Në “Festivalin e Resë” që po vijon në Tiranë, një pjesë e këtij eventi iu kushtua edhe letërsisë. Autorja Adriatike Lami erdhi në një mbrëmje poetike me titullin “Tango Vere” me moderimin e Flutura Açkës dhe leximet autoriale të aktorit Vasjan Lami.
Më pas, mbrëmja e këtij festivali ka vijuar me interpretimin e kantautores nga Kosova Agona Shporta. E shoqëruar nën tingujt e organos që luante vetë, këngëtarja solli për puplikun një pjesë të repertorit të saj muzikor. Rryma që ajo lëvron është tepër e veçantë. Artistja gërsheton melodi, gjuhën e improvizimeve, me një përvojë audio-vizuale.
Mes Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, Indisë e jazz-it të standardeve amerikane, muzika e Agonës solli një kombinim të pasur dhe shumëllojshëm të tingujve dhe kulturave, përmes një zëri dhe interpretimi autentik.
Zbulohet varri monumental në Parkun Arkeologjik të Amantias
Në parkun antik të Amantias, në Vlorë, kanë përfunduar gërmimet arkeologjike të shpëtimit të varrit monumental në varrezën antike.
Arkeologët punuan intensivisht për dy muaj derisa zbuluan plotësisht këtë varr monumental që mendohet se i përket shekullit të tretë para lindjes së Krishtit. Gërmimet u kryen në pjesën në pjesën juglindore të parkut arkeologjik të Amantias.
Varri, i mbuluar me qemer është një ndër ekzemplarët e rrallë që i ruan thuajse të gjithë elementët arkitektonik. Përmasat e mëdha, veçoritë e ndërtimit i bëjnë arkeologët të mendojnë se i përket ndonjë personi të pushtetshëm që ka pasur kontribut në zhvillimin e qytetit.
Varri monumental dy mijë vjeçar është një xhevahir i shtuar në parkun antik dhe së shpejti do t'i nënshtrohet restaurimit të plotë, për t'u vënë në funksion jo vetëm të historianëve por dhe të të turistëve, sidomos atyre që janë të fokusuar tek turizmi kulturor.
Akademia e Shkencave konferencë për dramaturgun-poet Etëhem Haxhiademi
Është mbajtur paralelisht në dy mjedise, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në sallën “Aleks Buda” dhe tek Libri Akademik, Konferenca shkencore: “Dramaturgu-poet Etëhem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare dhe gjuhësore”.
Konferenca u zhvillua në bashkëpunim me Institutin e gjuhësisë dhe letërsisë, departamenti i studimeve letrare.
Me rastin e kësaj konference u ekspozuan edhe variantet e botimit të veprave e shqipërimeve të E. Haxhiademit (9 vëllime): nga më të hershmet në ato të ditëve tona, përgatitur nga botimet “Poeteka”.
Etëhem Haxhiademi ishte një nga shkrimtarët që u dënua në mënyrë të dyfishtë nga regjimi komunist, jo vetëm me persekutim e burgosje, por edhe me shuarje të emrit dhe veprës së tij.
Gjatë kësaj konference, sipas një programi me tematika të pasura, figura e Etëhem Haxhiademit u ndriçua për herë të parë e plotë si krijues, si personalitet dhe si themeltar i traditës së dramaturgjisë shqiptare, por edhe si një nga intelektualët më të përparuar të kohës në formimin e tij ideoestetik.
Arti përmes syrit të 10 artistëve të rinj në Kalanë e Tiranës
Në Kalanë e Tiranës është çelur ekspozita Hapësira që na rrethon, "Arti përmes vështrimit të të rinjve".
Ky projekt, është kuruar nga Artan Shabani, i mbështetur nga Instituti i Politikave të Qëndrueshme dhe Ministria e Kulturës.
Në këtë ekspozitë kanë marrë pjesë 10 artistë të rinj: Benard Lekgegaj, Ajet Halili, Albi Yzo, Entela Ahmetliaj, Ardit Boriçi, Erolda Çela, Denis Golgota, Joan Kapo, Edjola Mavriqi dhe Ersa Kana.
Këto vepra janë realizuar dhe riinterpretuar nga vetë artistët pas mbajtjes pezull, për shkak të pandemisë Covid-19.
Kuratori Artan Shabani thotë se ndarja dhe largësia e detyruar ka qenë mbytëse veçanërisht për artistët. Kjo ekspozitë propozohet përmes një formati të kryqëzuar, në internet dhe në një hapësirë ekspozite në Tiranë, duke mbledhur bashkë dhjetë veprat e realizuara nga artistët e ftuar.
Çelet ekspozita “thesare nga biblioteka e arkivit”
Të fshehura për vite me radhë për sytë e publikut , 15 antikuarë që ruhen në Arkivën Qëndrorë të Shtetit janë shfaqur këtë herë në ekspozitën” Thesare nga Biblioteka e Arkivit” në Kalanë e Tiranës. Bëhet fjalë për vepra të shenjta, fjalorë disa gjuhësh dhe vepra artistike që datojnë nga viti 1860 deri në fund të shek XIX
Për Ministren e Kulturës Elva Margariti ekspozita të tilla, janë një vlerë e shtuar dhe një mundësi e mirë për të qenë më afër studiueve, nxënësve dhe të gjithë të interesuarve.
Drejtor i Arkivave, Ardit Bido i konsideroi këto antikuarë një pasuri të rrallë të kombit tonë.
“Këto antikuarë janë një pasuri e rrallë e kombit tonë e cila ka qenë e fshehur nga sytë e publikut për vite të tëra. Prej një viti, kushdo që dëshiron të shikojë libra të rrallë si këto që nuk i gjen dot as në Bibliotekën Kombëtare e ka të mundur të vijë në bibliotekën e arkivit dhe t’i studiojë ato", tha ai.
Nis në Durrës “Festivali Folklorik Ballkanik”
Në ambientet e sheshit “Liria” nisi në qytetin e Durrësit “Festivali Folklorik Ballkanik”.
Në këtë festival u paraqitën një larmishmëri e madhe e këngëve dhe valleve nga e gjithë zona e Ballkanit të cilat i sollën grupet e ftuara nga rajoni të cilat i bashkon kultura dhe tradita. Zonën e Ballkanit gjithashtu e bashkojnë elementet e kostumografisë ku për të ndryshuar një vijë është dashur të kalojnë një mijë vjet.
Në këtë event gjatë performancave vihen re urat ndërlidhëse që përshkojnë vendet tona ndërveprimin e gjuhëve dhe traditave në kufij. Këto elemente të përbashkëta që ndajmë janë dëshmia më e mirë e bashkëjetesës.
Ky festival i vlerave folklorike të Ballkanit është kthyer në një traditë tashmë në qytetin e Durrësit. Ndër vite këto ndërveprime dhe shfaqje të vlerave folklorike të secilit vend pasurojnë njëri-tjetrin duke ndarë vlerat tradicionale në këtë skenë nderi.
Mbrëmja e djeshme është përshkruar si një natë e magjishme e cila i kishte munguar atmosferës së këtij qyteti por që tashmë çdo gjë po i kthehet normalitetit.
Rikthehet në edicionin e katërt ‘MIK festival’ në Korçë
Për të katërtin vit radhazi në 24 korrik u organizua edicioni katërt i “Muzika Internacionale në Korcë – MIK Festival.
Sopranoja Inva Mula, ideatore e projektit artistik u shpreh se qëllimi kryesor i këtij festivali është të promovojë arritjet më të mira në fushën e artit kombëtar.
Koncerti Festival i Muzikës Internacionale të Korçës ndalet këtë herë në Kolonjë edhe në një ndër vendet më piktoreske për bukurinë e natyrës që ofron në Liqenin e Prespës.
Karakteristike e festivali është se konkurrimi përfshin zhanre të ndryshme ku bashkohen të gjitha artet bashkë për të dhënë më të mirën e tyre.
Qëllimi kryesor i këtij projekti artistik është të frymëzojë të rinjtë dhe të promovojë në vazhdimësi arritjet më të mira të artit kombëar.
Festivali ndwrthur elementë të etnografisë, kulturës, shfaqje baleti por edhe këngëtarët të muzikës së lehtë.
Përgatiti: N. Kraja