Arta Paspali ka qenë vallëtare me një përvojë të gjatë në Ansamblin “Migjeni”. Gjithë jetën e saj me vallëzime dhe më pas si koreografe. Në fillim studioi në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë për teoritikë dhe pas disa kurseve të valles u vendos në ansamblin “Migjeni” në vitin 1973, me të cilin për gati 20 vjet ka qenë pjesëmarrëse në aktivitete të shumta si brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 1985 punoi si mësuese baleti në shtëpinë e pionerit, duke u përballur për herë të parë me këtë sfidë, e cila kurorëzohet me çmimin e parë të valles së Dropullit. Pas viteve 90-të Arta ka punuar pa u ndalur si në Shqipëri dhe në diasporë. Arta është organizatore e shumë aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit. Aktualisht punon si koreografe në ansamblin “Afërdita” dhe jep mësime të valles në disa kopshte në Tiranë. Në një intervistë për CMG ajo na tregon për karrierën e saj si vallëtare dhe koreografe si dhe punën e palodhur me fëmijët për t’u mësuar vallen e bukur popullore shqiptare.
CMG: Arta, përshëndetje dhe kënaqësi që ju kemi në emisionin Bio Folk
Arta Paspali: Faleminderit juve për këtë intervistë.
CMG: Ju keni qenë një nga valltaret e Ansamblit “Migjeni”, që binit në sy në çdo valle si soliste. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Arta Paspali: Në Ansamblin “Migjeni” ndoshta kam pasur pjesë solistike, por në fakt nga vitet 75 deri në 1990 mund të them që Ansambli “Migjeni” ka shkëlqyer me të gjithë valltarët që ka pasur. Ne në fillim kemi qenë ansambël vajzash, kemi qenë 14 vajza njëra më e mirë se tjetra. Pastaj ishte e nevojshme për ta përforcuar dhe me valltarë djem dhe më vonë u bëmë një ansambël i konsoliduar. E them me krenari vërtetë që kemi se çfarë të kujtojmë nga ato vite të bukura, që është bërë arti i vërtetë ashtu siç duhej, ku dhe kostumi e etnografia ka pasur vlerat e saj.
Ne shkonim në trevat dhe në fshatrat më të thella të Shqipërisë për të marrë elmentët e valleve nga pleqtë dhe plakat që kërcenin. Kam një kujtim në Zall Dardhë të Peshkopisë, ku unë së bashku me një djalë kemi marrë ato pleqtë dhe plakat që kërcenin dhe merrnim lëvizjet e tyre. Ato motivet që ne i merrnim në fshat, koreografi dhe mjeshtri i madh i valles Fehmi Shaqiri i punonte aq bukur dhe i sillte në skenë.
“Koncertet e majit” kanë pasur një kriter ku përveç trupave profesioniste merrnin pjesë dhe trupat amatore. Kriteri ishte se në çdo vit duhet të përfaqësoheshim të paktën me krijime të reja, si këngë dhe valle.
Unë mund të them që ka qenë një prodhimtari shumë dinjitoze dhe cilësore, sepse vinim pesë valle të reja dhe nuk kishe shans që të përsërisje të njëjtën valle. Kjo ne na bëri që të jemi të kualifikuar pa dashur, sepse kemi qenë shumë të rinj dhe ajo që mua më bën të jem krenare është se kam kërcyer valle nga çdo trevë shqiptare nga jugu deri në veri, deri në malësi, në qytet e fushë, sepse edhe vallet midis tyre kanë dallime. Kujdesi i treguar nga kritikët e artit bënë që unë të formohem si valltare jo vetëm në kërcim, por të dija të dalloja dhe trevat.
CMG: Si ju gjeti ndryshimi i sistemit pas vitit 1990, sepse ju nuk keni ndalur së punuari si koreografe me valltarët e rinj për t’u mësuar vallen popullore shqiptare?
Arta Paspali: Viti 1990 të them të drejtën shumë njerëz i bëri dhe pesimistë sepse dhe emigrimi bëri të vetën. Edhe unë e preka emigrimin për 1 vit. Ndoshta pasioni më bënte që t’i thosha po çdo kërkese që mund të ishte qoftë e vogël, ashtu siç ishin ato vite. Kur u ktheva nga Greqia punova me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore “Shqiponjat e vogla”. Ka qenë një kryetar i ansamblit shumë pasionant, që më thirri nëpërmjet muzikantit që ka punuar me ne në Ansamblin “Migjeni”, Skënder Ismaili, që sot nuk jeton më. U ndjeva aq mirë kur pashë ata fëmijë, që kishin një pasion të madh. Aty kam parë që kanë ardhur fëmijë nga Peza, Kamza dhe aty thashë që arti nuk ka mbaruar, por më duket se tani po fillon prapë në brezat e rinj. Kurrë nuk jam demoralizuar për të thënë që arti apo vallja folklorike ka marrë fund, sepse unë e pashë atëhere dhe e shoh edhe tani.
CMG: Ju edhe pas viteve 90-të e deri sot keni qenë aktive, duke marrë pjesë në shumë aktivitete artistike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë.
Arta Paspali: Po është e vërtetë, më vonë unë punova edhe në kolegjin turk “Mehmet Akif” dhe “Turgut Ozal” ku kemi bërë koncerte pafund. U mora edhe me Rinfestin e shkollave të mesme. Duke bërë gjithë këto lëvizje në vitin 2002 kam bërë koreografinë e “Miss adoleshenca”. Kam shkuar në Dëshiraj të Elbasanit që sot është bërë një mrekulli rruga, por dikur unë kam shkuar 4 orë deri atje, kam shkuar dhe në Ksamil te qendra e kulturës të Limoz Dizdarit. Kam qenë e papërtuar duke shkuar në trevat e Shqipërisë dhe shikoja që e kërkojnë vallen popullore. Fakti që mua më kanë ofruar tregon se ka një dëshirë për ta mësuar vallen popullore.
Më vonë fillova të punoj me Ansamblin e Gjilanit, ku pashë pasionantë pafund të cilët kishin etje për vallet dhe kostumet tona kombëtare. Më vonë punova edhe në Prizren, Ferizaj, Prishtinë si dhe me Ansamblin e Vitisë. Gjatë rrugës sime me këto ansamble arrita të njoh edhe trevat më bukura. Dua të theksoj që në Bullgari kemi marrë çmimin e parë me vallen shqiptare të Zagorisë.
CMG: Cili është angazhimi juaj tani si koreografe?
Arta Paspali: Kam gati dy vjet që po punoj në Shqipëri në disa kopshte, duke ju mësuar fëmijëve vallet popullore edhe pse janë 5 vjeç. Gjithashtu vazhdoj të angazhohem edhe te Ansambli “Afërdita”, që ma ofroi presidenti i këtij ansambli Istref Gjoshi, një ansambël që sapo ishte krijuar por i mungonte një mësues për të punuar me fëmijët. Në këto dy vjet kemi arritur me të vërtetë suksese pafund. Vajzat kanë arritur një nivel shumë të lartë, ku në çdo festival që kemi marrë pjesë tregon se këto janë vajza me dinjitet e duan vallen folklorike.
CMG: Vazhdoni akoma të kërceni, apo tani merreni vetëm me koreografinë e valleve?
Arta Paspali: Më vjen për të qeshur sepse vërtetë jam akoma energjike, por ideja është se duke pasur parasysh moshën, unë gjithmonë them stop dhe kujdes sepse mosha bën të veten, por energjinë e kam akoma dhe puna e koreografit është pak e vështirë, sepse po nuk debutove vetë fëmija nuk ka se nga ta mësojë vallen. Që të bësh mësimdhënie me fillestarë dhe amatorë mendoj se koreografi është tepër i vëshirë për të punuar me këta, ndërsa kur punon me grupe profesioniste është shumë e lehtë. Ky fakt më mban dhe mua energjike akoma, sepse jam e detyruar që të kërcej dhe unë me vajzat.
CMG: Jeni nostalgjike për vitet e rinisë kur ishit te Ansambli “Migjeni”?
Arta Paspali: Është një nostalgji e bukur dhe unë i them shpesh shokëve dhe shoqeve të mia, se dikush është i dëshpëruar duke thënë se nuk vijnë ato kohëra më sepse kemi qenë kështu. Është e vërtetë por ne duhet të jetojmë me kohën dhe nuk mund ta kthejmë dot kohën mbrapa, por është gjë e bukur kur ke se çfarë kujton. Turnetë kanë qenë pafund, në Kosovë më 1975, Turqi 1977, Greqi 1978, Algjeri 1980, Egjypt 1982 dhe në vitin 1997 në Francë, pra turne pafund ku kemi prekur dhe vendet arabe dhe normal që ka nostalgjinë e vet.
CMG: Faleminderit shumë për këtë intervistë dhe ju uroj suskese në punën tuaj.
Arta Paspali: Ju falenderoj shumë për ftesën dhe dua ta mbyll me një thënie të fundit nga profesori i baletit Agron Aliaj, i cili e ka thënë bukur se “bota ne na njeh me folklorin dhe jo me baletin klasik”. Kështu që mbajeni fort folklorin sepse identiteti ynë është folklori. Këtë porosi u jap dhe koreografëve të rinj ku përveç rrymave të reja që ata kultivojnë te grupet e tyre, mos të harrojnë folklorin.
Intervistoi: Gazmend Agaj