Nëse gjatë një viti maskat ishin një detyrim për të shpëtuar jetë, në Korçë, sipas një tradite pagane, qytetarët e vunë një të tillë për të festuar Karnavalet. Emri i karnavaleve është i lidhur me këtë qytet, sa c’janë të lidhura serenatat me Korçën, madje është shkruar edhe një komedi klasike pikërisht me këtë temë, nga Sipo Çomora, me titull “Karnavalet e Korçës”.
Mjafton kjo komedi e vitet 1961, e cila asaj kohe u vu në skenë dhe vite më vonë u ekranizua si muzikali i parë shqiptar, për të dëshmuar se në çfarë atmosfere të bukur dhe elegante janë festuar historikisht karnavalet në Korçë.
E njohur për Karnavalet e famshme Korça, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bukura të qytetit.
Këtë vit në Korçë u zhvillua për të 14-tin vit Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, që çeli dhe sezonin turistik, mes atmosferës së festive që dhuruan karnavalet.
Kjo festë ka bërë që personazhe të shumtë të skenës dhe të ekranit të zbresin në qytet dhe po ashtu persoanzhe nga përrallat dhe jo vetëm të cilët përcjellin mesazhe të shumta.
Maska gazmore, tradicionale, të frikshme, apo ironike, ndaj fenomeneve të ndryshme.
Ndryshe nga viti i kaluar, që për shkak të pandemisë ky event u organizua në përmasa minimaliste, këtë vit ai i’u rikthye traditës së festës, ku morën pjesë 26 grupe. Për shkak se vendi sapo ka dalë nga periudha e karantinës dhe duhet kujdes, u morën masat që grupet të ndaheshin në vende të ndryshme, që të mos kishte grumbullime dhe performancat të ishin të shtrira gjatë gjithë ditës.
Zamira Kita, drejuese e Teatrit Andon Zako Çajupi, ka folur për mediat në lidhje me organizimin e kësaj feste, pasi ky teatër si gjithmonë, luan një rol të rëndësishëm në organizimin e festës.
“U përpoqëm që të kishim një atmosferë karnavali, por ka ditë që ka filluar atmosfera në Korcë. I gjithë qyteti është zbukuruar për Karnavale. Kemi vendosur maska gjigande që sjellin atmosferën e kësaj feste, kemi shumë grupe pjesmarrës, nuk janë vetëm të rinj, kemi edhe shumë gra e burra në moshë, kemi edhe të rinj patjetër. Sivjet ka patur një interest të jashtëzakonshën karnavali. Kemi veshur në mënyrë të organizuar rreth 400 persona. Kemi karnaval në rrugët e qytetit, në bulevarde, në sheshe dhe kemi kërkesa nga qytetarët të cilët duan të vishen por ne nuk arrijmë dot që të plotësojmë me të tjera veshje, sepse mendoni sa shumë interes ka dhe sa shumë kostume dhe maska do të duheshin. Ne madje në rrugët e qytetit çuditemi kur ndeshim personazhe të tjerë, të cilët nuk i kemi veshur ne, por janë veshur vetë. Pra korçarët kanë ruajtur një maskë, një kostum, një element në shtëpi për karnavalet e Korçës”.
Grupe nga Korça, por dhe të ardhur nga qytete të tjera e nga jashtë vendit pushtuan bulevardin, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.
“Ne përfaqësojmë Kolonjën, jemi një grup goxha i veçantë, i ndarë në dy pjesë. Grupi i parë, ky që është prapa meje është një grup kryesisht me fëmijë, ndaj fabula është argëtimi”, thotë një nga pjesëmarrësit në aktivitet. Ndërkohë që një tjetër pjesëmarrës thotë se “jemi këtu pas dy viteve pandemie, prandaj jemi shumë të karikuar dhe faleminderit për këtë që bëmë sot”.
Të gjitha grupet janë të veshura me kostume të ndryshme. Ata parakaluan në një paradë të përbashkët në bulevardin “Republika”, e cila vijoi në zonën e “Pazarit të vjetër” ku u organizua edhe një festë e madhe. Në festë u prezantuan fabula dhe maska të shumta, një pjesë e mirë e të cilave prezantoheshin për herë të parë. Zamira Kita sqaron se çdo grup ka një mesazh për të dhënë.
“Karnavali merr përsipër “të pëqeshë” elemente të cilat nuk janë fort të këndshme për shoqërinë dhe moralin e shoqërisë. Pra një mesazh çdo grup dhe çdo fabul”, thotë Kita.
Ndërkohë drejtoresha e Qendrës Kulturore, Blerta Belliu shprehet se tradita korçare e karnavaleve, është një shtysë e mirë për nxitjen e turizmit kulturor, pasi karnavalet janë kthyer në atraksion të rëndësishëm të qytetit.
“Në fakt një atmosferë e tillë magjike, ku në rrugicat e Korçës janë qindra vajza, djem të rinj, aktorë të teatrit, të Qendrës së Kulturës, të veshur për karnavale, nuk e gjen në asnjë cep të Shqipërisë. Dhe nuk ka sesi, çelja e sezonit turistik, sidomos pas një ndërprerjeje të gjatë pas një sezoni të gjatë për shkak të pandemisë, të mos vinte me këtë atmosferë magjike të Festivalit të Karnavaleve, i cili nga viti në vit shënon vetëm rritje, duke u bërë një atraksion, jo vetëm për Korçën dhe Shqipërinë, por edhe më gjërë….Që në orët e para të mëngjesit, me grupe të jashtëzakonshme, ka mbushur fillimisht rrugicat tradicionale të Korçës, por edhe të sezonit turistik të qytetit të Korçës!....Na shkakton vërtetet emocion si bashki, pas kaq muajsh ndërprerje, prezenca e jo vetëm kaq shumë grupeve, por edhe kaq shumë njerëzve, që kanë zgjedhur për fundjavë Korçën. Do të kulmojmë edhe në festa të tjera, me festën e birrës në gusht, për t’i thënë Korës, korçarëve dhe të gjithë Shqipërisë që Korça, pas një lufte të vështirë me covidin, ashtu si e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota, u rikthyen në normalitetin e gëzimit dhe të jetës”.
Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve ’60 për të rinisur pas viteve ’90.