Klara Bakiu është këngëtare e njohur e muzikës popullore qytetare vlonjate, e cila edhe pse prej kohësh e shkëputur nga skena dhe spektaklet muzikore këtu në Shqipëri, aktiviteti i saj artistik ka qenë i shumtë në diasporë kudo që jetojnë e punojnë shqiptarët. Klara me një zë të ëmbël dhe një buzëqeshje të ngrohtë në skenë ka një karrierë të gjatë në interpretimin e këngëve popullore kryesisht të trevës së jugut të Shqipërisë. Ajo kulmin e saj artistik e pati në vitin 1995 gjatë spektaklit “12 ne Hollywood” ku u identifikua si një artiste profesioniste dhe me shumë sharm në skenë. Disa nga interpretimet e saj më të suksesshme janë këngët “O bilbil i malit”, “Esmerkë” e këngë të tjera vlonjate. Në një intervistë ekskluzive për emisionin Bio Folk në Radio Ejani, Klara na tregon për aktivitetin e saj artistik në diasporë si dhe planet për të ardhmen.
CMG: Klara faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në emisionin Bio Folk.
Klara Bakiu: Ju falenderoj edhe unë për ftesën dhe jam e nderuar që më ftuat në këtë emision, sidomos në këtë periudhë shumë të vështirë për njerëzit siç është pandemia. Ftesa juaj më erdhi si surprizë edhe pse unë jam larg nga Shqipëria, por kjo ishte një rastësi shumë e bukur që erdha në emisionin tuaj.
CMG: Ju e përmendët edhe vetë situatën që po kalojmë me pandeminë. Sa ka ndikuar ky vit i vështirë i pandemisë në aktivitetet tuaja artistike?
Klara Bakiu: Si çdo njeri i zakonshëm duke përjashtuar artin në përgjithësi kemi pasur probleme nga kjo situate, sepse pandemia nuk la pa prekuar personat e afërt dhe shumë familje. Megjithatë edhe pse ka qenë kjo situatë kemi bërë periudha të gjata pushimi, gjë e cila më përpara nuk ka ndodhur, sepse kemi marrë pjesë në shumë evenimente, por diku kemi bërë ndonjë aktivitet të vogël, duke respektuar edhe protokollet e pandemisë me një numër të kufizuar njerëzish.
CMG: Ju si artiste kulmin tuaj e kishit në vitin 1995 në spektaklin e muzikës popullore “12 në Hollywood”, duke interperetuar mjeshtërisht këngën qytetare vlonjate. Akoma njerëzit e mbajnë mend atë Klarën simpatike në skenë.
Klara Bakiu: Po është e vërtetë. Unë kam vite që jam shkëputur nga Shqipëria, duke qenë e angazhuar nëpër botë me aktivitete artistike, si në Zvicër, Norvegji, Itali e vende të tjera, mirëpo jam habitur sepse ka pasur raste ku edhe nëpër markete kur kam qenë duke paguar, gratë anash më kanë thënë ku je se ke humbur dhe Shqipëria nuk të harron. Më ka ardhur shumë mirë duke ditur që kanë kaluar shumë vite që unë nuk kam marrë pjesë nëpër aktivitetet e mëdha në Shqipëri. Në fakt nuk i jam përkushtuar shumë këtyre aktiviteteve në Shqipëri, por prapë se prapë jam e kënaqur që njerëzit nuk më kanë harruar edhe pas kaq vitesh shkëputje nga skena. Shumë më shkruajnë edhe në rrjetet sociale, duke më pyetur se ku jam.
CMG: Klara ju dalloheni për ruajtjen me fanatizëm të muzikës popullore të trevës së jugut, por edhe atë shqiptare në përgjithësi duke mos eksperimentuar me rryma të tjera muzikore.
Klara Bakiu: Unë asnjëherë nuk kam dalë nga korniza e këngës bio popullore dhe më ka pëlqyer gjithmonë, sepse ajo është baza e këngës. Tani muzika është bërë komerciale dhe ka hyrë muzika tallava apo turbo folk, mirëpo kush e do muzikën e mirëfilltë bio dhe kush mendon që ka vlera dhe si humbasin ato vlera asnjëherë ndër vite, atëherë duhet t’i qëndrojë asaj sepse ato janë perla që nuk mund t’i zëvendësojë asgjë tjetër. Sado që të mundohen me muzikën tallava apo turbofolk prapë perlat janë perla dhe asnjëherë nuk i zë pluhuri.
CMG: Akoma fansat tuaj dëgjojnë me ëndje këngët tuaja popullore të regjistruara vite më parë. Mos ndoshta ka ardhur momenti për të realizuar disa këngë të reja popullore?
Klara Bakiu: Dëshira është e madhe pavarësisht jetës si ka rrjedhur, por unë kam menduar në ndonjë spektakël që të jetë bio folk do të kisha marrë pjesë me gjithë dëshirë me ndonjë këngë të re popullore, sidomos nëse organizohet nga njerëz profesionistë të cilët ja dinë vlerën këngës popullore tradicionale.
CMG: Çfarë repertori kërkohet nga publiku nëpër eventet ku ju angazhoheni?
Klara Bakiu: Publiku ka dëshirat e veta edhe në llojin e muzikës. Kështu që duke ecur nëpër botë dhe duke parë se çfarë dëshirash kanë në aspektin muzikor jam munduar që t’i përshtatem kërkesave të tyre. Nganjëherë kam dalë edhe jashtë trevës time që është kënga labe. Ne që këndojmë në diasporë i këndojmë të gjitha, duke u munduar që të përshtatemi dhe me kërkesat e publikut. Unë kam kënduar edhe këngën e Esmerkës apo edhe “Si më ke sytë më ke vetullat” që është e Shqipërisë së mesme, por edhe këngë patriotike pavarësisht që nuk na shkojnë shumë ato këngë ne mundohemi të japim maksimumin dhe të pëlqehemi.
CMG: Sa e kërkuar është kënga popullore qytetare vlonjate në aktivitetet ku ju keni marrë pjesë?
Klara Bakiu: Ka shumë njerëz që e pëlqejnë dhe unë ndonjëherë habitem dhe them si ka mundësi që kënga “Nën një portokalle” e cila është një këngë vlonjate këndohet në çdo vend nga të gjithë dhe nuk ka shqiptar që nuk e di këtë këngë. Këto kanë qenë këngë të dëgjuara ndër vite dhe publiku dinte shumë këngë të vjetra popullore më mirë se neve, duke na korigjuar nëse bënim ndonjë gabim të vogël gjatë këngës. Pra publiku ka qenë shumë i dëshiruar për muzikën e pastër popullore dhe neve kur i dëgjonim që i këndonin aq bukur këngët na dhanë vullnet për t’i kënduar akoma këto këngë.
CMG: Duke qenë se jeni më shumë e angazhuar me koncerte jashtë Shqipërisë, mendoni se publiku në diasporë ka më shumë mall për këngët tona popullore?
Klara Bakiu: Publiku në diasporë është shumë i përmalluar për muzikën tonë dhe e vlerësojnë shumë muzikën tonë popullore. Ata janë artdashës dhe mikpritës dhe ne nuk ndjehemi sikur jemi jashtë vendit tone, sepse ata dinë të vlerësojnë edhe artistin dhe këngën.
CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk.
Klara Bakiu: Mesazhi më i mirë që mund të jap është ta duan artin shqiptar sepse është arti më me baza dhe janë perlat e një populli historikisht të vjetër. Duajeni dhe njeriun e artit sepse është kultura e një vendi. I uroj edhe gjithë popullit shqiptar të jenë shëndoshë në këtë situate, duke shpresuar që të ngjallet edhe njëherë ajo jeta gjallëruese edhe në art.
Intervistoi: Gazmend Agaj