Chloe Zhao (Zhao Ting) nga Kina u vlerësua me çmimin e "Regjisorit më të mirë" në "Golden Globes 2021" të dielën në mbrëmje me filmin "Nomadland", duke u bërë aziatikja e parë dhe e dyta regjisore femër që e fiton këtë çmim në historinë 78-vjeçare të "Globes".
38-vjeçarja është gjithashtu gruaja e parë në 38 vjet që merr çmimin pas Barbra Streisand me filmin "Yentl".
"Nomadland", e vlerësuar nga kritika, gjithashtu u shpall filmi më i mirë dramatik. Më parë ky film fitoi shumë çmime të lakmuara, përfshirë "Luanin e Artë" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Venecies vitin e kaluar.
"Ky çmim i përket të gjithë ekipit të 'Nomadland'-it, të gjithë trupës së aktorëve dhe stafit ... ju e dini kush jeni," tha Zhao, e cila ka lindur në Pekin në vitin 1982. "Unë dua të falënderoj partnerin tim Josh dhe familjen time që më mbajtën të arsyeshme gjatë gjithë këtyre viteve, dhe veçanërisht dua të falënderoj nomadët që ndanë historinë e tyre me ne. "
"Dhembshuria është prishja e të gjitha pengesave midis nesh - një lidhje zemër-zemër. Dhimbja juaj është dhimbja ime. Ajo është e përzier dhe e ndarë mes nesh", tha Zhao përmes videos, duke cituar Bob Wells, një nga nomadët e vërtetë që frymëzuan filmin e saj dhe që luan vetveten në këtë film.
"Kjo është arsyeja pse u dashurova me bërjen e filmave dhe tregimin e historive, sepse ato na japin mundësi të qeshim dhe të qajmë së bashku. Ato na japin mundësi të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të kemi më shumë dhembshuri për njëri-tjetrin."(Zhan Dian/Artan)