Nëse kishte një motiv të fortë për të ndjekur festivalin tradicional të muzikës së lehtë shqiptare, gjatë viteve të errëta të diktaturës, pa dyshim që ishin këngët lirike të kompozitorit Agim Krajka, i cili fatkeqësisht nuk është më mes nesh.
Arti shqiptar humbi Agim Krajkën, njeriun që bëri epokë me muzikën.
Në vitet e një rregjimi të egër e të ftohtë, këngët e kompozitorit të talentuar ngrohën shpirtërat e shqiptarëve.
Këngët e tij vërshëlleheshin si motive dashurie në buzët e të rinjve, ndërsa të gjithë prisnin me kërshëri të dëgjonin këngën me të cilën Agim Krajka do të konkurronte në festivalin e radhës të muajit dhjetor, e vetmja skenë e muzikës së lehtë shqiptare të atyre viteve.
Kjo sepse Agim Krajka dinte të ishte përherë i freskët me krijimet e tij, melodioz, antikonformist, e mbi të gjitha solli ritmin që aq shumë i mungonte muzikës sonë të atyre viteve si dhe vetë jetës së shqiptarëve.
Zhani Ciko, një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij në vite në fushën e muzikës, e konsideron Agim Krajkën si mit të muzikës shqiptare, duke u bërë djali që pëfaqësoi muzikën e lehtë shqiptare.
“Agimi hyri në muzikën shqiptare, pas një përgatitje serioze në shkollë dhe me veprat serioze, me të cilat u diplomua, u fut nepërmjet festivalit, nga një derë e veçantë, të cilën e hapi një herë, prej nga ku nuk doli e s’do të dalë kurrë prej saj. Në muzikën shqiptare, që atëherë quhej e lehtë, Agimi u fut në mënyrë të natyrshme, krejt të ndryshme, krahasuar me këngët që shkruheshin në atë kohë, këngë të bukura, të cilat filluan menjëherë të pëlqeheshin nga publiku, që nga edicioni i parë. Agimi që edicionin e parë pati profilin e tij të veçantë që s’iu nda kurrë. Mjafton të kujtojmë këngët “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Kënga e gjyshes”, etj., që vazhduan deri vonë, që kanë hyrë në një album të veçantë, që i përket trashëgimisë gojore, sepse i këndon çdo njeri, i di kushdo.
Pra krijimtaria e Krajkës u afirmua si një krijimtari e sinqertë, rinore, me një sens të vetin ritmik, shumë të përkorë dhe shumë të zgjedhur për kohën. Dhe kësaj i qëndroi besnik deri në vitet ’90, ku ishte pjesmarrës i vazhdueshëm”.
Pikërisht, këtë ritëm, e sillte kompozitori vit pas viti në festivale, duke derdhur aty energjinë dhe shpirtin e tij artistik e duke i dhuruar shumë kënaqësi dhe gëzim shqiptarëve. E tillë ishte edhe kënga “Kafe Flora”, këngë ritmike dhe pretenduese në Festivalin e 11 të këngës, e bazuar në një valle shumë të njohur popullore, por e trasnformuar brenda shpirtit të tij.
Agim Krajka la pas një karrierë të gjatë me krijime që do t’i mbeten historisë. Qëkurse ai filloi punën në Ansamblin Shtetëror e derisa mori titullin Nderi i Kombit.
Agim Krajka i kushtoi çdo ditë të tij artistike, folklorit muzikor, i cili i jepte frymëzimet më të bukura për të bërë muzikën më të mirë të kohës. Nëse muzika e shkruar nga Agim Krajka është kaq e bukur, sekreti qëndron tek njohja e jashtëzakonshme dhe dashurisë për folklorin shqiptar.
“Nëse ka orkestracione brenda natyrës së Ansamblit, por edhe krijime të tjera në stil popullor, janë këngët e Agim Krajkës. Edhe pjesët instrumentale që i luante në fizarmonikë, sepse ishte virtuoz në fizarmonikë, ose të kompozitorëve të tjerë për violinë dhe orkestër, për instrumenta të tjerë duke përfshirë edhe instrumentat popullorë, Agim Krajka kalonte gjithçka në duart e tij dhe ishte për të gjithë pikë mbështetje e sigurtë nga ana profesionale”, vlerëson Zhani Ciko.
Krijimtaria e Agim Krajkës mori vlera të tjera me muzikën e shumë filmave, të cilat i kompozoi gjatë viteve ’70-80. Kryeveprat e kinematografisë si “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati” etj., nuk do kishin vend të veçantë në historinë e kinematografisë tonë, pa kolonat zanore që shkroi për to “Mjeshtri i Madh” Agim Krajka.
Por nuk do të ishte i plotë ky portret i kompozitorit Agim Krajka, pa prezencën e fizarmonikës, mikes sëtij më të mirë, që e shoqëroi që në fëmijëri, deri në fund të jetës.
Agimi ishte mjeshtër i fizarmonikës. Ai luante me gishtat në tastierë sikur bënte balet në ajër dhe pushtonte skenën duke sjellë emocion dhe gëzim tek dëgjuesit e shumtë.
Ai solli emancipimin në art, në muzikën e lehtë, popullore, të përpunuar e orkestrale. Kontributi i tij në art dhe muzikë përfshin një periudhë prej tri dekadash.
Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje dibrane.
Dashuria dhe pasioni për muzikën, sidomos për fizarmonikën lindën tek ai që në fëmijëri. Studion për kompozicion nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash.
Konsiderohet si artisti mit i muzikës shqiptare.
Agim Krajka u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare por muzika e tij nuk do të vdesë kurrë. Sepse sipas mikut të tij Zhani Ciko artistë si Agim Krajka, “të duket se nuk do të ikin kurrë ndonjëherë”.
Neritana Kraja