Në Akademinë e Shkencave është nënshkrua nga qendra e botimeve albanologjike dhe enciklopedike, kontrata me grupin e punës, për hartimin dhe botimin e veprës madhore “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, tha se po hidhet një hap përpara për të filluar një punë mjaft të madhe, për të hartuar “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, “Historinë e shqiptarëve” dhe “Enciklopedinë kombëtare”. Sipas Gjinushit “në hartimin e fjalorit bashkëpunojnë profesorët më të shquar të gjuhësisë dhe leksiokografët më të mirë”.
Deri më sot, për gjuhën shqipe janë hartuar fjalorë të rëndësishëm, por është i domosdoshëm hartimi i një fjalori të madh si ky, që t’u shpërbejë gjithë shqiptarëve në të gjithë trevat.
“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” do të jetë një vepër normative leksikografike, ai është i domosdoshëm për të pasqyruar dhe për të hedhur në përdorim pasurinë e madhe frazeologjike e semantike të gjuhës shqipe.
Redaksia e hartimit të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” përbëhet nga akademikë dhe bashkëhartues shkencorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Malit të Zi dhe arbëreshët e Italisë.
Përgatiti: N. Kraja