Sopot Serica është një nga muzikantët dhe instrumentistët më virtuozë të muzikës shqiptare. Ai ka bashkëpunuar me shumë këngëtarë të muzikës popullore të të gjitha trevave të vendit dhe pjesëmarrja e tij në aktivitetet artistike është një vlerë për folkun shqiptar. Gjithmonë i përkushtuar pas muzikës së vërtetë popullore dhe i pëlqyer nga të gjithë për instrumentalet dhe muzikën që ai luan me fizarmonikën e tij. Vazhdon të japë kontributin e tij në mësimdhënie në Liceun Artistik të Elbasanit si dhe në ansamblin “Isuf Myzyri” të këtij qyteti. Në në intervistë për Bio Folk instrumentisti Serica na tregon për jetën e tij artistike si dhe projektet muzikore.
CMG: Ju falenderoj që jeni i pranishëm në emisionin Bio Folk në Radio Ejani dhe kënaqësi që të mësojmë më shumë për jetën tuaj artistike.
Sopot Serica: Ju falenderoj dhe unë shumë dhe është kënaqësi që komunikoj me ju dhe në lidhje me muzikën që është profesioni im. Kam një jetë që studioj për instrumentin, i kam përkushtuar jetën prej moshës 7 vjeçare që kam studiuar për piano në Liceun Artistik të Elbasanit ku dhe jam mësues prej 40 vitesh. Punoj me shumë dashuri për t’i dhënë brezit të ri ato njohuri që unë kam përvetësuar gjatë gjithë jetës time, njëkohësisht kontribuoj rregullisht në të gjitha aktivitetet që organizon qyteti si instrumentist, qoftë si solist në fizarmonikë por dhe si drejtues i orkestrinës popullore të ansamblit “Isuf Myzyri”.
Kemi një jetë të pasur artistike në të gjitha aktivitetet, si ato të qytetit por edhe kombëtare, kemi shëtitur shumë duke lënë mbresa të mira. Do dëshiroja që dhe brezi i ardhshëm i fizarmoniçistëve të rinj ku unë i shërbej këtij instrumenti, do ju thosha që ta mësonin këngën dhe vallen popullore sepse është thesar i vërtetë që as nuk shkruhet, por veçse ekzekutohet me mjeshtëri.
CMG: Përveç pasionit që keni pasur vetë për muzikën ju e keni trashëguar edhe nga babai juaj, i cili ka qenë një muzikant me emër në qytetin e Elbasanit.
Sopot Serica: Unë kam pasur fatin më të madh sepse kam pas babain tim që jeton edhe sot dhe i uroj shëndet e jetë të gjatë. Kam përfituar dhe kam mësuar shumë prej babait, mësova se çfarë është muzika e Elbasanit, ai më mësoi se si mund t’i biesh një instrumenti për të arritur nivelet e mira. Që të arrish nivel të mirë duhet një përkushtim shumë i madh, që të bëhesh një muzikant i mirë do të duhen jo më pak se 25-30 vite. Unë këtë periudhë e kam kaluar dhe me shumë respekt e them që kam bërë atë që duhet të bëja në jetë, jo se jam unë gjithçka. Brezat janë të çuditshëm por çdokush prej nesh do të dëshiroja të jepte atë që ka mundësi me dhënë, sepse kështu do t’i vijmë në shërbim brezave të rinj dhe muzikantëve të rinj që ato të përfitojnë sadopak dhe të mësojnë nga ne. Në vazhdojmë të ekzekutojmë me përgjegjësi dhe të njëjtën dashamirësi që kemi luajtur edhe kur kemi qenë djem të rinj.
CMG: Ju thatë se keni mësuar nga babai juaj ndërkohë që në familjen tuaj ka dalë dhe një talent tjetër, djali juaj Ardit Serica, pjesëtar i grupit “Alar Band” që është bërë mjaft i famshëm.
Sopot Serica: Siç e përmenda edhe më pare, babai im ka qenë shok dhe udhëzues në jetën time artistike. Sikurse dhe fëmijët e mi, vajza ka studiuar për flaut, vajza e madhe studioi pak vite violinë, kurse djali mbaroi për piano dhe është pianist shumë i mirë dhe tani është pjesë e grupit “Alar Band” ku aty luan në piano dhe tastierë. Besoj se kjo trashëgimi na bën mirë dhe ndjehemi krenarë sepse duke qenë familje muzikantësh, ne gjithmonë dëshirojmë që edhe të tjerët të përfitojnë nga kjo rrugë që kemi përzgjedhur ne.
CMG: Pra një jetë e tërë me fizarmonikën ku edhe tani kontribuoni akoma si mësues në lice, por dhe në ansamblin “Isuf Myzyri” të Elbasanit. Kjo është diçka e mirë që folku të ruhet në breza dhe në qytetin e Elbasanit.
Sopot Serica: Sigurisht që po. Unë duke pasur dëshirën së pari, plus që i kam dhënë shumë rëndësi që këngën e Elbasanit ta luajmë me mjeshtëri dhe duke i dhënë ato vlerat këtij qyteti me shumë vlera muzikore e qytetare. Këngët e Elbasanit pothuajse këndohen në të gjithë Shqipërinë dhe është pasuria më e madhe e këngës qytetare të Shqipërisë së mesme, ku kompozitorët e mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm Isuf Myzyri, Mustafa Budini dhe Aleks Vini na kanë dhuruar këngë ku i këndohet lules, sepse Elbasani feston festën e luleve më 14 mars, që njihet ndryshe si Dita e verës.
Është i vetmi qytet që lulet çelin për herë të parë këtu dhe kjo është diçka shumë domethënëse, që ne e presim me shumë gëzim Ditën e verës. Historikisht Elbasani ka kënduar këngët e lules, këngët e dashurisë si dhe këngë ashikësh. Ka treva dhe gjini të ndryshme, por këngët nuk janë thjesht këngë, ata për mua janë romanca. Të gjitha këngët e bukura që na kanë dhuruar këto kompozitorë ne i ruajmë me shumë nostalgji dhe mundohemi t’i pasurojmë me elementë interpretativë.
CMG: Keni pasur fatin që të shoqëroni të gjithë artistët më të mirë të muzikës popullore. Kë do të veçonit nga këta artistë?
Sopot Serica: Në vitin 1980 kam pasur fatin që të shoqëroj këngëtarët e pazëvendëshueshëm Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Agim Hoxha, Ramazan Zyberi, Merita Halili e shumë këngëtarë të tjerë. Njëkohësisht kam pasur fat sepse në Elbasan organizohej festivali i këngëtarëve të muzikës popullore të të gjitha trevave dhe vinin nga gjithë Shqipëria, dhe aty për shumë vite që është zhvilluar ky aktivitet unë kam shoqëruar shumë këngëtarë. Sot shoh një nivel të madh të këtyre artistëve të cilët unë i kam njohur edhe kur kanë qenë shumë të rinj.
CMG: Ndërkohë që Elbasani ka këngëtarët e mirënjohur vëllezërit Zena, Albert Tafani dhe më e reja Eglantina Toska. Ka artistë të rinj që mund t’i zëvendësojnë këto ikona të muzikës popullore?
Sopot Serica: Sigurisht që ka dhe shumë këngëtarë të tjerë, por vetëm për këngëtare vuan pak. Kemi Eglantinën që kontribuon rregullisht në ansambël dhe të gjitha aktivitetet që organizon qyteti, është një këngëtare me vlera që unë e respektoj dhe e adhuroj si kolege sepse ruan me fanatizëm mënyrën e të kënduarit të këngës popullore qytetare të qytetit tonë.
Ndërkohë një vlerë e padiskutueshme janë vëllezërit Zena dhe Albert Tafani që kanë qenë që në themelet e para që ne e krijuam Ansamblin “Isuf Myzyri” në vitin 1979 me ish drejtorin tonë të nderuar Thanas Meksi, që ishte pika e nisjes së krijimit të ansamblit të qytetit tonë. Këngëtarë të rinj ka dhe janë disa, nga këto unë do të përmend disa emra si Agim Salihu, Astrit Shëngjergji dhe vëllezërit Myzeqari që në njëfarë mënyre unë jam munduar që t’i risjell në ansambël për të krijuar imazhin e vëllezërve Zena, sepse kënga e Elbasanit nuk kuptohet pa vëllëzërit Zena. Atëhere i kemi dy vëllezër të tjerë që mundohen të këndojnë me dinjitet këngën e vëllezërve Zena.
CMG: Keni së afërmi ndonjë projekt artistik me instrumentale apo pjesë për fizarmonikë?
Sopot Serica: Shumë shpejt do të publikoj dy materiale popullore, dy pjesë solistike për fizarmonikë të të madhit Agim Krajka, për t’i thënë edhe opinionit që kompozitori i madh Krajka jeton midis nesh. Ndërkohë kam dhe një material tjetër që do ta nxjerr shumë shpejt, tre këngë popullore të Shqipërisë së mesme që unë do ta titulloj “Lule pranvere” sepse kam përzgjedhur aty “Qan lulja prej lules” dhe dy këngë të tjera, që bëhet fjalë gjithmonë për këngët që përshkojnë me stinë dhe lulet e pranverës. Gjithashtu kam përgatitur dhe disa materiale të huaja, tango, valse, sambo, të cilat i kam përfunduar dhe shumë shpejt do të publikohen. Mundohemi gjithmonë me mundësitë tona që t’i sjellim popullit tonë të dashur kënaqësi për atë që ne kemi dhe zotërojmë.
Intervistoi: Gazmend Agaj