqiptarët, ai i përgjigjet:
“Si gjithmonë më së shumti shqiptarët iu drejtuan Antalia, duke patur edhe garancinë dhe sigurinë që Turqia ishte ndër të vetmit vende që nuk u mbyll asnjë moment për shqiptarët.
Vetëm me një tampon dhe pasaportë, Turqia i mirëpriti pushuesit shqiptarë edhe këtë vit në resortet e saj, në Antalia dhe Bodrum.
Shumë më pak, për shkak të heqjes së vonë të kufizimeve dhe për shkak të pasigurisë për azhornim apo ndryshim të masave kufizuese, shqiptarët iu drejtuan sivjet më së pakti Greqisë e aq më pak Italisë, e cila vetëm ditët e fundit ka lehtësuar masat e lëvizjes për pushuesit shqiptarë, të cilët pas paraqitjes së tamponit negativ duhet të karantinohen për 5 ditë....një gjë e pakuptimtë për një turist!
Mali i Zi ka qenë një destinacion i hapur në fillim të sezonit pa asnjë kusht për shqiptarët, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë mundësi qe ofron bregdeti i fqinjëve veriorë.
Gjermania ishte vendi i parë i cili hoqi masat kufizuese për shqiptarët nga vendet e BE-së dhe shqiptarët që duan turizmin kulturor nuk e humbën mundësinë e rradhës”, thotë drejtuesi i Travelbar.
Në një bilanc paraprak si paraqitet numri i turistëve shqiptarë jashtë vendit, krahasuar me dy vitet e kaluara?
“Frika dhe pasiguria kanë sjellë natyrshëm si kudo në botë një numër të ulët në krahasim me verën e vitit 2019 të turistëve që kanë dalë jashtë Shqipërisë për pushime këtë vit, por natyrshëm më shumë se verën e kaluar”, na informon agjencia Travelbar.
Pikat e kalimit kufitar (Portali.net)
Turistët shqiptarë dhe kufizimet e udhëtimeve
Cilat janë kërkesat me të cilat përballen shqiptarët për të udhëtuar jashtë vendit?
Italia
Nga data 1 gusht shtetasit shqiptarë lejohen të udhëtojnë nga Shqipëria drejt Italisë për turizëm (duke bërë 5 ditë vetëkarantinim). Lajmi u bë i ditur nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari, e cila thekson se “që nga data 1 gusht 2021, Shqipëria klasifikohet në listën D, sipas së cilës kushdo që hyn në Itali duke qëndruar ose tranzituar në vendet e listës D, në 14 ditët e mëparshme duhet të plotësojë disa kushte”. Të gjithë shtetasit shqiptarë duhet të paraqesin në momentin e imbarkimit të “Passenger Locator Form”, formularin e vendndodhjes dixhitale të pasagjerëve, në format elektronik, nëpërmjet celularit ose kopje në letër të stampuar. Po ashtu në momentin e imbarkimit të paraqesin certifikatën me rezultat negativ të kryer 72 orë para hyrjes në Itali, të testit molekular ose antigjen. Gjithashtu qëndrimi në vetizolim në besim për pesë ditë në adresën e deklaruar në “Passenger Locator Form” dhe të një testi molekular ose antigjen, kryer nëpërmjet tamponit në fund të vetizolimit në besim.
Greqia
Në njoftimin e autoriteteve zyrtare greke bëhet me dije se turistëve nuk u kërkohet certifikatë vaksinimi, ndonëse kjo e fundit lehtëson procedurat pas mbërritjes. Në njoftim paraqitet lista e vendeve, shtetasit e të cilave nuk bëjnë karantinë pas hyrjes në territorin helen dhe ndër to është dhe Shqipëria.
Para mbërritjes në Greqi turistët duhet të plotësojnë Formularin PLF (“Passenger Locator Form”) dhe dokumentet e pranueshme përfshijnë:
- Një rezultat negativ i testit molekular PCR nga një laborator, i cili duhet të merret deri në 72 orë para hyrjes.
- Një rezultat antigjeni negativ (i shpejtë) i testit nga një laborator, i cili duhet të merret deri në 48 orë para hyrjes.
- Një certifikatë vaksinimi e lëshuar nga një autoritet i certifikuar.
Të gjitha certifikatat duhet të përfshijnë informacionin kritik në anglisht, gjermanisht frëngjisht, italisht, spanjisht, rusisht dhe emri i plotë i personit duhet të përputhet me emrin në pasaportë ose ndonjë dokument tjetër të njohur udhëtimi.
Gjermania
Gjermania ka ndryshuar kushtet e hyrjes në kufijtë e saj për të gjithë udhëtarët shqiptarë, si pasojë e pandemisë së Covid-19. Përmes një mesazhi në “Facebook”, ambasada gjermane në Tiranë iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të njihen me kushtet e reja, duke filluar nga testi për koronavirusin, te dëshmia e vaksinimit ose dëshmia e shërimit nga virusi.Duke nisur nga dita e diel, 1 gusht 2021, Qeveria Federale ka ndryshuar kushtet e hyrjes në Gjermani për të gjithë udhëtarët.
Të gjithë udhëtarët që hynë në Gjermani duhet të paraqesin një test negativ (test PCR jo më herët se 78 orë para hyrjes ose një test antigjen jo më herët se 48 orë përpara hyrjes). Të vaksinuarit plotësisht, apo të shëruarit (të paktën 28 ditë prej shërimit, dhe e shumta gjashtë muaj pas kalimit të infeksionit), të cilët paraqesin një vërtetim përkatës rreth vaksinimit apo shërimit në gjuhën gjermane, angleze, franceze, italiane apo spanjolle, nuk është e nevojshme të paraqesin një test negativ gjatë udhetimit me avion nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Në Gjermani rregullat e karantinës përcaktohen në mënyrë të mëvetësishtme nga landet federale.
Pikat e kalimit kufitar (Portali.net)
Turizmi botëror dhe rregullat e udhëtimit
Viti 2020, i njohur tashmë dhe si viti pandemik, ka qenë viti më i keq për turizmin botëror, gjatë të cilit fluturimet ndërkombëtare ranë me 75 për qind krahasuar me vitin 2019.
Muajt e fundit po shënojnë rritje të udhëtimeve ndërkombëtare, që përkojnë dhe me sezonin veror, kohë kur shumica e njerëzve kthehen në pushues. Në mbarë botën sipas burimeve zyrtare janë kryer 3.7 miliardë doza vaksine, por jo ccdo vend ka hapur dyert për turistët e huaj.
Viza Guide World së cilës i referohet revista shqiptare “Monitor” ka publikuar listën e vaksinave që lejohen të “kalojnë kufijtë”.
Vaksina Astra Zeneca është pranuar gjerësisht nga 119 shtete të botës, duke qenë ndër më të përdorurat e miratuar nga OBSH bashkë më vaksinat Pfizer Biontech, Johnson&Johnson, Moderna dhe dy vaksinat kineze Sinovac dhe Coronavac.
Përfaqësuesja e OBSH-së Mariangela Simao ka deklaruar për “The Economist” se Parlamenti Europian ka rekomanduar që vendet të konsiderojnë pranimin e vaksinave të miratuara për përdorim emergjent nga OBSH. Ende nuk ka të dhëna për pranimin e udhëtarëve që janë vaksinuar me Sinovac, Coronavac dhe rusen Sputnik në vendet e BE-së, ndonëse këto vaksina janë miratuar nga OBSH. Një situatë e ngjashme ndodh dhe me vaksinën indiane Covishield e cila ndonëse është identike me vaksinën Astra Zeneca nuk është pranuar nga vendet e BE-së, ku kjo e fundit është administruar gjerësisht. Për mosnjohjen e vaksinës kineze autoritetet europiane kanë nxjerrë justifikimin se nuk është miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA). Dhjetra vende europiane kanë deklaruar se do ta injorojnë urdhërin e BE-së dhe do të pranojnë vizitorët e vaksinuar me indianen Covieshield.
Industria e udhëtimit paraqitet mjaft kaotike sa i përket njohjes së vaksinave anticovid dhe shqetësohet se kjo do të sjellë rënie të fitimeve. Me sa shihet për shkak të paqartësive në burokracinë që shoqëron udhëtimet edhe viti 2021 do të mbyllet me bilance jo të mira.
Eda Merepeza