Kantautori i njohur Devis Xherahu e ka prekur skenën që i vogël me festivalet e fëmijëve në qytetin e Korçës. Është brezi i katërt i rritur në Korçë dhe rrjedh nga një familje intelektualësh me dy prindërit mësues. Këngën e ka të trashëguar nga gjyshi i tij Vaskë Xherahu një nga themeluesit e korit karakteristik "LIRA" në Korçë. Skena e parë për Devisin si për të gjithë korçarët ishte rruga me kalldrëm e Korçës. Në vitin 1993 ai fitoi çmimin e parë në Festivalin e Serenatës Korçare.
Gjithashtu me pjesëmarrjen në një program televiziv grek, ai e shpalosi talentin e tij dhe u bë i njohur edhe në muzikën helene, ku në vitin 1997 në një Talent-Show në Greqi u vlerësua me çmimin e parë. Në vitin 1998 Devis Xherahu publikon albumin "Në Errësirën e natës". Në vitin 2005 hyri në spektaklin "Fame Story", një ndër spektaklet më të ndjekura në Greqi, ku konkuruan 14 mijë dhe u pranuan vetëm 14 konkurentë. Në këtë veprimtari Devis Xherahu me këngën "Sorry Seems to be – The Hardest word" mori çmimin si interpretuesi më i mirë i spektaklit. Më pas jeta e tij artistike vazhdoi rrjedhën e saj në Tiranë me pjesëmarrje të ndryshme në festivalin e Rtsh-së, “Kënga Magjike”, “Top Fest” si edhe vazhdon të jetë aktiv me pjesëmarrje në shumë formate dhe spektakle televizive, por edhe mjaft produktiv me publikime të materialeve të reja muzikore. Si përherë i veçantë në llojin e tij edhe këtë herë ai ka goditur me bashkëpunimin që solli këngëtaren e parë të serenatave korçare Spanja Pipa, ku interpretuan duetin e këngës “Ti ma more zemrën”.
CMG: Përshëndetje Devis! Si je me shëndet?
Devis Xherahu: Deri tani jam mirë shyqyr Zotit! Nuk e di nëse e kam kaluar në këmbë këtë virus, apo jo.
CMG: Gjithësesi duhet të mësohemi, se siç duket ky virus do bashkëjetojë me ne dhe për shumë kohë.
Devis, ti e risolle mjaft bukur një serenatë korçare në duet me femrën e parë që i ka kënduar serenatat, Spanja Pipa. Si erdhi ky duet?
Devis Xherahu: Erdhi rastësisht. Dy muaj përpara këngës unë kam trokitur te porta e shtepisë së Spanjës. Tamam, tamam u bë sebep Pandi Laço me emisionin "Kënga ime" në të cilën ishte nata korçare. Duhet të shkonte diku që të interesohej për origjinën e serenatave. Ishin dy këngë që kam kënduar, por nuk e dija as tekstin e as muzikën se kush e kishte bërë. Kisha rreth 15 vjet që nuk e kisha takuar Spanjën.
CMG: Ka qene ajo këngëtarja jote e preferuar?
Devis Xherahu: Pa diskutim! Ajo është pionere e serenatave. Unë brezi i katërt në Korçë. E kam të dyfishtë të trashëguar edhe nga qyteti, por edhe nga gjyshi im Vaskë Xherahu. i cili është themeluesi i grupit “Lira”.
CMG: Më pas e hapi portën Spanja?
Devis Xherahu: U habit dhe ndërkohë më priti duke kënduar këngën “Trokit, trokit, trokit!”. Pastaj nisa të bëja një video duke kënduar një këngë që ta kisha për kujtim dhe së bashku kënduam këngën e bilbilit. Kur filloi Spanja për momentin harrova se ajo është 83 vjeçe, pasi nga zëri kishte mbetur si i një zonje 40 apo 50 vjeçe. Që nga ai moment më lindi idea se duhet të bëja një bashkëpunim. I kërkova të më sygjeronte disa këngë të vjetra. Sapo më tregoi për këngën “Ti ma more zemrën” më ngjiti direkt. I thashë: “Teta Spanja unë dua ta bëjmë duet këtë këngë”. Ajo mu përgjigj: “Unë kam kohë që s’këndoj nëpër skena”. Por unë isha i sigurtë dhe e sigurova edhe atë se unë me duetet godas gjithmonë. Spanja më tha se i kishin bërë plot oferta dhe nuk kishte dëshirë të dilte para publikut, por mua më do shumë dhe e pranoi propozimin tim. Kështu u gjendëm në studio në Korçë ku Spanja këndoi pjesën e saj, më pas erdha në Tiranë me miqtë e mi Shkëlqim Dule dhe Evis Çaushi, të cilët bënë orkestrimin e këngës. Shkuam në Korçë në një nga shtëpitë më të vjetra e restauruar sot, kulturë e aristrokracisë së Korçës e viteve ’30, është ish shtëpia e një prej tregëtarëve më të mëdhenj, e Rakos. Ajo është një mrekulli sa i përket arkitekturës. Miku im Nesti e ka restauruar dhe sot është hoteli ku vendosëm të bënim xhirimet.
CMG: “Ti ma more zemrën” e zgjodhi Spanja apo ti?
Devis Xherahu: Kjo është një këngë e viteve ’50. Kanë qënë në mendjen time disa fraza, por nuk i lidhja dot. Madje dhe në Korçë nuk i dinin të gjithë. Mua më pëlqejnë ato të vjetrat, që i kanë dy gisht pluhur.
CMG: Çfarë të veçante kanë serenatat për ty, Devis?
Devis Xherahu: Është ADN-ja ime. Kur thua Devis Xherahu, ke thënë serenatë, kur thua korçar ke thënë serenatë. Prej katër brezash në Korçë, gjithashtu edhe nga gjyshi jam rritur me serenatën dhe skena ime e parë është rrugica korçare.
CMG: Sa ka ndikuar pandemia tek ty në aspektin artistik për të qenë produktiv?
Devis Xherahu: Unë kam disa kohë që jam produktiv sepse kam 3-4 vjet që e shkruaj vetë muzikën. Kështu edhe gjatë periudhës së pandemisë unë mendova të bëj atë që di të bëj më mire. Korona le të bëjë atë që di të bëjë ajo, kështu që vazhduam paralelisht kush të mundë tjetrin. Vetëm se nuk kam marr benefitin e koncerteve që na ka munguar, pasi nuk lejohen mbledhjet e shumta me njerëz.
CMG: Të ka munguar publiku?
Devis Xherahu: Patjetër që po. Kam 30 vjet në skenë, jetoj me këngën, me publikun, me skenën dhe tani e ndiej se jam bosh. Edhe ana financiare është pjesë shumë e rëndësishme, por ajo artistike më mungon shumë. Herë pas here marr kitarën dhe publikoj videot e mia, duke kënduar nga shtëpia. Në një farë mënyrë e bëj atë pastrimin tim artistik të shpirtit.
CMG: Festivali artistik çfarë rëndësie ka për ty meqënëse ke marr pjesë herë pas here?
Devis Xherahu: Festivali ynë është Sanremo shqiptare. Unë jam rritur me festivalin dhe vetëm atë gëzim kishim. Ishte dhe koncerti i stinës “Kur vjen pranvera”, por festivali kishte tjetër rëndësi.
CMG: Vazhdon po i njëjti emocion?
Devis Xherahu: Për mua po. Brezat e rinj rriten sot me “Kënga Magjike” me “Top Fest” etj, por ne atë e kishim ushqim shpirtëror. Aty ishte ballafaqimi i gjithçkaje të bukur, që krijohej gjatë gjithë vitit. Dhe unë sa herë që të kem materiale të mira, do të marr pjesë në festivale. Një vit më parë zgjodha të merrja pjesë në festival me një serenatë. U frymëzova nga arbëreshët që erdhën në festival në vitin 1992, vëllezërit Scaravaglione dhe i kërkova poetit Jorgo Papingji një tekst për atë këngë dhe kështu shkova në atë festival ku zuri vendin e 10-të.
Ndërsa këtë vit u ngacmova nga ikja e brezit të tretë, shokë, miq, dhe mu kujtua dhe babi im, gjuha shkon aty ku të dhemb dhëmbi. Duke u nisur nga kjo situatë, si dhe kujtimin që kisha nga humbja e babit tim në vitin 2007 mora kitarën dhe fillova të shkruaja këngën “Peng”, në bashkëpunim me mikun tim Pandi Laço, i cili shkroi një tekst kryevepër. Pandi gjeti veten aty, sepse dhe ai nuk e ka babain, kështu u bë një dyshe shpirtërore shumë e fortë.
CMG: Ty personalisht të ka mbetur ndonjë peng në jetë?
Devis Xherahu: Unë mundohem mos të kem pengje, sepse qoftë e mirë apo e keqe diçka nëse e kam bërë në jetë, ka qenë për kohën e vet. Nëse kthehem në retrospektivë atëherë mendoj se për atë kohë kam bërë maksimumin dhe kam menduar se ka qenë diçka pozitive, mirëpo jeta ka shumë pikëpyetje. Mund të them se jam i plotësuar sa i takon gabimeve të mia për kohën që ka qenë.
CMG: Cili është bashkëpunimi, dueti yt më i dashur?
Devis Xherahu: Këtë nuk mund ta ndaj dot sepse është si puna e gishtave të dorës, ndaj unë kur bëj një duet mendohem mirë. Secila prej tyre ka rëndësinë e vet, nuk mund t’i peshoj kush është më e rëndë e kush është më e lehtë, të gjitha kanë peshën e vet, në llojin e vet.
Në këtë moment jam i dashuruar me duetin me Spanja Pipën se është më e freskët, po është edhe kthim në identitet.U ktheva aty ku unë në vitin 1998 kam bërë një koncert vetëm me serenata në Teatrin e Korçës ku realizova dhe një kasetë me serenata “Në errësirën e natës”
CMG: Do i ktheheshe një koncerti tjetër recital?
Devis Xherahu: E kam menduar që t’i kthehem një koncerti me serenata, por kjo koha e pandemisë të pengon në shumë gjëra, sepse është një punë vërtetë shumë e madhe. Shpresoj që të dalim sa më shpejt nga kjo situatë dhe të rikthehem me një koncert të tillë.
CMG: Uroj që gjithçka të realizohet! Gjithashtu dua të të përcjell urimet e mia për celebrimin tënd me Ertemionën!
Devis Xherahu: Ishte më shumë një celebrim familjar se një celebrim shtetëror. Unë jam fans i kishës për të realizuar aty martesën, por në këtë moment ajo nuk mund të bëhet, thjesht u zyrtarizuam.
CMG: Tani do doje ta zgjeroni familjen me vajzë apo djalë?
Devis Xherahu: Thonë që vajzat janë më të mira për babain, por unë nuk jam fanatik i këtyre. Sido që të jetë, mjafton të jetë mirë me shëndet dhe çfarëdo që të vijë është i mirëpritur madje edhe binjakë, pse jo.
CMG: Çfarë do i thoje dëgjuesve të programit?
Devis Xherahu: Të dëgjojnë sa më shumë muzikë shqip! Faleminderit për intervistën në radion tuaj simpatike “Ejani”.
Intervistoi: Sava Lena