Adrian Demiri është një nga klarinetistët virtuozë të folkut shqiptar, i cili ka shoqëruar me instrumentin e tij këngëtarët më të njohur të muzikës popullore si dhe ka realizuar mjaft orkestrale të trevave të jugut dhe Shqipërisë së mesme. Ka punuar prej disa vitesh si klarinetist i parë në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, duke marrë pjesë në shumë koncerte si brenda dhe jashtë vendit. Në një intervistë për CMG ai na tregon për jetën e tij artistike
CMG: Ju falenderoj që jeni i pranishëm në Bio Folk.
Adrian Demiri: Faleminderit shumë dhe në radhë të parë të përgëzoj për këtë iniciativë që keni marrë për të promovuar vlerat e folkut, duke ftuar këngëtarë dhe intrumentisë në Bio Folk.
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë artistike, ku me instrumentin e klarinetës keni shoqëruar shumë këngëtarë të muzikës popullore. Besoj se pasionin për këtë instrument e keni pasur që i vogël.
Adrian Demiri: Në fillim unë kam studiuar në një shkollë muzike dhe që në klasë të pestë kam bërë muzikë me një profesor të klarinetës. Më vonë kam shkuar në pallatin e pionerëve ku kam qenë në orkestër dhe organizoheshin festivale nëpër rrethet e Shqipërisë. Pra, që i vogël e kam pasur pasion klarinetën.
CMG: Ju keni luajtur edhe me të mëdhenjtë e klarinetës si Remzi Lela dhe Hekuran Xhambazi. Cili është vlerësimi juaj për këto instrumentistë virtuozë të folkut shqiptar?
Adrian Demiri: Unë kam punuar me Remzi Lelën në Ansamblin Tirana, diku nga vitet 1983 deri në vitin 1988. Remzi Lela ka qenë klarinetist në nivele shumë të larta për muzikën e jugut dhe të Shqipërisë së mesme. Të gjithë e dinë ç’ka bërë dhe luajtur Remziu. Së bashku kemi luajtur një orkestrale edhe në festivalin folklorik të Gjirokastrës në vitin 1988. Ndërsa me Hekuran Xhambazin kam një lidhje miqësore dhe sinqerisht e kam ndjekur shumë Hekuranin sepse ka qenë dhe mbetet një klarinetist virtuoz që të them të drejtën ka ndryshuar të gjithë stilin e klarinetës. Për mua ka qenë një kënaqësi që kam luajtur me të mëdhenjtë e klarinetës.
CMG: Duke dëgjuar pjesët tuaja orkestrale vihet re që përveçse Shqipërinë e mesme po aq bukur luani edhe në muzikën e jugut. Janë të dyja këto treva që ju pëlqen të luani në klarinetë?
Adrian Demiri: Unë me origjinë jam korçar dhe lindur këtu në Tiranë. Dua të them që jugu është një muzikë që luhet me shpirt, ka diçka të brendshme, me thënë të drejtën është e vështirë të luhet muzika e jugut. Edhe Shqipërinë e mesme e kam luajtur sepse kam jetur këtu dhe kjo trevë ka modalitetet e veta si muzikë, por jugu ka disa gjëra të bukura siç janë “Vallja e 40 trimave”, të cilën e kam luajtur në ansambël dhe është kërcyer nga valltari Rexhep Çeliku. Është një kryevepër! Janë disa orkestrale si “Gjeneral gramafoni” e cila është një perlë, por edhe valle të tjera popullore.
CMG: Ju keni punuar për disa vite si instrumentist në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Adrian Demiri: Unë kam filluar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1992, ku kam luajtur si klarinetist i parë aty sepse nuk kishte klarinetist tjetër. Unë i kam luajtur të gjitha vallet si dhe kam shoqëruar këngëtarët e trevave të ndryshme si Irini Qirjako, Hysni Zela dhe shumë këngëtarë, që vinin nga rrethet dhe bënin recitale. Unë mora shumë aty në ansambël, por edhe dhashë sepse kam luajtur valle të ndryshme, të cilat i kam prodhuar vetë si valle. Pra ishte diçka e mirë në ato vite që kam punuar atje.
CMG: Keni shoqëruar në klarinetë edhe shumë këngëtarë të njohur të këngës popullore nga të gjitha trevat.
Adrian Demiri: Është e vërtetë që kam shoqëruar këngëtarët më të mirë si Irini Qirjako, Eli Fara, Merita Halili, Hysni Zela, Bujar Qamili Liri Rasha, pothuajse të gjithë këngëtarët e Shqipërisë së mesme, të jugut dhe të veriut, kam shoqëruar dhe artistin e madh Bik Ndoja.
CMG: Sa ka ndikuar periudha e pandemisë në jetën tuaj artistike?
Adrian Demiri: Periudha e pandemisë ka qenë një kohë e keqe për muzikantët, sepse u mbyllëm dhe nuk kishim ku të shprehnim ndjenjat tona muzikore. Por duke ndenjur në shtëpi kemi punuar, sepse unë nuk mund ta lë klarinetën asnjëherë. Çdo ditë unë i bie klarinetës në shtëpi, madje kam regjistruar nga celulari dhe i kam hedhur në Facebook, vetëm për të qenë në kontakt me adhuruesit e muzikës sime. Kjo periudhë ka qenë e sikletshme pa publikun, sepse ne të gjithë jemi njësh me publikun.
CMG: Mendoni se ka klarinetistë të rinj që e duan dhe e luajnë muzikën popullore tradicionale?
Adrian Demiri: Kanë dalë shumë klarinetistë dhe ka djem të rinj që punojnë dhe janë instrumentistë shumë të mirë, por që dua të them se duhet të jenë më në taban të muzikës shqiptare. Unë kam edhe djalin tim klarinetist, Eraldin dhe them se do ia le trashëgimi klarinetën atij.
CMG: Eraldi e kishte vetë pasion klarinetën, apo e nxitët ju në këtë drejtim?
Adrian Demiri: Eraldi e kishte shumë pasion klarinetën, punon edhe saksin. Ka qenë nëpër koncerte dhe festivale folklorike përpara pandemisë dhe ka lëvizur në disa shtete të Europës me grupet folklorike. Ai e ka pasion dhe gjithmonë më pyet mua se si ta luaj këtë pjesë, ndërsa unë i them që të qëndroi në tabanin popullor.
CMG: Sa kohë i kushtoni klarinetës në ditë?
Adrian Demiri: Unë pothuajse një ose dy orë duhet t’i bie klarinetës që të jem në formë. Është artikulacioni i gishtave, bukatura dhe duhet me e mbajt në formë, sepse nëse e le edhe ajo të le. Po nuk punove dhe studiove ai zanat të le.
CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi?
Adrian Demiri: Gjatë pandemisë unë kam realizuar një album me shtatë materiale të Shqipërisë së mesme, kurse tani jam duke regjistruar një material tjetër, një valle e bërë në ansamblin e shtetit dhe unë e kam kthyer në orkestrale dhe po e regjistroj në studio. Kjo valle është kërcyer nga Liliana Cingu dhe Rexhep Çeliku më përpara.
CMG: Keni marrë pjesë në shumë koncerte jashtë vendit. Si ju ka pritur pubiku në këto turne?
Adrian Demiri: Unë kam qenë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve pothuajse në 17 vende të botës si Gjermani, Amerikë, Kanada, Turqi, Greqi dhe shumë vende të tjera ku kemi luajtur dhe jemi pritur shumë mirë. Dihet që ansambli pritet shumë mire, por unë jam pritur mirë dhe me orkestralet që kam luajtur, sidomos kabatë e jugut i kishin shumë qejf. “Gjeneral gramafoni” është një perlë për klarinetistët nëse e luan në atë mënyrë që të jesh brenda karakterit dhe me të vërtetë që kjo kaba është pritur shumë mirë nga publiku jashtë vendit.
CMG: Preferohen më tepër kabatë e jugut, apo orkestralet e gëzuara të Shqipërisë së mesme?
Adrian Demiri: Orkestralet e Shqipërisë së mesme janë të gëzuara dhe teknikisht shumë të mira, por kabaja dhe jugu ka diçka të brendshme, nëse ti nuk e ndjen që ta luash dhe interpretosh, nuk e bën dot. Kabaja dhe muzika e jugut ka vlera shumë.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk.
Adrian Demiri: Unë i përshëndes të gjithë muzikantët, artistët duke ju uruar që të kenë një kohë të mirë sivjet pas kësaj pandemie dhe uroj që të jenë me muzikë dhe këngë shqip.
Intervistoi: Gazmend Agaj