Arkeologët kanë zbuluar një numër të madh të kokrrave të melit nga një varr i dinastisë Han Perëndimore në provincën veriperëndimore Shaanxi, duke mbledhur njohuri të reja për bujqësinë në shkallë të gjerë të praktikuar në Kinë më shumë se 2000 vjet më parë.
Ekipi i Akademisë së Arkeologjisë Shaanxi shpjegon se mbetjet e melit u gjetën të dielën në një enë qeramike të zbuluar në një varr antik në Gaozhuang.
Sipas Tian Duo, nga universiteti “Northwest”, meli, një nga ushqimet kryesore të popullsisë veriore kineze gjatë dinastisë Han Perëndimore, tregon se prodhimi bujqësor në zonë kishte arritur një shkallë të konsiderueshme në periudhat e hershme të dinastisë, shkruan “Xinhua”.
Ekipi i gërmimit gjeti varrin, i cili është 4 metra i gjatë, 3 metra i gjerë dhe 8 metra i thellë, i ruajtur relativisht mirë. Megjithëse arkivoli, në të cilin gjendeshin eshtrat e një njeriu, ishte përkeqësuar, mbetjet e kockave dhe sendet e varrimit, duke përfshirë dy pasqyra bronzi, dy shpata hekuri dhe një vulë, ishin relativisht të paprekura.
Pothuajse 100 objekte që i përkasin trashëgimisë kulturore janë zbuluar në varr, duke përfshirë qeramika, sende prej hekuri dhe bronzi. (Elona)