Ermira Babaliu duke interpretuar ne skene
Këngëtarja e mirënjohur Ermira Babaliu ka një karrierë të gjatë artistike. Ajo gjatë viteve të shkollës u angazhua në grupet artistike, por edhe pranë Shtëpisë së Kulturës, ku u dallua për zërin e saj melodioz e të veçantë e që shumë shpejt u dallua nga këngëtarët e tjerë. Ermira u aktivizua pranë Estradës së Pogradecit , ku mori pjesë në variete, si dhe në turne të ndryshme brenda dhe jashtë rrethit. Ajo mori pjesë në Festivalin e Parë të Këngës në Pogradec, ku u nderua me Çmimin e parë me këngën “Erdhi pranvera”.
Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës në Degën Filozofi. Në festivalet e këngës në RTSH, Ermira Babaliu është vlerësuar dy herë rresht me çmime të treta, Festivali i 25-të dhe i 26-të, me këngët “Emri më i bukur njeri” dhe “Mbrëmja që mban dashurinë time”. Me çmim ajo është vlerësuar dhe me këngën “E njejta ëndërr”. Më pas është shfaqur në publik sidomos nëpërmjet serenatave korçare, të bëra mjaft popullore dhe që ia shtuan adhurimin dhe famën. Edhe pse e larguar prej vitesh nga vendi, Ermira Babaliu është rikthyer me buzëqeshjen e saj, e cila ka mbetur po ajo buzëqeshje e disa viteve më parë. Ndaj për të mësuar diçka më shumë rreth aktivitetit të këngëtares së serenatave, por dhe muzikës popullore të juglindjes, këngëve të bukura pogradecare dhe kolonjare kemi realizuar një intervistë për CMG.
Ermira Babaliu ne interviste per CMG
CMG: Znj.Babaliu kënaqësi që të kemi të ftuar në “Bio Folk”
Ermira Babaliu: Kënaqësia është e imja dhe faleminderit për ftesën Gazi, e vlerësoj.
CMG: Ju jeni një artiste me një karrierë të gjatë muzikore dhe keni kënduar të gjitha zhanret e muzikës. E keni nisur karrierën me muzikën e lehtë, popullore apo serenatat?
Ermira Babaliu: Këtë gjë nuk e kam treguar më parë për çudi. Unë kam filluar të këndoj në shkollë të mesme, dhe këtë e kam thënë, me gallatën e asaj moshe ku me disa shoqe vendosëm një bast që unë këndoj apo nuk këndoj dhe atëhere ishte festivali i zërave të rinj të shkollës. Mësuesja e fiskulturës dhe mësuesi i matematikës gjithmonë më thoshin pse nuk këndoja sepse ma kishin dëgjuar zërin në ekskursione dhe shoqet, që gjithashtu më thonin këndo. Dhe kështu e kam nisur dhe kam kënduar këngën e Fatma Zyberit, pra e kam filluar me muzikën e lehtë. Në fakt unë i pëlqej të gjitha zhanret, më pëlqen shumë kënga popullore, serenatat sigurisht por dhe kënga e lehtë. Mua më rri më mirë serenta dhe muzika e lehtë. Ndërkohë që më pëlqen shumë dhe muzika popullore.
CMG: Serenatat ju i keni kënduar e para pas viteve 90-të, edhe pse ishin të panjohura
Ermira Babaliu: Serenatat kanë qenë të panjohura për pjesën tjetër jashtë Korçës sepse Pogadeci, Korça dhe këto djemtë e liqenit i kanë kënduar nëpër tavolina dhe me shoqëri. Në atë kohë kemi parasysh që këto ishin këngë paksa të avancuara sepse flitej për dashurinë dhe nuk kishin arritur të konsolidonin veten e tyre në skenë dhe televizion. Kështu që unë tani e them me kënaqësi si kontribut të cilin e kam bërë me shumë dashuri për ta ngritur atë lloj kënge në skenë dhe për ta njohur jo vetëm Korça, por e gjithë Shqipëria. Ato vërtet ishin këngë shumë të njohura dhe në atë kohë unë u përpoqa, madje edhe shpenzova për të prodhuar CD. Atëhere ishin kaseta dhe kam publikuar kasetën e parë private me serenata, menjëherë pas vitit 1990.
Ermira Babaliu
CMG: Kur jeni e ftuar nëpër festa dhe gëzime familjare, kë këndoni më shpesh serenatat apo muzikën popullore?
Ermira Babaliu: Në fakt unë i këndoj të gjitha sepse bëhet fjalë që unë ftohem në pjesën më të madhe të kohës për të kënduar, përveç këtij viti të trishtë, këndoj në dasmat e shqiptarëve në gjithë Amerikën. Kam shkuar dhe në Australi por punën si të thuash e kam në Amerikë dhe atje automatikisht dhe sikur mos të doje të këndoje këngë të tjera në një farë mënyre je i detyruar të këndosh nga të gjitha trevat sepse ka dasma korçare dhe shkodrane, pra është vetë mënyra se si është ndërtuar komuniteti heterogjen. Kjo ka dhe të mirën e vet dhe detyrohesh figurativisht të këndosh edhe këngën e Shkodrës, të cilën unë e di por e kam mësuar me repertor jo shumë të vogël, kështu që jam e lumtur që e them këtë që i këndoj të gjitha me qejf.
CMG: Ju jeni një nga përfaqësueset e denja të muzikës popullore të juglindjes dhe sidomos të këngëve popullore pogradecare, që i këndoni me aq dashuri.
Ermira Babaliu: Unë i këndoj edhe këngët popullore të Kolonjës, sepse kam punuar me Aleks Xhelilin të cilin e falenderoj dhe është klarinetist shumë i mirë. Gjithësej kam 7 CD ose 7 prodhime dhe midis atyre dy janë me këngë popullore dhe pjesa tjetër janë të gjitha serenata. E dua shumë dhe këngën popullore.
Ermira Babaliu
CMG: Keni gati 25 vite që jeni larguar nga Shqipëria dhe jetoni në Amerikë. Kjo gjë ju ka larguar nga skena dhe aktivitetet këtu në Shqipëri?
Ermira Babaliu: E vërteta është që unë kam qenë e ftuar dhe dua t’i falenderoj dhe gjithë miqtë e mi, drejtues dhe producentë që nuk kanë nguruar të më ftojnë, por vetë largësia e para dhe me të thënë të drejtën unë kam një parim që vjen një moment që njeriu mund të kapë një kulm dhe pastaj mund të ngadalësohet sepse nuk prish punë dhe sikur të dalë apo mos të dalë ndonjëherë. Jo vetëm për shkak të largësisë, por dhe për arsye të mungesës së interesit ose si të thuash të devijimit të momentit për të bërë gjëra të tjera, më ka larguar sadopak në një pjesë të kohës, por që ndërkohë në një pjesë të aktiviteteve kam qenë prezente.
CMG: Gjithë globi po vuan prej më shumë se një vit nga pandemia. Sa ju ka penguar kjo gjë në jetën artistike?
Ermira Babaliu: Unë jam përpjekur që t’i përshtatem në përgjithësi të gjitha llojeve të problemeve që kalon njeriu. Kam qenë gati për çdo lloj gjëje por jo këtë, dhe në kohën kur në rrjetet sociale unë kam qenë nga të parat që bëja statuse ose ndonjë këngë live, në momentin që u bënë rrjetet sociale e vetmja mënyrë komunikimi ose krijimi, ja u lashë të tjerëve kësaj radhe dhe pothuajse nuk u duka fare.
CMG: Ju keni dhënë dhe një kontribut të madh për fatkeqësinë e tërmetit në Shqipëri, duke sjellë ndihma nga Amerika për të dëmtuarit nga tërmeti.
Ermira Babaliu: Unë kam një parim, siç mund ta kenë dhe shumë të tjerë, që nëse bota nuk është në rregull, unë s’jam në rregull. Kuptohet që në atë lloj fatkeqësie të madhe vrava mendjen se çfarë mund të bëja me një ndihmë të vogël modeste. Në një koncert që u zhvillua për festën e 29 Nëntorit, përveç lekëve që u mblodhën unë i propozova sponsorit të aktivitetit Ilir Beshirit, të cilin e falenderoj pafund, që për festën e Vitit të ri ku do këndoja mos të merrja asgjë. I i thashë se unë vendos 1500 dollarë dhe ai të vendoste pak më shumë dhe të blinim një kontenier me ndihma dhe t’i dërgonim për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Unë jam e lumtur që i solla ato ndihma dhe mbeta miq me ata njerëz që ndryshuan sadopak ato ditët e errëta të asaj kohe.
Ermira Babaliu ne skene
CMG: Kur jeni në Amerikën e largët ju merr malli për vendlindjen, sepse kam vënë re që shkoni shpesh në Pogradec?
Ermira Babaliu: Për kohën që ka ardhur dhe dalja e rrjeteve sociale, në njëfarë mase sa herë na merr malli flasim me miqtë dhe njerëzit e afërt, por të njëjtën gjë bëj edhe me Korçën sepse unë i dua të dy qytetet dhe nuk i ndaj dot Korçën dhe Pogradecin. Unë vazhdoj ta them që kam lindur në Korçë dhe e dua njëlloj Korçën dhe më merr malli si për Korçën ashtu dhe Pogradecin. Unë me të thënë të drejtën nuk rri pa ardhur dy herë në vit përveç se vjet, dukem apo nuk dukem në televizion më shumë ja dedikoj kohën Korçës, Pogrdadecit dhe miqve, sesa medias.
CMG: Keni në plan së afërmi për ndonjë koncert recital këtu në Shqipëri?
Ermira Babaliu: Do kisha shumë dëshirë që ta bëja, kam patur shumë shpejt një ide të kësaj natyre dhe do të ishte e bukur nëse do të mund ta realizoja. Padyshim që e kam dhe zërin mirë edhe do ishte kënaqësi ta bëja në qoftë se do të kishte ndonjë projekt. Unë kam ndenjur larg në përgjithësi projekteve, por kësaj here do përpiqem ta bëj sepse e kam dëshirë ngaqë mendoj se nuk kam shumë kohë për të pritur.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Ermira Babaliu: Do ju uroja suksese të pandalura dhe është një nga kontributet më të bukura që i bëhet artit dhe kulturës shqiptare, për të reklamuar ato vlera reale të cilat ne i kemi. Të falenderoj shumë ty dhe radion tuaj që bën këtë punë sepse këto janë kontributet që na duhen sot, për të futur në shina atë lloj devijimi që mori muzika. Nëse do të kemi mundësi të bëhemi tre, pesë apo dhjetë veta që të mbrojmë muzikën, atë që ishte dhe atë që do të krijohet dhe ta lemë të bukur për brezat që do vijnë.
Intervistoi: Gazmend Agaj