Bujar Çiçi, këngëtari i dashur për publikun që ndjek muzikën autoktone popullore të Shqipërisë së Mesme e nisi udhën e artit rreth vitit 1985. Performancat e tij të para nisën në gëzime familjare dhe shoqërore, më pas shumë shpejt vjen angazhimi i tij në Ansambil Tirana ku merr pjesë në evenimente të ndryshme. Rreth viteve 90-92, me ndryshimin e sistemit dhe me ardhjen e demokracisë, Bujari fillon aktivitetet e tij, duke qenë një nga promovuesit e recitaleve në Tirane dhe nëpër Shqipëri. Në vitin 2005, vjen koncerti i radhës ne Pallatin e Kongreseve me titull “Kur për ju kendon Bujari”, një recital, i cili përveçse mbushi sallën ka mbetur edhe sot në memorien e dashamirësve të artit dhe këngës popullore.
Buar Çiçi është vleresuar nga ish Presidenti i Rapublikes Z.Bujar Nishani me titullin “Mjeshter i madh” si dhe ka marrë shumë vlerësime për kontributin e tij në interpretimin e kengeve popullore. Në një intervistë për Radio Ejani ai flet rreth karrierës së tij të gjatë artistike si dhe projektet në të ardhmen.
Bujar Cici me veshje popullore
CMG: Përshëndetje Bujar dhe faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në emisionin Bio Folk.
Bujar Çiçi: Faleminderit për ftesën dhe ndjehem mirë për miqësinë tone. Sot jam i lumtur që jam në këtë intervistë me ty.
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë në skenë me këngën popullore bio. Jeni i kënaqur me arritjet tuaja ?
Bujar Çiçi: Para se të përgjigjem më ke liruar shumë me fjalën bio, jemi dy njerëz përballë bio, që nuk fillojmë vetëm me artin bio por jemi edhe nga geni bio. Përsa i përket pyetjes suaj se a jam i kënaqur, unë them se nëse do t’i vemë në peshë jam i kënaqur, por nuk ka kënaqësi më të madhe kur je përpara një auditori që të do dhe akoma më shumë duhet t’i japësh këtij auditori sepse është mbështetja më e madhe për një artist. Çdo arritje është djersë, punë, përkushtim dhe begenisje sepse duhet të këndosh, nuk është puna të këndosh një këngë e të mbyllesh në shtëpi, por të këndosh e t’i nxjerrësh njerëzit nga shtëpia. Kjo është arritja më e madhe që unë kam miq dhe njerëz që më duan.
Bujar Cici ne skene
CMG: Si keni mundur ta ruani muzikën popullore të pastër, duke qenë dhe i suksesshëm në një treg muzikor të vështirë?
Bujar Çiçi: Ka pasur vështirësi, por ka një problem tjetër që duke qenë i veshur me sinqeritet dhe i pastër në punën që bën dhe të ruash traditën do të thotë që të kesh një vlerë. Jo vetëm unë, por shumë kolege dhe kolegë të mi që ruajnë traditën, kanë një vlerë. Është kollaj të thuash edhe për ndonjë tjetër që ka dalë sot në këtë tregun e vëshitrë dhe thotë se edhe unë këndoj dhe kam mbështetës, ama po të garantoj pa dashur t’i hyj në hak askujt, se ata që marrin vlera pa dhënë vlera janë një stërmundim për veten e tyre dhe një konceptim i keq për auditorin.
Unë e kam ruajtur traditën sepse është trashëgimi shpirtërore, është dhunti e imja për të ruajtur traditën dhe për të qenë bujar sipas emrit, bujar në art dhe në miqësi.
CMG: Ju veçoheni ndër këngëtarët e muzikës popullore që keni një numër të konsiderueshëm koncertesh recitale. Si janë pritur këto koncerte nga publiku juaj besnik?
Bujar Çiçi: Janë vërtetë shumë recital, por unë do ta nis pak nga pjesa më pikante për një recital. Në vitin 1992 kam realizuar recitalin tim të parë privat në pallatin e sportit ish Partizani sot “Asllan Rusi” dhe nuk e imagjinon dot aq emocione dhe aq shumë dashamirës kanë qenë prezent. Çudia më e madhe e fillimit të recitaleve të mia ka qenë se kur shkova te dera polici nuk më la të hyja por më thotë, largohu kush je ti sepse ky është koncerti i Bujarit. Unë jam Bujari i thashë, pra polici nuk më njihte por erdhi regjisori Ilir Bega duke më thirrur të shkoja shpejt se fillonte koncerti dhe nga ajo kohë unë nuk ju jam ndarë recitaleve.
Unë kam realizuar 14 koncerte recitale në të gjitha skenat e Tiranës, në pallatin e sportit në Durrës, në pallatin e sportit në Elbasan dhe në pallatin e kulturës në Fushë Krujë.
CMG: Ju keni qenë gjithmonë i pranishëm në evente të ndryshme artistike, ku një prej këtyre eventeve ka qenë edhe “Sofra Tiranase “. Keni qenë pjesëmarrës në çdo edicion të saj, por dhe jeni vlerësuar nga ky event.
Bujar Çiçi: “Sofra Tiranase” ka qenë mezja më e mirë për këtë auditor ku mblidhen të gjithë këngëtarët për të festuar atë ditë, sepse aty nuk është për të garuar por është për të festuar. Faleminderit Shoqatës Tirana dhe kryetarit të saj Z.Arben Tafaj që më kanë vlerësuar me titullin e madh “Mirënjohja e Tiranës” dhe i ndjehem borxhli kësaj shoqate dhe këtij auditori tiranas të mrekullueshëm, pa hedhur poshtë të gjithë Shqipërinë kudo ku kam shkelur, por jemi pjesë e Tiranës dhe kjo pjesë na ka çuar deri këtu ku jemi sot. Unë kam 17 vite që marr pjesë te “Sofra Tiranase” dhe çdo vit është kënaqësi e madhe ku ndjehmi shumë mirë dhe me moral të lartë sepse nuk është dhe aq e lehtë të qeshësh në skenë me artistët se dashje pa dashje krijohet një lloj gare, por siç e shpreha më lart që ky event nuk është garë por një përkushtim dhe meditim i artistit për të dalë në skenë dhe për të kënaqur publikun, duke marrë dhe duartrokitjet e tyre.
Bujar Çiçi në ceremoninë e marrjes së titullit Mjeshtër i Madh
CMG: Para disa vitesh jeni vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i madh”, por edhe vlerësime të tjera për kontributin tuaj në art.
Bujar Çiçi: Ish Presidenti i Republikës Z.Bujar Nishani me iniciativën e Shoqatës Tirana vuri në vend të vet një titull që ishte nisur pak më përpara, por ishte lënë në harresë. “Mjeshtër i madh” është një detyrim i madh për mua sepse në disa ekrane më kanë thënë se jam bërë dembel por që nuk jam bërë dembel sepse kohët evulojnë dhe kur nuk ka dritare siç është kjo e juaja bio edhe ne dembelosemi pak duke u bërë nazeli, por jemi shumë afër me njerëzit. Ai titull dhënë nga Presidenti më tepër është një barrë për mua sesa një vlerësim, sepse është e lehtë ta marrësh por e vështirë ta ruash titullin. Ky nuk është vetëm titulli im, por është i shumë dashamirësve që më duan dhe i shumë kolegëve që kanë punuar me mua. Një titull tjetër që kam marrë ku realisht për herë të parë në Shqipëri ka ardh një çertifikim për këtë titull, Bujar Çiçi Mjeshtër i madh me rastin e ditës botërore të vlerave. Jam ndjerë shumë krenar në Muzeun Kombëtar ku më ka ardhur ky titull dhe kemi qenë dy artistë, unë dhe i madhi i skenës shqiptare zoti Bujar Kapexhiu.
CMG: Sa ka ndikuar koha e gjatë e pandemisë në aktivitetet tuaja artistike, qoshin këto edhe gëzimet familjare?
Bujar Çiçi: Vetëm nëse je hipokrit mund të thuash që nuk e kam ndjerë. E kemi ndjerë jashtëzakonisht shumë në punën tonë. Ky vit ka qenë shumë i vështirë sepse ka pezulluar gjithçka. Për të qenë artist dhe për të ruajtur këtë vlerë unë kam ruajtur dhe veten sepse nuk kam dashur që të shkoj në një punë fshehtazi. Unë dua të rri artist, bukë e kripë dhe artist. Edhe pse viti i vështirë, me forcë dhe vullnet, me njerëz që më duan dhe ndihmojnë do t’i vij në fund të marsit këtij auditori me katër këngë të reja hite. Shpresoj që këto katër këngë në fund të muajit mars të bëjnë bum.
CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj për realizimin e këtyre këngëve?
Bujar Çiçi: Unë pas bashkëpunimit të mrekullueshëm me Jorgo Papingjin, Edmond Zhulalin, Luan Zhegun, Miron Kotanin dhe mikun tim Ilir Ballën, kam disa vite që bashkëpunoj me krijuesin momentalisht për traditën Gëzim Mneri, i cili është orkestrues dhe tekstshkrues. Kam edhe një tekst kënge me poeten e re Sara Fuga, kam dhe një këngë të një mikut tim që është në emigracion, një djalë Tirane Mentor Sallaku, i cili ka bërë një tekst të mrekullueshëm dhe me shpresën te Zoti do t’i sjellme potencë dhe vlerë, që të prekin spektatorin.
Bujar Cici ne interviste per CMG
CMG: Keni shumë vite që bashkëpunoni me këngëtarin e mirënjohur Reshit Boka dhe të dy jeni një duet unik në muzikën popullore.
Bujar Çiçi: Ti e the shumë bukur unik. Për të folur për Reshitin do të duhet të rrish dhe tre ditë me mua sepse potenca që kemi pasur ne të dy dhe çiltërsinë në punë si dhe kolazhet apo albumet që kemi bërë me Reshitin live dhe në studio si dhe koncertet e shumta këtu në Shqipëri apo jashtë vendit, bëjnë që ne nuk mund të konceptohemi dot të ndarë. Ne jemi dy njerëz që na ka bashkuar i madhi Zot. Qeshim ndonjëhere sepse edhe nga shtëpia me telefon pa u parë fare këndojmë, aq aftësi dhe bujari kemi pasur të dy bashkë.
CMG: Faleminderit për këtë bisedë të bukur dhe të çiltër. Së fundi një mesazh urimi për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk.
Bujar Çiçi: Mesazhi im është për të gjithë njerëzit, dëgjoni bio, shijoni bio, ushqehuni bio dhe jetoni bio. Uroj vetëm shëndet dhe të gjithë dashamirësëve ju them të dëgjojnë muzikë dhe Radion Ejani.
Intervistoi: Gazmend Agaj