Jonid Jorgji është regjisor, i cili jep jo pak kontribut në Bashkinë e Tiranës në kontekstin artistik, duke qenë kështu një ndër ato figura që punojnë për imazhin e saj. Nuk është ky filmi i parë që ai realizon dhe as suksesi i pare, pasi fillimet e tij janë të hershme në këtë profesion. E megjithatë ai ka një marëdhënie të ngushtë me median, filmin, por edhe biznesin.
CMG: Si kanë nisur hapat tuaj të parë në rrugëtimin profesional?
Jonid Jorgji : Unë kam filluar që në periudhën e gjimnazit që të merresha me këtë punë, bëja pak art, pak regji. Në atë kohë, kur isha maturant bëja teatrot e shkollave, aktivitetet artistike të shkollës dhe kjo vazhdoi edhe në shkollë të lartë. Unë zgjodha degën e regjisurës së filmit jo me shumë vetëdije ç’është e vërteta, por me kalimin e kohës u kanalizova shumë mirë kjo falë edhe pedagogëve me të cilët pata fatin që të punoj. Unë isha shumë i ri kur mu dha mundësia për të bërë një film shumë të shkurtër. Isha vetëm 18-vjeç dhe ishte në fakt më e thjeshtë, sepse të rinjtë kanë teknikë për ta realizuar. Filmi titullohej “Të gjithë qajnë”.
CMG: Cilat janë pikat më të forta të një regjisori?
Jonid Jorgji: Nuk e di…Çdo regjisor që thotë se është i sukseshëm ka karakteristikat e veta. Nuk ka një formulë të caktuar që të përcakton se çfarë tipare duhet të kesh. Por unë po të them nga mendja ime që e para duhet “Te jetë një artisit që të tregojë një histori”. E rëndësishme gjithashtu është dhuntia ose pjesë e karakterit të tij, që të jetë drejtues sepse ai sado solidar të jetë do punojë me një staf dhe ai staf sado i vogël apo i madh të jetë, do një drejtues të mirë.
Pra një regjisor është si një kapiten anijeje, dikush duhet të drejtojë.
CMG: Nëse flasim për sfidat në të cilat është dashur të kaloni.
Jonid Jorgji: Mua më ka ndihmuar shumë puna në media dhe në televizion për një kohë të gjatë. Aty kam njohur disa aftësi të mira menaxheriale dhe experiencë kështu që më ka berë pak më të forte, që të di të dal nga situata. Kjo është një pikë e fortë në punën time. Unë do vijoj të kem nje lidhje me median njëkohesisht edhe kinemanë.
Filmi i parë është shumë i rëndësishëm, sikur sjell për herë të parë një fëmijë në jetë.
CMG: “Dy luanë drejt Venecias”. Si lindi idea për këtë film?
Jonid Jorgji: Është aventura e dy kineastëve shqiptarë, rrugës për në festivalin e Venecias. Shumë të papritura u ndodhin. Njihen me dashuri të reja, njerëz të rinj, botëkuptime të ndryshme, ambiente të reja dhe gjithashtu me anë të reja të pazbuluara të vetes dhe familjarëve të tyre. Do ta përshkruaja këtë film si një nga ato ëndrrat e gjata, që shohim mëngjeseve. Aty ku ndodhin shumë episode njëherësh; ku qeshim, por edhe qajmë, ku tensionohemi, por edhe çlirohemi.
Përjetojmë shumë emocione njëherësh dhe kur zgjohemi, ëndrra zhduket nga memoria, por pa e kuptuar e gjithë dita merr trajtën e kësaj ëndrre.
CMG: A keni një qëllim për realizimin e këtij filmi?
Jonid Jorgji : Në rastin e këtij filmi impakti që unë dua të jap është të argëtoj më teper njerezit, në sensin e mirë të fjales. Dua të kultivoj emocione të mira, të gëzuara. Dua t’i bëj njerëzit të ndiejnë sa më shumë. Një nga gjërat që bota sot po vuan është apatia e ndjenjave, ndaj mendoj se ilaci më i mirë për këtë është arti. Aty ka mesazhe dhe më të infiltruara por kjo i ngelet publikut që ta vlerësojë.
CMG: Trio Biznes, Media, Kinema ku gjejnë lidhje bashkë?
Jonid Jorgji: Jam i mendimit që çdo fushë e jetës ka lidhje me njëra -tjetrën sepse po të mendojmë sikur nuk kemi asnjë profesion por dita na bën si mua si dikë tjetër të merremi dhe të ekonomizojmë buxhetin tonë, të jemi doktorë të vetes, të merremi me art, aq sa mund të merremi. Pra, në jetë të gjithë kemi disa gjëra që i ushtrojmë pa pasur një profesion të caktuar. Këto angazhime tek mua kanë ardhur natyrshëm.
CMG: A keni ju një moto, që ju shoqëron cdo ditë?
Jonid Jorgji: Punë, Punë, Punë!
Intervistoi Megi Latifi