Demir dhe Mehdi Zena, dy vëllezërit elbasanas njihen prej afro 5 dekadash nga shqiptarët si “bilbilat e këngës popullore të Elbasanit”, por edhe interpretues të papërsëritshëm të këngëve të Usta Isuf Myzyrit, dhe të madhit Mustafa Bodini. Zëri i tyre, forma brilante interpretative, kanë bërë që vëllezërit Zena nga Elbasani, të njihen jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve të saj. Nuk ka shqiptar jashtë vendit të mos i ketë dëgjuar, por edhe takuar qoftë edhe njëherë Mehdi dhe Demir Zenën, në koncertet e shumta që ata prej afro 50 vitesh japin duke kënduar këngët e Usta Isuf Myzyrit dhe Mustafa Bodinit, këtyre artistëve të papërsëritshëm, kompozitorëve të shkëlqyer që i dhanë emrin e përjetshëm këngës popullore të Elbasanit.
Vëllezërit Mehdi dhe Demir Zena e kanë nisur karrierën e tyre qysh në vegjëli, duke u brumosur dhe formuar me këngën elbasanase dhe kënduar me familjarët e tyre në gëzime dhe festa këngët e Myzyrit, duke ushtruar dhe rritur në vite talentin dhe zërin, duke marrë duartrokitjet e para dhe më pas angazhimet në aktivitete dhe koncerte fillimisht në Shtëpinë e Kulturës, Ansamblin “Isuf Myzyri”, në Festivalet e Gjirokastrës, në koncertet e RTSH etj.
Demir Zena na tregon për emisionin Bio Folk rrugën artistike të Vëllezërve Zena si dhe aktivitetet artistike gjatë viteve të karrierës së tyre, por dhe projektet në vazhdim.
CMG: Z.Zena faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në Bio Folk në valët e Radio Ejani.
Demir Zena: Faleminderit për ftesën në këtë emision të bukur të Bio Folk dhe jemi shumë të nderuar si unë ashtu dhe Mehdiu, Mehdiu nuk është sot sepse ka shkuar për një vizitë mjekësore, por jemi shumë të lumtur që na cilësoni të nderuar ju dhe gjithë populli shqiptar.
CMG: Ju gjithmonë keni qenë bashkë në koncerte, ku keni kënduar në skena të ndryshme, duke përcjellë muzikën popullore shqiptare dhe akoma vazhdoni të jepni kontributin tuaj për folkun shqiptar.
Demira Zena: Ne nuk na njohin me emrin Mehdi apo Demir Zena, por të gjithë na njohin si Vëllezërit Zena në Shqipëri dhe arenën ndërkombëtare. Fillimisht ne e kemi nisuar karrierën muzikore në vitin 1971, përpara vitin 1971 kemi qenë me estradat e ndërmarrjeve, ku unë kam qenë në ndërmarrjen e veshmbathjes, kurse Mehdiu ka qenë në NRSH dhe ishin grupet amatore të estradave.
Mirëpo këto grupe amatore kanë qenë shumë të fuqishme dhe konkuronin me estradat profesioniste të shtetit. Pra këtu kanë qenë fillimet tona me këngën dhe më vonë u organizua festivali i parë i këngës popullore në Elbasan, ku morëm pjesë edhe ne me disa këngë. Mbas një viti Alfons Balliçi na tërhoqi te Estrada profesioniste e Elbasanit, dhe aty kemi filluar me këngën e parë dhe më pas vazhduan aktivitetet e shumta, ku populli na ka pritur në mënyrë të shkëlqyer kur ne dolëm për herë të parë si duet.
CMG: Gjithmonë keni interpretuar këngët e Usta Isuf Myzyrit, i cili ka lënë një pasuri të madhe në krijimtarinë e këngëve popullore të Shqipërisë së mesme.
Demir Zena: Nuk ka qenë vetëm Usta Isuf Myzyri, por ka qenë edhe Mustafa Bodini, Aleks Vini si edhe vetë populli që krijonin këngë, por këto kanë qenë kryesisht gjigantët e Elbasanit.
CMG: Pas viteve 90 ju emigruat në Amerikë dhe për 16 vite keni jetuar atje. Si ishte jeta juaj artistike në kontinentin e largët?
Demir Zena: Fillimisht unë kam shkuar në Amerikë më 10 nëntor 1997, ku organizohej festa e 28 nëntorit në New York. Unë shkova me mendimin që të gjeja ndojë punë, sepse isha i pa punë këtu dhe aty në një aktivitet takoj Merita Halilin me bashkëshortin e saj Raif Hysenin. Këndova disa këngë dhe pastaj Raifi më ftoi të punoja bashkë me ta ku fillova të angazhohesha në disa koncerte. Kemi punuar 4 muaj si fillim dhe më vonë kam punuar dhe me të ndjerën Anita Bitrin, kam kënduar edhe me Eli Farën, Aurela Gaçen dhe Gëzim Nikën.
CMG: Këto ishin koncerte për komunitetin shqiptar që jeton në Amerikë?
Demir Zena: Koncertet për komunitetin shqiptar kanë qenë të shumta si në Boston, Kanada, pra nuk kemi lënë vend pa shkuar, plus pastaj edhe dasmat që ishin kryesoret. Kurse koncertet ishin të tjera pastaj.
CMG: E keni ndjerë mungesën e vëllait tuaj, duke ditur se publiku është mësuar t’ju shikojë gjithmonë bashkë nëpër evente?
Demir Zena: Mungesa ishte si e Mehdiut nga ana ime që ika, po ashtu edhe e imja që shkova në Amerikë. Më doli llotaria dhe thashë po iki ta provoj njëherë por kurbeti siç thonin përpara është i vështirë. Unë kam punuar tre punë atje.
CMG: Pse vendosët që të ktheheshit në Shqipëri?
Demir Zena: Unë pyeta se sa më dilte pensioni në Amerikë në moshën 62 dhe 66 vjeç, e cila ishte dhe mosha ime që dilja në pension. Më thanë se del njësoj dhe unë i thashë që të bënin dokumentat, sepse malli për Shqipërinë ishte i madh. Siç thonin përpara që të merr malli dhe për gurët e kalldrëmit dhe kështu është me të vërtetë. Pasi dola në pension u ketheva në Shqipëri dhe jam shumë i kënaqur me jetën këtu.
CMG: Shumë artistë janë larguar nga qytetet e tyre, duke ardhur në Tiranë, ndërsa ju nuk jeni larguar nga qyteti i Elbasanit. Jeni besnik i qytetit tuaj?
Demir Zena: Elbasani është qyteti ku kam lindur dhe jam rritur, ku kam punuar dhe kënduar dhe nuk lihet kollaj. Pastaj Tirana është shumë e zhurmshme për mendim tim, por vendin tim nuk e le dhe nuk kam për ta lënë kurrë.
CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në qytetin e Elbasanit?
Demir Zena: Si e imja ashtu edhe e Mehdiut është e njëllojtë dhe nuk jemi ndarë asnjëherë në jetë. Kur zgjohem në mëngjes shkoj për të pirë kafen te Teatri Skampa, i cili na ka rritur për 51 vite që këndoj bashkë me Mehdiun. Nga ora 7.30 deri në 9.00 të mëngjesit pimë kafen dhe pastaj bëjmë ndonjë pazar. Në drekë pushojmë dy orë dhe dalim sërisht mbasdite. Kjo është një ditë e zakonshme për moshën tonë.
CMG: Gjatë këtij viti të pandemisë jeni aktivizuar në disa evente artistike siç është dhe spektakli “Këngë moj”, ku Vëllezërit Zena ishin të pranishëm në këtë event të muzikës popullore.
Demir Zena: Unë ju thashë edhe në fillim të kësaj bisede se na respektojnë akoma edhe pse kemi moshën madhore, po prapë na respektojnë dhe na ftojnë dhe shyqyr Zotit nuk na ka ikur akoma zëri. “Këngë moj” ishte një spektakël shumë i bukur dhe shumë të pregatitur, sidomos ata djemtë e orkestrës që kanë vlera të shkëlqyera. Buzëqeshja, interpretimi dhe të gjitha së bashku e bëjnë këngëtarin edhe sikur të jetë keq me zërin, e bëjnë bilbil. Ishte vërtetë një spektakël shumë i bukur.
CMG: Si ishte ky vit i vështirë për ju dhe sidomos koha e karantinës ku të gjithë u mbyllën?
Demir Zena: Deri tani kemi qenë mirë dhe karantinën e kam kaluar lehtë. Ndoshta është edhe imuniteti që ne jemi mirë si unë ashtu edhe Mehdiu. Unë i kam bërë të dyja vaksinat kineze dhe jam shumë i kënaqur për këtë.
CMG: Kanë Vëllezërit Zena ndonjë projekt artistik së afërmi?
Demir Zena: Tani së afërmi kemi 75 vjetorin e lindjes së Mehdiut dhe kemi menduar për një koncert të përbashkët me djemtë e Kosovës, këngëtarë të shkëlqyer, i cili është një bashkëpunim, pra do të jetë një koncert që mund të bëhet te Kalaja e Elbasanit, sepse brenda në sallë nuk mund ta bëjmë prej pandemisë. Ky është një projekt që mund të realizohet në shtator, sepse dhe koha është më e freskët.
CMG: Ju gjithmonë e keni ruajtur folkun shqiptar dhe padyshim që është një vlerë e madhe, por a ka këngëtarë të rinj që mund të zëvendësojnë Vëllezërit Zena?
Demir Zena: Ne jemi rritur me këngët Isuf Myzyrit, Aleks Vinit dhe Mustafa Bodinit, plus edhe këngë të tjera të krijuara nga populli. Fillimisht janë këngët e Isuf Myzyrit që janë të pavdekshme edhe pse kanë kaluar shumë dekada ato janë perla edhe sot. Unë nuk jam i kënaqur me daljen në skenë të disa zërave të rinj. Kam kaq vite dhe kam qejf të dëgjoj duete si Vëllezërit Zena që të paktën të na zëvendësojnë, por që nuk kanë dalë. Ne duhet ta ruajmë traditën e këngës popullore dhe të këtyre gjigantëve që kanë bërë këto këngë.
Intervistoi: Gazmend Agaj