Zina Zdrava është një këngëtare e mirënjohur e muzikës popullore shqiptare si dhe pedagoge e kantos dhe për vite me radhë ka nxjerrë shumë talente të reja, që sot aktivizohen në vende të ndryshme të botës.
Zina e nisi rrugën e bukur të këngës në qytetin e Elbasanit, për të arritur majat në skenat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Ka studiuar për kanto, por asnjëherë nuk la pas dore këngën popullore, e cila i dha famën në trevat shqiptare. Zina ndjehet e realizuar pasi rrugën e saj e ka trashëguar e bija Ulpiana Aliaj, soprano e njohur në Shqipëri dhe në botë.
Zina Zdrava me kostum popullor
Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani ajo na tregon për karrierën e saj artistike si dhe eksperiencën e saj si pedagoge e kantos prej shumë vitesh.
CMG: Znj.Zdrava faleminderit që je pjesëmarrëse në emisionin Bio Folk në valët e Radio Ejani.
Zina Zdrava: Faleminderit ju që më bëtë pjesë të këtij emisioni të bukur, i cili ndiqet nga shumë dëgjues dhe mendoj se jam e privilegjuar që jam e përzgjedhur në këtë emision të Radio Ejani, që përcjell emocione të një muzike të vërtetë, që quhet Bio Folk.
CMG: Ju kenë dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e vlerave të folkut shqiptar. Çfarë kujtoni nga karriera juaj artistike dhe pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme të muzikës popullore?
Zina Zdrava: Është një jetë e gjatë në art dhe skenë dhe njeriu ka kujtimet e veta, ndaj mendoj që të prek disa prej tyre, të cilat do t’i interesonin dëgjuesit. Unë kam filluar që e vogël të këndoj dhe e ushqyer sigurisht nga zëri i nënës sime dhe nga këngëtarët që ishin në atë kohë si Hafsa Zyberi dhe nga ato kam mësuar shumë. Mbase dhe unë isha ajo që i trashëgova këto këngë në mënyrë korrekte.
Koncertet janë të shumta sidomos në vitet 1977-78 e më tutje kur unë u bëra një emër i njohur dhe aq më tepër që muzika popullore është shumë demokratike dhe pëlqehet shumë nga dëgjuesit.
Unë ju përkushtova me shumë dëshirë, mbase më pëlqente dhe e ndjeja për ta bërë këtë lloj misioni. Mund të them që kam shumë kujtime, dhe një nga ato kujtime meqenëse jemi për Radio Ejani unë do ju tregoj diçka shumë të bukur. Në ato vite festohej 1 tetori dhe ne këtu kishim kinezë të cilët vinin për Kombinatin Metarlugjik, që ndërtohej në atë kohë. Me rastin e 1 tetorit ne organizonim një mbrëmje ku bëheshin dhe shkëmbimet e eksperiencave të valleve tona dhe atyre kineze, por ishte një gjë shumë e mrekullueshme dhe aq më tepër që behej edhe një koncert ku ne këndonim edhe këngë kineze.
Zina Zdrava dhe vajza e saj, sopranoja Ulpiana Aliaj
CMG: Këto aktivitete organizoheshin çdo vit në Elbasan?
Zina Zdrava: Sigurisht që kjo vazhdoi për shumë vite me radhë dhe çdo 1 tetor ne ishim të pranishëm si këngëtarë, por edhe kinezët. Aktiviteti organizohej te turizmi i Elbasanit dhe kinezët i pëlqenin shumë këngët tona, sepse përfshiheshin në valle dhe kërcenin bashkë me ne dhe kjo do të thotë që e pëlqenin muzikën tonë popullore. Ato kishin dhe vëtë muzikë të bukur dhe më kujtohet një ansambël i grave që erdhi nga Kina. Ishte vërtetë një mrekulli të shikoje vallet dhe kërcimet e tyre, me ngjyrat dhe lëvizjet shumë delikate dhe me aq nivel.
CMG: Ju keni marrë pjesë në shumë festivale të muzikës popullore, duke interpretuar me mjeshtëri këngët tona bio. A mendoni se tani mungojnë këto lloj festivalesh?
Zina Zdrava: Patjetër që festivalet janë vërtetë të bukura sepse mbi të gjitha bashkojnë treva të ndryshme të këngëve popullore dhe në njerin nga këto festivale kam qenë dhe unë pjesëmarrëse. Mbaj mend që në vitet 1978-79 u organizua një konkurs kombëtar me recitime dhe këngë popullore në RTSH. Aty unë isha pjesëmarrëse me këngën “O moj bukuroshe” dhe mendoj se kam dhënë më të mirën për faktin që u vlerësova me çmimin e parë. Vërtetë ishte një festival që mua më dha akoma më shumë emër në këtë fushë.
Zina Zdrava me nxënësen e saj të kantos
Sigurisht që nuk është e lehtë ta krijosh emrin sepse të duhet shumë punë dhe përkushtim. Tani unë shoh që kanë hyrë këto rrymat e ndryshme muzikore dhe që këngëtari dëshiron menjëherë të bëhet i njohur, por ne na është dashur që t’i këndojmë këngët live dhe t’i përmbahemi atyre modeleve që ne na lanë këngëtarët paraardhës.
CMG: Ju e thatë bukur që nuk është e lehtë ta krijosh emrin dhe po ashtu ta ruash atë. Ju jeni nga ato artiste që e keni ruajtur traditën e muzikës popullore.
Zina Zdrava: Jam munduar ta ruaj traditën sepse them që të ruash këngën tënde është vlerë dhe unë e kam ruajtur sepse duke menduar që kënga është njohur nga dëgjuesi në këtë mënyrë edhe unë nuk mund ta deformoj atë, sepse të gjithë dëgjuesit janë ushqyer me këtë lloj muzike. Ne duhet ta ruajmë këngën siç e kanë kënduar Hafsa Zyberi, Fitnete Rexha, Luçie Miloti, Naile Hoxha, të paktën vijën melodike.Kënga mund të pësojë ndryshime në orkestracion, por jo në vijën melodike apo në tekst.
CMG: Ju keni dhe një kontribut të madh në mësimdhënie si pedagoge e kantos, duke edukuar brezin e ri. Çfarë emocioni ju ka dhënë mësimdhënia gjatë këtyre viteve?
Zina Zdrava: Sigurisht që edhe mësimdhënia është shumë e bukur sepse vjen një moment që atë që ke akumuluar në artin tënd do ta përcjelësh te brezi i ri. Unë mendoj që e kam bërë këtë në mënyrën më korrekte dhe më të dashur. Jam munduar që të përcjellë edhe këngën popullore te nxënësit e mi. Nuk është kollaj ta këndosh sepse kënga popullore lind me njeriun dhe ai që dëshiron ta këndojë e ka të ndjeshme dhe brenda vetes atë. Vërtetë ne kemi këngë shumë të bukura me përmasa shumë të gjëra, por është vështirë që këto këngë t’i interpretosh ashtu siç janë. Unë ndjehem e nderuar që ky emër ka marrë edhe përmasa të tjera edhe si pedagoge në mësimdhënie.
Zina Zdrava në intervistë për CMG
CMG: Keni qenë pjesëmarrëse si anëtare jurie në disa aktivitete të këngës popullore, duke vlerësuar brezin e ri. Pra ka të rinj që e duan këngën popllore dhe e këndojnë bukur atë.
Zina Zdrava: Unë kam marrë pjesë në shumë juri dhe një ndër to ka qenë tani vonë, në festivalin tipologjik të muzikës popullore që zhvillohet në qytetin e Elbasanit, i cili është i përvitshëm dhe ka traditën e vet. Kishte shumë pjesëmarrës nga shumë treva të Shqipërisë ku mund të them se janë evidentuar shumë këngëtarë, dhe më erdhi mirë që ka këngëtarë që e duan dhe e përqafojnë këngën popullore. Mund të them që kishte këngëtarë nga Shkodra, Kavaja, Vlora, Elbasani që mendoj se këngën bio folk do ta mbajnë të fortë.
CMG: Edhe vajza juaj sopranoja e njohur Ulpiana Aliaj vazhdon në gjurmët tuaja, duke u bërë e famshme në Shqipëri dhe botë
Zina Zdrava: Them që e ka pasion por mendoj se e ka dhe të lindur por edhe të trashëguar fakti që ajo u bë me një përkushtim dhe discipline. Të bëhesh artist në radhë të parë duhet të kesh disiplinën dhe ta duash këtë art të bukur. Fakti që këto kritere te Ulpiana janë tregon që ajo u bë dikushi për vetën e saj, por mund të them që Ulpiana i këndon shumë bukur edhe këngët popullore. Ne të dyja kemi dëshirë për një bashkëpunim dhe besoj që në një të ardhme ta realizojmë, duke shpresuar që në radhë të parë të jemi mirë me shëndet.
CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi përveç mësimdhënies ku ju jepni kontribut për brezin e ri të artistëve.
Zina Zdrava
Zina Zdrava: Do të doja shumë të merja pjesë në aktivitete, por unë tani jam në mësimdhënie dhe mendoj se ndjehem vitale dhe kam se çfarë të jap te brezii ri. Përsa i përket aktiviteteve unë kam dëshirë të realizoj një koncert me këngë popullore të Elbasanit dhe jemi në bisedime me instrumentistët e Elbasanit për këtë koncert recital me këngët e Isuf Myzyrit, por edhe të trevave të ndryshme që i përshtaten vokalit tim.
CMG: Së fundi një urim për dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk.
Zina Zdrava: Mesazhi im do të ishte të dëgjojnë Bio Folk që është një vlerë që nuk duhet të humbasë, sepse ne nëpërmjet këngëve kemi përfaqësuar vendin tonë dhe kemi qenë ambasadorë të artit tonë nëpër vende të ndryshme të botës.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Zina Zdrava pas një aktiviteti