Intervistë me këngëtaren Elita Reçi
Këngëtarja nga Struga Elita Reçi e ka nisir muzikën në moshën 8 vjeçare. Prezantimet e saj në festivale janë të shumta, gjithashtu edhe çmimet në to. Ka realizuar tre albume muzikore duke punuar me emra të njohur të muzikës si; Edmond Zhulali, Shpëtim Saraçi, Valton Beqiri, Elton Deda, Adrian Hila, Ardit Gjebrea etj. Me këngët dhe interpretimin e saj Elita ka fituar shumë çmime ndër to edhe në Festivalin Ballkanik. Muzika e cila bën pjesë në repertorin e saj është muzika e lehtë si dhe ajo popullore qytetare. Sot Elita Reçi punon si profesoreshë e muzikës në Strugë, ndërsa ka pak kohë që ka publikuar videoklipin e këngës "E vogla e nënës" në versionin akustik.
CMG: Përshëndetje Elita! Në këto kohë pandemie na lind natyrshëm pyetja, si je me shëndet?
Elita Reçi: Përshëndetje Sava! Uroj të jesh mirë me shëndet dhe ti. E vërtetë që në këto kohë pandemie, gjëja e parë që na vjen ndërmend është të pyesim njerëzit se si janë me shëndet. Dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Edhe unë jam mirë falë Zotit, pasi e kalova virusin bashkë me bashkëshortin tim në muajin nëntor, por frika ekziston ende.
CMG: "E vogla e nënës" është materiali më i ri i publikuar nga ty. Na trego pak për idenë dhe finalizimin e këtij projekti?
Elita Reçi me familjen
Elita Reçi: “E vogla e nënës” është një këngë të cilën unë e solla dy vite më parë në një version më allegro, e cila u prit mjaft mirë nga njerëzit. Një këngë e punuar nga Edi Balili, me tekst të Armand Trebickës. Është një këngë profesionale dhe gjatë kohës së regjistrimit në studio, më erdhi ideja që ta sillnim dhe në versionin akustik, në formë balade pasi i shkonte shumë për shtat. Kam marr komente pozitive për këtë version të ri të këngës. Kam dëshirë gjithashtu që edhe më tutje të vazhdoj të rifreskoj materiale të tjera muzikore.
CMG: Je ti “E vogla e nënës”?
Elita Reçi: Jo, nuk jam “E vogla e nënës”. Nëse i referohemi tekstit të këngës, nuk bëhet fjalë vetëm për ato të cilat janë më të voglat e nënës, por për çdo vajzë, e madhe ose e vogël. Çdo vajzë mbetet për nënën e vogla e saj. Në familjen time jemi tre motra, e unë jam motra më e madhe. Nëse bazohemi te teksti i këngës, bëhet fjalë për ato vajza të reja, të cilat e kanë njohur shumë herët martesën, në moshë mjaft të re, pa u rritur ende.
CMG: Edhe pse periudhë pandemie, aktivitetet e tua kanë qenë të shumta. Si është ndjerë ky vit artistikisht, por dhe nga emocionale apo ekonomike?
Elita Reçi: Mendoj se për të gjithë artistët në këto kohë pandemie, aktivitetet kanë qenë shumë të reduktuara. Personalisht kam pasur disa aktivitete, ku kam qenë e ftuar dhe anëtare jurie në "Nota Fest", i cili u mbajt pa publik. Gjithashtu jam profesoreshë e muzikës dhe këto kohë kam mbajtur mësimin online. Përveç kësaj jam munduar të mendoj për plane rreth ndonjë projekti të ri.
Nga ana emocionale dhe ekonomike natyrisht që të gjithëve na ka dëmtuar, por njeriu duhet të shohë anën pozitive. Ishim mësuar me një jetë shumë dinamike, por u munduam ta kaloj mirë me familjen time, vajzën dhe bashkëshortin. Ishte një periudhë reflektimi për të gjithë njerëzit, që vraponin pas gjithçkaje dhe kishin lënë pas dore njerëzit e afërt dhe mbi të gjitha shëndetin, që është gjëja më e rëndësishme në jetë.
Elita Reçi
CMG: Ti interpreton në muzikën popullore qytetare, por edhe atë të lehtë. Ku e ndjen vetem më mirë?
Elita Reçi: Kam qenë vetëm 8 vjeç ku në një event me artistë të njohur unë interpretoja në skenë një këngë të muzikës popullore qytetare. Të gjithë më shikonin me habi që interpretoja ato këngë kaq të vështira.
I kam pasur në zemër këngët popullore, kam pas si model këngëtaren e mirënjohur Merita Halili dhe këngët e saj i këndoja së bashku me babain tim të ndjerë, i cili edhe pse ishte mjek në profesion ka qenë një artdashës e donte shumë muzikën dhe dinte ta vlerësontë atë. Duke u rritur edhe artistikisht kam marr pjesë në shumë aktivitete dhe festivale, ku fillova të këndoja gjithashtu muzikën e lehtë.
Me thënë të drejtën nuk mund t’i ndaj, të dyja zhanret i dua shumë, në secilin prej tyre unë tregoj një Elita ndryshe. Gjithsesi mendoj se të dy zhanret i interpretoj bukur, por më së miri këtë mund ta vlerësojë publiku.
CMG: Çfarë kënge do të doje të dëgjoje në këto to momente në Radio Ejani?
Elita Reçi: Në moment më vjen ndërmend një këngë e një artisti të njohur, si Frederik Ndoci. Kënga me titullin "Sytë e tu" më ka pëlqyer që e vogël.
CMG: Kjo është edhe një nga këngët e mia të preferuara të atyre viteve të arta të muzikës shqiptare . Elita, sa rëndësi ka për ty pjesëmarrja në një festival?
Elita Reçi: Skena e një festivali ka shumë peshë sepse aty artisti pasqyron vlerat e vërteta artistike, aq më tepër kur festivali është live. Personalisht kam marr pjesë në shumë festivale, ku dhe jam ndarë me shumë çmime, por çmimi më i mirë mbetet ai i publikut. Nëse ai i pëlqen këngët atëherë kjo është gjëja më e bukur për një artist.
CMG: Do të të shohim së shpejti në skenë dhe ku?
Elita Reçi: Kam dashur gjithmonë të jem në festivalin e Rtsh-së dhe shpresoj që pasi të ketë përfunduar kjo pandemi, e të kem një material të mirë për të konkuruar në atë festival, mendoj të jem aty së shpejti.
CMG: Si është përditshmëria jote?
Elita Reçi: Zgjohem në mëngjes bashkë me vajzën time Adën, e cila është fryma ime, është gjëja më e bukur që më ndriçon çdo ditë të jetës sime. I përgatis diçka për të ngrënë dhe më pas ajo nis mësimin online , gjithashtu dhe unë filloj punën po online me nxënësit e mi. Pra pjesa më e madhe e ditës shkon në këtë mënyrë.
Elita Reçi në interpretimin e kenges E vogla e nënës
Unë jetoj në Strugë, një qytet i vogël, por liqeni i jep një dritë shprese. Dal e shëtis shpesh, e shijoj këtë pjesë së natyrës kaq të bukur që kemi. Ndonjë kafe me miq apo kolegë, por tani në periudhën e pandemisë këto janë reduktuar dhe gjithë vëmendja është vetëm te familja.
CMG: Më shumë satisfaksion merr nga këndimi apo nga mësimdhënia?
Elita Reçi: Të dyja profesionet i dua shumë dhe më japin satisfaksion. Që nga periudha kur u diplomova, u bën rreth 15 vite që jap mësim. Nuk mund ta lë kurrsesi muzikën për mësimdhënien. Unë jap mësim në shkollën e mesme të muzikës dhe nxënësit për mua janë bërë pjesë e jetës sime, i kam si pjesëtarë familje.
Por edhe muzikën e kam pjesë të shpirtit tim, pa të cilën nuk e konceptoj dot jetën time. Janë të dyja pjesë të pandara, të dyja së bashku plotësojnë jetën time.CMG: Si e sheh brezin e ardhshëm në muzikë?
Elita Reçi: Me sa shoh kohët e fundit, muzika ka pësuar ndryshime të mira dhe jo të mira. Nëse i referohem teksteve, kemi shumë mungesë të teksteve artistike, kemi një banalizim të gjuhës së teksteve dhe varfëri të idiomës muzikore, të cilat janë një tregues real i gjendjes së muzikës së sotme. Ka shumë tekste vulgare e muzikë banale, e cila ndërtohet vetëm me dy akorde. Kjo mendoj se është shumë e dëmshme për brezin e ardhshëm, por edhe për institucionet artistike të cilat nuk marrin as guximin më të vogël që t’i kundërvihen kësaj barbarie anti- artistike. Sot armiqtë e muzikës mendoj se janë analfabetët e muzikës, të cilët në një farë mënyre duket se e kanë gjetur mbështetjen e mediave dhe lulëzojnë plot kundërmim.
Elita Reçi
Dikur kishim kompozitorë shumë të nderuar, orkestrues me kapacitet të cilët drejtonin vërtetë rrjedhën e muzikës. Në kohët e sotme nuk kuptohet qartë se kush është kompozitor apo kush është orkestrues, të gjithë i thonë vetes kompozitor, e kjo është për të ardhur keq. Një numër i madh këngëtarësh që vazhdimisht shkon në rritje, shohim që ndiqen në rrjetet sociale në facebook apo instagram, por kur i dëgjon “live” është një tmerr i vërtetë.
Shpresoj që brezi i ardhshëm të fokusohet tek ato pak vlera artistike që kanë ngelur, e mira është që të bëjnë një ndryshim pozitiv në këtë aspekt. Shpresoj që pas disa vitesh të shohim një brez me muzikë të mirëfilltë dhe artistike.
CMG: Mesazhi juaj ?
Elita Reçi: Sava, ju uroj shëndet të plotë të gjithë dëgjuesve, të gjithë njerëzve, ju uroj mbarësi në jetë, sa më shumë fat, e dëgjofshim lajme sa më të mira. Shpresoj që kjo situatë të stabilizohet sa më shpejt dhe t’i rikthehemi jetës normale.
Intervistoi: Sava LENA
Elita Reçi