“Horizonti Blu” është një grup artistësh të njohur shqiptarë, të cilët fillesat në muzikë i kanë pasur në vitet ’80. Protagonistët kryesorë të cilët e krijuan grupin, punuan fort duke dhënë kontributin e tyre jo vetëm duke kënduar, por dhe duke realizuar këngë, hite të cilat kanë mbetur gjatë në memorien e të gjithëve. Bëhet fjalë për artistët që e nisën dhe do e vazhdojnë këtë rrugëtim, Josif Dhimitri kantautor, Ardian Dhimitri kantautor, Liljonf Jorgo kantautor, si dhe Dion Titili këngëtar me një vokal tejet të veçantë. Por pjesë e grupit kanë qenë dhe djem të tjerë bateristi Zenel Plasa, në kitarë dhe trombë ka luajtur Fredi Qeramixhi, Ilir Glozheni një ndër kantautorët e parë, i cili fatkeqësisht nuk jeton më, gjithashtu dhe instrumentisti në kitarë bass Edmond Zeqo, i ndarë nga jeta.
Ishte dhjetori i vitit 1991, kur “Horizonti Blu” mori pjesë në Festivalin e 30-të të këngës në RTSH me këngën "E adhuroj stinën e vjeshtës" me të cilën u dalluan për mënyrën e veçantë të këndimit me shumë zëra në perfeksion. Gjatë atyre fillimeve ata realizuan një album muzikor, mjaft koncerte live në qytetin e Korçës dhe në Tiranë. Kanë pasur shkëputje, por dhe ritakime, ku janë prezantuar në edicionin e dytë te “Netët e klipit shqiptar” ku u vlerësuan me çmimin e parë të interpretimit më të mirë të këngës dhe videoklipit “Vetëm një biletë”. Në planet e tyre të afërta ndër të tjera është dhe një projekt madhështor që grupi i rrokut “Horizonti Blu” do të sjellë për publikun shqiptar vitin e ardhshëm. Në këtë intervistë për Radio Ejani u prononcuan për mikrofonin tonë një nga themeluesit e grupit, kantautori Ardian Dhimitri dhe vokalisti Dion Titili.
horizonti blu
CMG: Përshëndetje djema! Mirë se erdhët në programin “Muzika shqip”!
Ardian Dhimitri: Përshëndetje Sava! Kënaqësi dhe për ne që të jemi pjesë e programit “Muzika shqip”.
CMG: Si u krijua grupi “Horizonti Blu”?
Ardian Dhimitri: Fillesat e “Horizontit Blu” erdhën në mënyrë spontane. Ne ishim fëmijë, unë 11 vjeç, vëllai im Josif Dhimitri ishte 15 vjeç dhe shkruante shumë bukur poezi. Kanë qenë vitet 1982-1983 në momentin kur pas poezive të para, filloi të shkruhej muzika. Më pas u afruan dy pjesëtarë të tjerë të grupit, të cilën më vonë u bënë shtylla kurrizore e grupit “Horizonti Blu” si, Liljonf Jorgo dhe Ilir Glozheni, (Iliri fatkeqësish nuk jeton më). Kështu u konsolidua grupi dhe këngët morën formën e tyre përfundimtare. Padiskutim që morëm dhe nga tradita e muzikës korçare, ku këndohet me shumë zëra. Kjo ishte dhe mënyra e të konceptuarit të grupit, pra të kënduarit me shumë zëra, gjë që e veçonte grupin “Horizonti Blu” nga grupet e tjera. Në prezantimin tonë në vitin ‘90-të në festival, dalloheshim jo nga mënyra e të kënduarit si në shkollën e këndimit me tre zëra, por një mënyrë tjetër tejet e veçantë e cila ra në sy nga të gjithë grupet muzikore në atë festival.
CMG: Cili ka qenë komplimenti që morët në atë festival?
Dion Titili: Për të gjithë në atë festival ishte mënyra e kombinimit të zërave, e cila nuk i përqasej mënyrës se si mësohej muzika në shkollë. Nuk u bazuam te rregullat në shkollë, pasi ai është një këndim ndryshe.
Ardian Dhimitri: Shumë persona që duan ta këndojnë si këngë, nuk e këndojnë si duhet se nuk e dinë se cila është vija melodike sepse zërat gjithmonë ndërthuren në mënyrë të tillë që e dëgjon si këngë, të vjen e këndshme, por nuk e di se cili është zëri i parë dhe cili i dyti.
Horizonti Blu-Selanik, Greqi vitet viti 1998
CMG: Si ishin vitet e para për ju?
Ardian Dhimitri: Unë do e nisja nga vitet 1988-1989 ku pasi patëm sukses me koncertet tona, e kurorëzuam atë sukses me pjesëmarrjen në festival. Ishin vërtetë vite të vrullshme, si nga krijimtaria ashtu edhe nga paraqita e grupit në qytete të ndryshme. Pas vitit 1991 u bë shumë e vështirë për grupet e muzikës rrok që të vazhdonin aktivitetin në Shqipëri, ishin vite të vështira.
CMG: Në çfarë kuptimi i vështirë? Sepse në atë periudhë lindën të gjithë grupet e rrokut shqiptar?
Ardian Dhimitri: Viti ku lulëzuan grupet muzikore ishin vitet ‘88-’89 dhe kulmoi me vitet ’90-’91. Kjo ishte dhe fatkeqësia e atij brezi. Sepse pas vitit 1991 u bë shumë e vështirë të jetuarit si artist.
Horizonti Blu 1990
CMG: Edhe pse grupi ndaloi me prezantimet e veta, ju herë pas here jeni shfaqur me ndonjë koncert. Se fundi keni qenë në Radio Televizionin e Korçës ku sollët disa këngë nga repertori juaj. Ishte i njëjti version këndimi si në festival?
Ardian Dhimitri: Ka qenë i njëjti version si në festival.
CMG: Vetëm unë “E adhuroj stinën e vjeshtës” apo edhe ju?
Dion Titili: (Qesh) Jo vetëm ne, por e adhurojnë edhe shumë të tjerë stinën e vjeshtës. Kjo këngë ka mbetur në mendjen e njerëzve që në vitin 1991, pasi këndohet në çdo event ku ka muzikë live, në lokale, koncerte etj. Është një këngë e pranishme kudo, e cila ka lënë shumë gjurmë.
CMG: Do e ndjekim të interpretuar live nga ju sot?
Dion Titili: Patjetër, me shumë kënaqësi!
CMG: Ju si grup nga e kishit frymëzimin?
Ardian Dhimitri: Frymëzimi i grupit ka qenë nga momentet e përditshme. Këngët tona flasin për ngjarje reale. Sigurisht që jemi frymëzuar edhe nga muzika qytetare korçare, pasi dihet që në këtë qytet, gati çdo shtëpi e ka një kitarë, të gjithë këndojnë. Ky ishte edhe ngacmimi që na erdhi për të kënduar me shumë zëra. Vitet që erdhën më pas ishin të vështira për muzikën rrok. Ishte periudha e emigrimit që shumë artistë ikën jashtë vendit. Në vitin 1991 ne ishim 15 persona në grup, por shumë shpejt të gjithë u larguan. Kjo ishte dhe një nga arsyet pse u ndërpre vazhdimësia e grupit.
CMG: Ndërkohë ju jeni rikthyer herë pas here?
Ardian Dhimitri: Kemi pasur një koncert unplugged në Korçë në vitin 2001. Morëm pjesë në edicionin e dytë të Festivalit “Netët e Klipit Shqiptar” me këngën “Vetëm një biletë”, ku fituam çmimin e parë, për interpretimin më të mirë.
Dion Titili: Më pas u rishfaqëm për publikun në vitet, 2007-2009 ku morëm pjesë për tre vite rresht në Festën e birrës në Korçë.
Horizonti Blu 2009
CMG: Jeni larguar, jeni rikthyer. Por si ka qenë marrëdhënia juaj me muzikën gjatë kësaj kohe?
Ardian Dhimitri: Gjatë kohës së emigrimit jam marrë me muzikë, por në rolin e mësuesit. Pata mundësinë të hapja një shkollë muzikë, ku studionin të rinj për kitarë, piano, pra në instrumenta të ndryshëm, por gjithashtu kisha aktivitet me një grup muzikor, të cilin e krijova jashtë vendit, në Greqi që quhej “Da Capo band” me të cilin krijova dy albume muzikore.
CMG: Nuk kam dëgjuar të flitet për këtë në Shqipëri?
Ardian Dhimitri: Sepse nga natyra jam tip që nuk dua të bëj shumë publicitet, madje i shmangem. Grupi “Da Capo Band” pati 10 vite jetëgjatësi. Këndonim në greqisht dhe anglisht, morëm pjesë në koncerte të ndryshme live të mbajtura në të gjithë Greqinë, si në Athinë, Selanik, etj.
Horizonti Blu Sheshi Aristoteli, Greqi
CMG: Dion, për sa kohë pate fatin të ishe pranë grupit “Horizonti Blu”?
Dion Titili: Mund të them që në momentin kur njeriu arrin të kuptojë se çfarë është muzika, arrin të ndjejë notat, të ndjejë këngën që i pëlqen apo jo.
Ardian Dhimitri: Dioni, ka qenë përpara se të krijohej “Horizonti Blu”, pra e ka jetuar që në fillesat edhe pse ishte në moshë shumë të vogël.
Dion Titili: Kur luanin këta të mëdhenjtë, ishte pak e vështirë të luaje apo të këndoje. Ka qenë një koinçidencë e bukur; Një nga pjesëtarët e “Horizontit Blu”, Ilir Glozheni (i cili është ndarë nga jeta) ka pasur një vëlla të vogël me të cilin unë isha në shkollë. Ne si shokë të ngushtë rrinim gjithmonë bashkë, por pëlqenim të rrinim me djemtë më të mëdhenj. Që të vegjël dëgjonim çfarë shkruanin dhe gjithçka bënin djemtë më të mëdhenj.
Ardian Dhimitri: Që në moshë të vogël Dioni këndonte dhe na pëlqente gjithmonë se ka një zë karakteristik, ka një timbër shumë të veçantë.
Dion Titili: Aftësitë muzikore janë të lindura.
Ardian Dhimitri: Sa herë që ne këndonim, Dioni kapte gjithmonë notat e larta.
Dion Titili: Kur u rrita, hyra më konkretisht në grupin “Horizonti Blu”. Kam qenë në koncertin unplugged mbajtur në Korçë në vitin 2001, në kocertin live që u mbajt në shesh me rastin e Festës së Birrës, deri në vitin 2008, e më pas u largova jashtë vendit. Tani kam 4 vjet që jam kthyer, jo përfundimisht por shkoj e vij më shpesh këtu.
CMG: Ju në Shqipëri e realizuat dhe një album muzikor?
Ardian Dhimitri: E realizuam një album muzikor, të cilin e tërhoqëm nga tregu sepse nuk ishte momenti i duhur për të qëndruar në treg.
CMG: Kur mendoni të riktheheni me ndonjë concert, apo me materiale të reja muzikore?
Ardian Dhimitri: Grupi “Horizonti Blu” ka në repertorin e tij mbi 200 këngë të cilat janë krijuar, ndoshta shumë prej tyre janë të reja për publikun, por ato këngë janë që nga fillimet e Horizontit. Dëshira jonë është që këto këngë të mbeten dhe të këndohen. Kemi në projektet tona të afërta brenda vitit 2022 që “Horizonti Blu” të rikthehet. Është një projekt shumë i madh dhe po e them ekskluzivisht për ty Sava, për programin “Muzika shqip”, që koncerti i ardhshëm i grupit “Horizonti Blu” do të bëhet me Orkestër Simfonike. Fillimisht do të realizohet riorkestrimi i të gjitha këngëve në mënyrë që të përshtaten për Orkestër Simfonike.
Ishte periudha e pandemisë e cila na e ngadalësoi paksa këtë projekt, por në vitin 2022 mendoj dhe shpresoj se do jetë gati koncerti. Që nga ky moment grupi “Horizonti Blu” do jetë aktiv me koncerte në gjithë Shqipërinë dhe kudo në trojat shqiptare, por jo vetëm.
horizonti Blu 2021
CMG: Përpos këngëve, ti Ardian po merresh dhe me një tjetër projekt shumë të rëndësishëm. Do na i rrëfesh?
Ardian Dhimitri: Kam rreth 25 vjet që i jam kushtuar në teme, një studimi i cili ka të bëjë me teorinë muzikore, ku shpresoj që në fund të vitit të filloj me botimet e këtij studimi. Ka lidhje me teorinë muzikore botërore, ku ndryshon komplet konceptin se çfarë quhet muzikë sot. Është si të thuash, çfarë ekziston është gati 2 përqind e asaj që në fakt duhet të quhet muzikë. Është diçka krejt jashtë imagjinatës.
CMG: A do e kemi dhe në bibliotekën shqiptare këtë botim?
Ardian Dhimitri: Këtë studim e kam shkruar në gjuhën angleze, është pak e vështirë që të përshtatet e gjitha në gjuhën shqipe, se bëhet fjalë për një vepër shumë voluminoze. Janë më shumë se 500 mijë faqe, për të cilat më janë dashur t’i shkruaj për 25 vite me rradhë.
CMG: I ke kushtuar këtij projekti një çerek shekulli?!
Ardian Dhimitri: Unë e kam merak historinë dhe dëshira ime është që të mbetet emri im në histori.
CMG: Çfarë do të shtoje Dion, për djemtë e grupit të cilët ndodhen jashtë vendit dhe po na ndjekin në programin “Muzika shqip”?
Dion Titili: E para ata duhet të vijnë, siç u ktheva dhe unë (qesh). Bëj shaka sepse secili prej tyre ka angazhimet e veta, familjen e vet, por do ishte shumë mirë sikur të ktheshin të gjithë bashkë e të mblidhemi si dikur. Gjithsesi kam shumë besim se projekti që kemi me grupin, do na bashkojë së shpejti.
Dioni,Sava Ardiani
CMG: Kënga “Vetëm një biletë” ju rizgjoi kujtimet rreth një koncerti që është mbajtur në Tiranë kohë më parë…
Ardian Dhimitri: Ishte pranvera e vitit 1991 kur ne kishim një koncert live në Tiranë. Koncerti mbahej në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” sot. Kur ne shkuam atë mëngjes prilli për të bërë provën gjenerale, na thanë se biletat ishin shitur të gjitha, Pallati i Sportit ishte i rrethuar nga policia dhe nuk na lanë të hynim brënda. Aty mësuam se Pallati i Sportit ishte mbyllur sepse sipas burimeve të tyre, biletat ishin blerë nga minatorët dhe 500 persona pas koncertit kishin në plan të hynin në grevë urie. Kështu u anullua koncerti aty, duke u zhvendosur në ambjentin e Pallatit të Kulturës, ku u mbajt për tre netë me rradhë. Ka qenë një nga koncertet më të bukura që kemi dhënë ne si grupi “Horizonti Blu”. Ishim aq perfekt si me instrumentat ashtu edhe me zërat. Këndonim të gjithë në një kohë të gjashtë zërat, saqë filluan të flisnin sikur “Horizonti Blu” këndoi play-back, pasi nuk arrinte ta besonte njeri atë perfeksion.
CMG: Djema mendoj se jeni në rrugë të mbarë për t’i risjellë këto emocione për publikun që ju do, por dhe për të ushqyer rininë me muzikë të mirë sepse është shumë e rëndësishme çfarë ne u servirim brezit të ri. Suksese!
Dion Titili: Këtë shpresojmë edhe ne!
Ardian Dhimitri: Faleminderit Sava!
Intervistoi: Sava Lena