Kemi pandemi, po a duhet të kemi teatër? Sigurisht që po. Po si mund të kemi teatër, kur njerëzit nuk mund të mblidhen në një sallë dhe aktorët nuk mund të aktrojnë para tyre?
Për të treguar se teatri vazhdon dhe me shpresën e mirë që aktorët dhe publiku t’i rikthehen skenës, Teatri Eksperimental dhe Teatri Kombëtar në Tiranë, kanë marrë rolin e organizatorit, në një bashkëpunim mes tyre, duke ftuar rreth 20 trupa të bëhen pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove online, që është pagëzuar me emrin “Mosiu On”. Emër që evokon aktorin e madh shqiptar Aleksandër Moisiu.
Shfaqja Zgjimi i Pranveres
Në fakt ky festival e nisi traditën e tij në vitin 2018. Festivali mbarëkombëtar asaj kohe bëri bashkë teatrot në Shqipëri, teatrot e qyteteve shqiptare në Kosovë dhe ato të Maqedonisë.
Në këtë vit, nga data 23 shkurti, rikthehet sërish, por online.
Që nga kjo datë, në faqen zyrtare të teatrit po trasmetohen 20 shfaqje që vijnë nga trupa të ndryshme artistike, që përfshijnë edhe skenën e pavarur.
Përfaqësues të dy institucione organizues, që kanë edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, kanë dhanë sqarime lidhur me këtë eveniment të rëndësishëm. Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, është i bindur se ky aktivitet është më se i rëndësishëm për vazhdimësinë e teatrit, edhe pse pandemia ka pezulluar aktivitet artistike në vend
“Unë drejtori i Teatrit Kombëtar, bashkë me zotin Altin Basha, drejtor i Teatrit Eksperimental, kemi iniciuar organizimin e një festivali mbarëkombëtar, por këtë rast, online, nën sloganin “Teatri Vazhdon”, shprehet drejtori Çuli.
Ndërkohë Altin Basha, që prej pak muajsh ka marrë drejtimin e Teatrit Eksperimental, pasi zëvendësoi drejtorin Kiço Londo në këtë detyrë, thotë se ishte e rëndësishme të sigurohej vazhdimësia e festivalit.
“Nuk do të donim në fakt që Festivali Ndërkombëtar i Teatrove të humbiste radhën e tij, të humbiste vitin, sepse produkt teatror në vite ka pasur, madje produkt shumë cilësor. Përveç faktit që nuk është live, në një sallë, ky festival i ka të gjitha parametrat, edhe seriozitetin, edhe cilësinë artistike.
Shfaqja Mashtrimi
Festivali është shumë i gjërë, ka 20 trupa. Në kushte normale do të ishte shumë e vështirë të menaxhohej një festival me të tilla dimensione, sepse kostot janë shumë të mëdhaja”, thotw Basha
Ndryshe nga Teatri Eksperimental që në kohë pandemie zhvilloi shfaqje edhe jashtë teatrit, Teatri Kombëtar pati një performancë më të zbehtë, kjo si pasojë e pandemisë, zhvendosjes së Teatrit në një tjetër godinë, që erdhi si rrjedhojë e një projekti për ndërtimin e teatrit të ri, si dhe pasojë e vështirësive teknike për t’i zhvendosur shfaqjet në rrugë, kur ato qysh në gjenezë janë konceptuar si shfaqje me skenografi të madhe dhe numër të madh aktorësh.
Në fakt shumica e teatrove në vend hasën mjaft vështirësi gjatë kësaj periudhe, por kjo gjë kurrsesi nuk mund të penalizonte organizimin e një festivali teatror. Regjisori Basha tregon për mënyrën e përzgjedhjes së repertorit në konkurrim, duke përjashtuar shfaqjet e vitit 2020 të cilat nuk patën konkurrim mes njëra tjetrës.
“Teatrot në tërësi kanë prodhuar shumë pak ose aspak. Ka qenë në të drejtën e teatrove për të zgjedhur pjesën prezantuese për festivalin, ka vepra të cilat janë xhiruar kohë më parë, por kriteri ka qenë cilësia, kualiteti I videos dhe kualiteti i audios. Sepse mund të ketë shfaqje të realizuara viette e fundit, por që janë xhiruar shumë keq, kështu që humbet edhe kuptimi i shfaqjeve online”, sqaron regjisori Altin Basha.
Trupa teatrore në konkurrim vijnë nga të gjitha trevat shqipfolëse me shfaqjet më të mira të repertorit të secilit teatër pjesëmarrës në këto pesë vitet e fundit.
Me rëndësi sipas Bashës është dhe fakti, që në festival marrin pjesë dhe artistët nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit merr një rëndësi të jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për të dalluar më të mirët e vitit, më të zotët, më të veçantët, më origjinalët. Ka në konkurrim dhjetëra aktorë të talentuar, shumë identitete regjisoriale, kostumografë, skenografë, kompozitorë, dramaturgë. Pra ky festival vjen si një festë e gjithë komunitetit teatror.
Shfaqja Arturo Ui
Ndonëse online, as këtë edicion nuk do të mungojnë çmimet, ato do të shpallen me 15 mars.
Shfaqja e parë që ngriti siparin e këtij festivali ishte “Makbeth” nga W. Shekspir, me regjinë e Diana Dobreva. Ky projekt është një shfaqje e vënë në skenë nga trupa profesioniste e teatrit të Shkupit në Maqedoninë e Veriut dhe që u transmetua në Livestream në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar dhe teatrit konkurrues gjithashtu. E njëjta gjë do të ndodhë me të gjitha shfaqjet në konkurrim. Deri tani janë shfaqur pjesa “Arturo Ui”, vepër e autorit B.Brecht dhe me regji të Kiço Londos; shfaqja “Zogu i zi”, e cila vjen në këtë festival si një projekt i pavarur dhe nuk përfaqëson ndonjë institucion teatror në hapësirën shqipfolëse; shfaqja “Martesa” e A.P Çehov, e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi; shfaqja “Aylan” nga Jeton Neziraj, vënë në skenë nga Teatri i Gjilanit me regji të Blerta Nezirit; shfaqja “Fqinjët” ,tragjikomedi nga Ruzhdi Pulaha, vënë në skenë nga Taetri “Zihni Sako”, nën regjinë e Milto Kutalit; shfaqja “Mashtrimi”, dramë nga Anthony Schaffer, shfaqje nga skenë e pavarur, nën regjinë e Artan Imamit.
Shfaqja Fqinjët
Mbrëmë ishte shfaqja e tetë dhe ishte radha e Teatrit “Migjeni”, që solli shfaqjen “Jugori”, shkruar nga Rain Fassbinder, me regji të Dino