Alida Hisku është një ndër artistet më të mira shqiptare e cila karrierën e saj artistike e ka nisur që në moshë të vogël me pjesëmarrjen e saj në festivalet e fëmijëve, për të kaluar në festivalin e të rriturve, siç është ai i RTSh-së. Në moshën 13 vjeçare Alida Hisku debutoi në Festivalin e 9-të të Këngës në vitin 1970, për të interpretuar në atë skenë për vite e vite me rradhë, e ku solli hite të cilat kanë mbetur gjatë në kujtesën e të gjithëve, por njëkohësisht edhe shumë çmime, të para, të dyta e të treta. Shumë kompozitorë u dashuruan me të kënduarit dhe me zërin e saj, saqë dukej sikur po garonin me njëri- tjetrin se cili prej tyre do të krijonte këngë për timbrin dhe ngjyrën e zërit të saj. Zërin, të cilin ja dhuroi Zoti, por edhe një shpirt të bukur e të madh artistik.
Alida Hisku ka bërë përpjekje titanike për të dalë sa më mirë para publikut të saj që aq shumë e deshi dhe vazhdon ta dojë.
Pas largimit nga Shqipëria dhe përkushtimit të fëmijëve, ajo i rikthehet muzikës me projekte të reja muzikore, duke pasqyruar fisnikërinë dhe shpirtin artistik që e ka shoqëruar përherë.
CMG: Përshëndetje Alida! Uroj të jesh mirë me shëndet! Kënaqësi që të kam të ftuar në programin “Muzika shqip”!
Alida Hisku: Përshëndetje të gjithëve! Faleminderit që më dhe mundësinë të jem me ju sot.
CMG: Ti ke shumë për të rrëfyer, por unë kam dëshirë që ta nis me një pyetje rreth fillimeve të tua në muzikë. Ishe vetëm 13 vjeç kur kur ke interpretuar për herë të parë në skenë, ku këndove këngën kushutar heroinës Shkurte Pal Vata. Çfarë kujton nga ky moment?
Alida Hisku: Është e vërtetë që karrierën time e kam nisur në moshën 13 vjeçare. Kur kam qenë në shkollën 8-vjeçare mora pjesë në Festivalin e 9-të të Këngës në Radio me këngën kushtuar Shkurte Pal Vatës, e cila ishte një heroine, që dha jetën në aksion në hapjen e rrugëve.
Alida Hisku në vitet e rinisë
CMG: Ishe nxënëse e klasës së tetë asokohe. Si ndjeheshe kur shokët, shoqet e mësuesit e mësuan se do të merrje pjesë në festivalin e vetëm të muzikës shqiptare?
Alida Hisku: Për mua ishte një privilegj shumë i madh të merrja pjesë në një festival me këngëtarë e emra të njohur të muzikës si, Vaçe Zela, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi etj. Unë kam pasur një karrierë artistike që fëmijë. Kisha marrë pjesë që herët në festivalin e fëmijëve, të pionerëve dhe fatosave, gjithashtu mora pjesë dhe në një konkurs të cilin e fitova që të merrja pjesë në atë festival kaq të madh.
Ndjehesha shumë e privilegjuar nga mësuesit dhe shokët e shoqet e shkollës. Janë gjëra të paharruara.
CMG: Nuk kishte një kufi moshe për pjesëmarrësit?
Alida Hisku: Në atë kohë duhet të mbushje 16 vjeç që të merrje pasaportën dhe më pas të merje pjesë në festivale për të rritur apo në organizime të ndryshme. Në këtë festival për këtë portret heroine të Agim Krajkës u nderova me çmimin e dytë. Ishte një këngë që e këndova me gjithë shpirt, jo vetëm se ishte një bashkëmoshatare e imja Shkurte Pal Vata, por ishte dhe një këngë shumë e bukur.
CMG: Dmth ti vetëm 13 vjeç u shpërbleve me Medalje Ari. E ke sot atë medalje?
Alida Hisku: Kam marr pjesë në 10 festivale dhe gjithmonë kam qenë kjo që jam sot, prandaj më bëri më të lidhur me publikun dhe artdashësit.
Para se të hyja në festivalin e Radio Tiranës, kam qenë në festivalin e pionerit, në festivalin e rinisë "Festivali i zërave të rinj" dhe aty më kanë dekoruar jashtë çmimeve me një medalje ari. Gjithashtu në festivalin e Pionerëve në Shkodër jam nderuar me çmimin e parë me këngën "Vjelëset e portokallit" këngë e Tonin Daisë, vëllait të Tish Daisë. Kam marr shumë çmime, të cilat më kanë ndihmuar të ngjitem në shkallët e karrierës në muzikë.
CMG: E ndërsa vitet kalojnë dhe prezantimet e tua janë vit pas viti, ti vlerësohesh pas tre vitesh me çmimin e dytë të festivalit me këngën "Shqipëria më thërret".
Alida Hisku: Pas festivalit të 9-të, filloi i 10-ti ku mora pjesë me këngën "Shqipëria përshëndet", një këngë shumë e bukur e kompozuar nga Ferdinand Deda.
Eh çfarë këngësh kanë qenë në ato këto edhe pse kanë kaluar gjithë këto vite, ende po më rrëngjethet mishi kur i kujtoj me mall! Kështu pasohen këngët njëra pas tjetrës. Më pas mora këngën e të madhit Agim Krajka, i cili u nda nga jeta tani afër. Me këngën e tij “Këngët e rinisë” mora çmimin e dytë. Janë këngë të cilat nuk i ndërroj me asnjë muzikë tjetër shqiptare. Këto këngë janë hymne të cilat janë gdhendur në gjakun tim edhe sot që unë jam 63 vjeçe.
Alida Hisku dhe artistë gjatë dekorimit në Presidencë
CMG: Ndërsa vazhdoje Liceun Artistik, ishe njohur edhe me punën njëkohësisht. Një jetë mjaft dinamike për nje adoleshente. Ndjeheshe më e rritur se moshataret e tua?
Alida Hisku: Kur mbarova Liceun, unë fillova punën në Shtypshkronjën Mihal Duri sepse në atë kohë kënga ishte thjesht një hobi, nuk kishe përfitime prej saj. Plus që kur e ke hobi dhe pasion diçka të fal shumë satisfaksion. Në punën time si tipografe kam punuar për 20 vjet dhe paralelisht kam kryer dhe shkolla të larta. Gjithashtu në moshën 20 vjeçare u bëra mama. Jeta nuk ishte e lehtë për mua. Në fillim të viteve 90-të unë emigrova drejt Gjermanisë. Fillimet ishin të vështira sepse nuk e dija gjuhën gjermane, isha vetëm me dy fëmijët e mi në një vend të huaj. Në këtë periudhë më ka munguar shumë publiku shqiptar. Gjermani nuk më bëhej publik. Kam bërë punë të ndryshme 3-4 profesione të ndryshme. Kam pastruar shtëpi e banjot e Gjermanisë që të siguroja qeranë e shtëpisë dhe shkollën e femijëve. Pas tetë vitesh pune mora dokumentat gjermane. Më vonë u njoha dhe me bashkëshortin tim gjerman. Gjatë gjithë kësaj kohe kam pasur në shpirt publikun shqiptar. Për një periudhë të gjatë kohe jam angazhuar për kujdesin familjar, rritjen e fëmijëve dhe e harrova Alidën këngëtare. Kur u rritën fëmijët fillova të lëviz nga pak, të organizoja projekte me grupe të vogla këngëtarësh në Gjermani. Kam organizuar festa në arenën e muzikës gjermane.
Oborri i shtëpisë së Alida Hiskut i kthyer në shesh spektakli
CMG: Më trego më zgjeruar të lutem rreth organizimit të festave, koncerteve në oborrin tënd të shtëpisë në Gjermani?
Alida Hisku: Pasi femijët mbaruan shkollën e u bënë më të pavarur, atëherë fillova të mendoj dhe unë për veten time. Bleva një shtëpi të vogël në Gjermani, me një oborr shumë të madh. Për një vit e gjysmë rregullova oborrin, ndërtova një skenë të vogël prej 6 metrash katror dhe qëllimi ishte që t’i rikthehesha muzikës. Realizova një lulishte shumë të bukur dhe fillova të organizoja çdo fundjavë koncerte me artistë gjermanë, spanjollë, të nacionaliteteve të ndryshme, por edhe të gatuaja vetë ushqime tradicionale shqiptare. Këtu ju riktheva edhe një herë ëndrrave të mia dhe në Gjermani bëri bujë të madhe e gjithë puna ime. Tani për shkak të pandemisë nuk e kam hapur më. Më mungojnë shumë ato koncerte, gastronomia etj.
CMG: Cilat janë projektet e tua në vazhdim?
Alida Hisku: Në tetor isha në festivalin e kantautorit Gjergj Leka, të cilin e falenderoj shumë, që më dha mundësinë që ne brezi “bio” të mbetemi po njëlloj në këndimin “live” edhe sot.
Momentalisht po punoj për një projekt të ri. Kam mbledhur të gjitha këngët e mia, të cilat po i përpunoj dhe kam dëshirë që t’i publikoj të shoqëruara me videoklipe, e t’i hedh në kanalin Youtube, ku të më shohin më shpesh të gjithë artdashësit shqiptarë. Sapo pandemia të përfundojë, do të jem e pranishme me shumë projekte të reja.
Alida Hisku dhe gazetarja Sava Lena
CMG:Çfarë do të shtoje së fundi?
Alida Hisku: Dua t'ju falenderoj ju si staf i programit “Muzika shqip” dhe radio “Ejani”. I falenderoj të gjithë fansat e mi që më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës sime, të cilët janë motivi i jetës sime dhe shpirtit tim. Një falenderim të veçantë kam për të gjithë adhuruesit e muzikës sime, të cilët edhe pse nuk kisha aktivitet artistik për vite me rradhë, nëpërmjet rrjeteve sociale facebook-ut apo lidhjeve të tjera virtuale nuk më kanë harruar, por përherë më vlerësojnë. Ky është një çmim i madh për mua.
Ju them të gjithëve, jetojeni jetën sepse vetëm një herë ju vjen. Pasuria është në shpirt e jo në xhep.
Intervistoi: Sava Lena