Juli Cenko këndon me hijeshi këngën e bukur gjirokastrite, me xhamadanin tradicional, në koncerte, dasma dhe festa. Prej shumë vitesh, bija e Gjirokastrës, Juli Çenko, me shumë fanatizëm e përkushtim, përpiqet të çojë deri në fund amanetin e të parëve të saj, për të mbrojtur dhe kaluar brez pas brezi këngët më të bukura të polifonisë së jugut. Juli në një intervistë për CMG na sjell traditën e bukur të familjes së saj, dashurinë e brezave për polifoninë si dhe na tregon për aktivitetet e saj artistike dhe planet e afërta artistike.
CMG: Faleminderit Juli, për pjesëmarrjen tuaj në emisionin e muzikës popullore Bio Folk.
Juli Çenko: Përshëndetje dhe ju faleminderit për ftesën.
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë në muzikën popullore dhe veçanërisht në atë polifonike. Mund të na tregoni për fillimet tuaja në muzikë?
Juli Çenko: Unë nuk mund ta quaj karrierë, por pasion. Është një pasion që mua më ka lindur dhe jam rritur me këtë pasion, sepse kam lindur dhe jam rritur në një qytet ku gjithë jetën kemi pritur shqiptarët në organizimet e festivaleve folklorike. Unë jam lindur dhe rritur në një familje tradicionale të këngës gjirokastrite dhe mund të them që zanafilla ime ka qenë që kur jam tundur në djep, unë jam tundur me këngë dhe jam rritur me këngë.
CMG: Si fillim e keni nisur me polifoni rrugën tuaj të muzikës?
Juli Çenko: Unë për herë të parë në jetën time kam dëgjuar polifoni sepse ajo këndohej në familjen tonë. Dua të përmend pak që kam pasur gjyshin këngëtar në një nga grupet më të bukura dhe më historike që kanë lënë emër në historinë e polifonisë gjirokastrite, me grupin e Xhevat Avdallit ku gjyshi im ka qenë pjesëtar. Gjyshi ka qenë si profesor, duke qenë se ishim familje e madhe me shtatë djem, ku i madhi ka qenë babai im. Mblidheshin të gjithë e këndonin jo vetëm nëpër festa apo gëzime, por dhe duke luajtur domino në avllitë gjirokastrite. Aty patjetër do kishte këngë dhe detyrimisht doja apo nuk doja unë isha aty dhe ishte e pamundur të mos këndoja këngë polifonike.
Juli Cenko gjate nje emisioni televiziv
CMG: Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?
Juli Çenko: Unë në skenë kam dalë që në klasën e parë fillore dhe aty më dëgjoi një muzikant gjirokastrit, Haxhi Selfo që na jepte orën e muzikës, i cili dalloi te unë talentin e këngës dhe më zgjodhi për të kënduar në festivalet e pionerëve që organizoheshin në Gjirokastër. Unë shkoja te rrethi i këngës polifonike sepse ne atëhere kishim edhe rrethin e pikturës apo teatrit në pallatin e pionerëve. Ne ishim disa djem dhe vajza që formuam një grup dhe unë mbeta aty dhe nuk doja të shkoja më që të aktivizohesha me këngën e lehtë, sepse unë e kisha dhe në familje këngën polifonike.
CMG: Rreth viteve 90-të ju u larguat për në Greqi. Edhe atje u aktivizuat me këngën popullore?
Juli Çenko: Në atë periudhë si të gjithë shqiptarët edhe ne u larguam për një jetë më të mire, ku me familjen time jetuam në Greqi për shumë vite. Për fatin tonë të mirë ndonëse ne vërtetë ishim larg nga Shqipëria, aty kemi kënduar shumë. Madje më shumë se asnjëherë tjetër sepse kishim mallin dhe organizonim ditëlindje, festa, dasma, pagëzime, por dhe thjesht këndonim me njerëzit tanë të afërm që kishim aty. Kështu që polifonia nuk ka ndaluar tek neve as në emirgim.
CMG: Vite më vonë ju filluat të këndoni dhe këngë popullore qytetare të jugut. Ishin kërkesat e tregut muzikor që ju nisët të këndonit këto këngë?
Juli Çenko: Duke jetuar andej dhe duke dëgjuar se çfarë bëhej në Shqipëri, vazhdimisht shikoja në kanalin e muzikës popullore shumë këngëtarë që këndonin dhe kuptohet që më lindi dëshira e madhe që unë të riaktivizohesha sepse nuk mund të prisja më. Në Athinë ku unë jetoja kam bërë këngën e parë “S’duroj dot moj Gjirokastër” të cilën e realizova në Greqi dhe xhirimet e videoklipit kam ardhur dhe i kam bërë në Gjirokastër. Ky ishte hapi i parë që unë u futa në rrymën e turbofolkut, pastaj që andej vijuan këngët e tjera njëra pas tjetrës, sepse edhe të doja unë nuk shkëputesha dot sepse më kërkonte publiku që të dëgjonte këngë nga unë.
CMG: Kënga e parë që ju realizuat pas shkëputjes nga muzika si u prit nga publiku?
Juli Çenko: Kënga e parë ka mbetur hit sepse ishte një këngë që përmbante mall, nostalgji dhe dashuri për vendlindjen time dhe e kam marrë si ide nga kënga e vjetër që është kënduar dikur dhe është quajtur kënga e ushtarit. Unë mora një pjesë të kësaj kënge dhe thashë s’duroj dot moj Gjirokastër, sepse dhe unë isha në mërgim, kuptohet që e zgjerova pak tekstin.
Juli Cenko ne Gjirokaster
CMG: Gjirokastra është e dashur për të gjithë shqiptarët, një qytet me tradita dhe këngë të bukura, gjithashtu dhe kostumet e bukura. Jeni krenare si artiste që i përkisni atij qyteti?
Juli Çenko: Jam shumë krenare jo vetëm unë si artiste që e këndoj këngën, por të gjithë gjirokastritët janë krenarë dhe kuptohet duhet ta marrim pak si modesti këtë, nuk e them për mendjemadhësi, por është një krenari e madhe sepse nga Gjirokastra kanë dalë yje, kanë dalë dijetarë, artistë, këngëtarë, valltarë. Aty gërshetohet bukuria e atij qyteti që është i rrallë me ato rrugët dhe shtëpitë e ndërtuara, të gjitha këto janë të gërshetuara me artin dhe kulturën, me mikëpritjen dhe kostumet si dhe këngët që ne i kemi të shumëllojshme.
CMG: Shpeshherë në skenë ju shohim të veshur me kostumin e bukur të Lunxhërisë. Çfarë emocioni përjetoni kur e vishni këngën me kostumin popullor?
Juli Çenko: Unë kam marrë pjesë në vitin 1983 në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në ceremonialin e lindjes së djalit ku kam kënduar një varg “çfarë emri t’i vemë djalit moj neon?” dhe kjo për mua do jetë dita më e bukur e jetës time që unë kam kënduar dhe jam ngjitur në skenë me këngëtarë të mëdhenj siç kisha Xhevad Avdallin në krah. Pasi fituam çmimin e parë kemi ardhur në Tiranë ku kënduam me numrat e zgjedhur dhe mua që atëherë më merrnin në intervista edhe pse isha e vogël. Që atëherë unë kam fiksuar kostumin e bukur të krahinës së Lunxhërisë sepse e jetova festivalin, ishin ditë dhe muaj që ne bënim prova dhe ëndërroja që një ditë të vishja dhe unë këtë kostum.
CMG: Ju keni publikuar shumë këngë popullore që janë hite sot. Cilën nga këto këngë do të veçonit si më të dashurën?
Juli Cenko me kengetarin Arian Shehu
Juli Çenko: Unë i kam të gjitha këngët e dashura dhe jam munduar që të bëj këngë që mos të jenë të mërzitshme, por të jenë të dashura dhe të mirëpritura te populli. Për fatin tim të mirë të gjitha këngët janë mirëpritur siç thashë “S’duroj dot moj Gjirokastër”, “Çupa për babain le kokën” me të cilën shumë nuse priten dhe përcillen nëpër dasma dhe më vjen dhe keq që shumica qajnë, sepse është shumë prekëse sepse i këndohet babait dhe vajzës. Janë dhe këngët e tjera si kolazhi gjirokastrit shumë i bukur dhe unë jam e lumtur që ai këndohet nga të gjithë këngëtarët në dasma e gëzime. Vlen për t’u përmenduar dhe këto këngët e fundit që kam bërë të cilat janë të suksesshme. Së fundi kam bërë një këngë që ja kam dedikuar prindërve të mi të cilët më dhanë jetën, më trashëguan këngën, ata janë udhërrëfyesit e mi dhe unë i kam kushtuar këngë familjes time, jetës time, qytetit si dhe lagjies ku jam rritur. Kjo këngë titullohet “Vajzë ku je rritur”, kjo është pikërisht për mua dhe për të gjitha vajzat gjirokastrite.
CMG: Vazhdoni ta doni polifoninë si në fillimet tuaja në muzkë?
Juli Çenko: Me kënaqësinë më të madhe unë përveç këngës turbofolk që është quajtur në Shqipëri, jam rikthyer në këngën polifonike dhe aktivizohem me grupin Ergjeria të Gjirokastrës, me këngëtarin Arian Shehu, i cili është pjesëtar i familjes tone. Bashkëpunimet e fundit i kam pasur me Arianin dhe është kënaqësi dhe krenari sepse është një korife i këngës polifonike gjirokastrite. Aktivizohem me këngën popifonike sepse është ëndrra ime dhe ajo që mua më ka rritur.
Juli Cenko me kostum popullor
CMG: Keni marrë pjesë në disa aktivitet të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Dhe këtu më këngë polifonike jeni paraqitur?
Juli Çenko: Kur kam qenë e vogël unë vazhdimisht kam dëgjuar Irini Qirjakon dhe të tjerë këngëtarë në atë kohë ku i shikoja me ato kostumet popullore i admiroja dhe ëndërroja se a do të jem ndonjëherë dhe unë në këtë ansambël që të përfaqësoj shtetin shqiptar dhe këngën polifonike. Për fatin tim të mirë kam filluar dhe aktivizohem me ansamblin e shtetit, kuptohet për këngën polifonike dhe unë jam shumë e lumtur për këtë.
Juli Cenko duke interpretuar
CMG: Pandemia ka ndikuar për keq apo për mirë tek ju si këngëtare?
Juli Çenko: Ndoshta do befasoheni pak, por në kohën e pandemisë unë kam qenë shumë e aktivizuar, ndërkohë që neve të gjithë ishim të izoluar, unë në atë kohë punoja shumë për tekstin e këngës sime të re që duhet të nxirrja. Dy muaj rresht jam marrë vetëm me tekstin dhe direkt sa u hapën gjërat unë fillova këngën së bashku me Arian Shehun ku realizuam një kolazh dhe pastaj vijoi dhe kënga tjetër. Pra ne nuk kishim aktivitete gjatë kësaj periudhe të vështirë, por unë kam qenë shumë e aktivizuar dhe kam publikuar dy këngë. Gjithashtu kam qenë e angazhuar edhe nëpër intervista në emisione televizive apo dhe sebepe që kemi pasur në Gjirokastër.
CMG: Sa ju mungon Gjirokastra tani që jetoni në Tiranë dhe a shkoni shpesh atje?
Juli Çenko: Gjirokastra do më mungojë gjithë jetën mua dhe të gjithë atyre që kanë lindur në atë qytet dhe tani janë këtu në Tiranë apo në mërgim. Unë shkoj shpesh sepse kam prindërit aty. Më ka munguar edhe kur isha në Greqi, por tani kam pak fatin e mirë që jam afër dhe shkoj shpesh sepse aty kam dhe grupin Ergjeria ku shkoj dhe aktivizohemi. Janë shumë gjëra që më lidhin me Gjirokastrën, unë shpirtin e kam dhe do ta kem aty.
Juli Cenko ne interviste per CMG
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Juli Çanko: Në radhë të parë unë dua t’i falenderoj të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, të gjithë ata dashamirës të këngës popullore që mua më kanë bërë shumë të lumtur me mbështetjen dhe respektin e tyre. Pa vlerësimin e popullit unë nuk do isha asgjë, kjo më ka dhënë kurajo që unë të vazhdoj akoma dhe mos të ndaloj. Unë dua t’i përshëndes dhe t’u jap fjalën që unë sa të kem mundësi, sa të rroj dhe të jem e gëzuar, do t’i lumturoj të gjithë shqiptarët me këngët e mia.
Intervistoi: Gazmend Agaj