Evgjeni Çulli është një nga këngëtaret e njohura popullore përmetare. E lidhur shpirtërisht me muzikën popullore tradicionale ajo ka publikuar disa albume muzikore me këngë të traditës. Gjithmonë e pranishme në festat familjare, por edhe në evente te ndryshme artistike bashkë me grupin e sazeve të Përmetit ajo ka përcjellë me profesionalizëm këngët e krahinës së saj, por jo vetem. Për karrierën, miqtë e saj të mëdhenj përmetarë Evgjeni Çulli flet në Radio Ejani.
CMG: Znj.Evgjeni ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në Bio Folk.
Evgjeni Çulli: Jam shumë e lumtur që marr pjesë në emisionin Bio Folk sepse pas shumë kohësh po realizoj këtë intervistë.
CMG: Ju jeni një këngëtare e spikatur e sazeve të Permetit dhe vijoni të kontribuoni për traditën e këngës popullore. Çfarë mund të na thoni për aktivitetin tuaj artistik gjatë këtyre viteve?
Evgjeni Çulli: Ka qenë një periudhë shumë e gjatë dhe e bukur për mua që nga fillimi i viti 1978, ku unë isha pjesëmarrëse e festivaleve të asaj kohe të cilat zhvilloheshin në TVSH. Atëhere ka qenë dhe zanafilla e aktiviteteve të mia.
Sazet e Permetit gjate nje koncerti
CMG: Sazet e Përmetit janë ndryshe nga këngët e tjera popullore të jugut sepse kanë dhe një shtrirje, pra jo kushdo mund t’i interpretojë ashtu siç duhet.
Evgjeni Çulli: Është shumë e vërtetë, kënga përmetare është shumë lirike, këngë tavoline, këngë shpirti dhe zemre që të gjithë mund ta këndojnë por ndryshe është interpretimi i këngës përmetare nga vetë përmetarët dhe sazet e Përmetit.
Evgjeni Culli me grupin e sazeve dhe Usta Laver Bariu
CMG: Ju keni pasur fatin që të jeni në grup me Usta Laver Bariun mjeshtërin e klarinetës. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë dhe vlerësimi juaj për këtë figurë të madhe të muzikës popullore shqiptare?
Evgjeni Çulli: Bashkëpunimi me Usta Laverin ka qenë që në fillim të karrierës sime kur jam aktivizuar pranë Shtëpisë së Kulturës në Përmet. Në vitin 1986 unë për herë të parë kam dalë në skenë me këngën “Vitori t’u bëftë nëna” që në atë kohë ishte një këngë hit. Bashkëpunimi i parë ka qenë me sazet e Përmetit dhe Usta Laverin, ku mënyra e interpretimit të tij dhe sesi ai i binte klarinetës për neve ishte diçka magjike dhe kënga merrte tjetër kuptim kur interpretohej në prezencë të Laver Bariut.
CMG: Znj.Evgjeni tani jemi në një periudhë të vështirë dhe kemi pothuajse një vit në pandemi. Sa ka ndikuar kjo kohë në jetën tuaj artistike?
Evgjeni Çulli: Duke pasur shumë projekte dhe aktivitete kjo kohë e pandemisë për ne ka qenë një shkatërrim total. Duke u aktivizuar edhe me sazet e Përmetit ne kishim shumë aktivitete të bukura si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kjo periudhë ka qenë më e vështira që kemi kaluar, sepse në radhë të parë kënga për ne është shpirti, që na ushqen. Unë kam shumë materiale muzikore të publikuara në Youtube, por mbyllja për neve ka qenë një stepje e madhe, por themi se shumë shpejt do ta marrim veten dhe do të dalim fuqishëm me këngë shumë të bukura përmetare.
CMG: Ju jeni e përqëndruar më shumë te këngët qytetare përmetare apo edhe interpretime të trevave të tjera të jugut?
Evgjeni Çulli: Kënaqësinë e kam të këndoj edhe këngët e jugut sepse zëri im i përshtatet. Mundohem ta këndoj dhe këngën vlonjate, gjirokastrite apo këngën korçare e këndoj shumë bukur, por atje ku unë gjej veten është kënga përmetare të cilën e këndoj me shpirt dhe me një dëshirë të madhe. Unë kudo jam e pranishme në gëzimet familjare dhe mundohem t’i interpretoj sa më bukur edhe këngët e trevave të tjera.
Evgjeni Culli me grupin e sazeve
CMG: Përmeti i luleve dhe i sazeve, që e bëjnë këtë qytet unik ku edhe ju bashkë me grupin keni dhënë shpirtin me artin tuaj.
Evgjeni Çulli: Me sazet e Përmetit ne jemi një grup shumë unik. Gjej rastin të përshëndes kolegun tim Alban Zeqiri, i cili është pasardhës i Laver Bariut, lahutieri Qirjako Vangjeli i cili është një përgjegjës grupi shumë i mirë, Ylli Muço i cili ka një jetë në skenë duke kontribuar shumë për sazet dhe unë jam e lumtur që jam pjesë e tyre. Një përshëndetje edhe për kolegen Adriana Thanasi, e cila jeton në Greqi prej shumë vitesh dhe ka një zë unik dhe ne të dyja e përcjellim shumë bukur këngën përmetare. Mënyra sesi ne e këndojmë këngën besoj se do të jetë unike dhe duam që të lemë diçka pas, por që duhet të dalin breza të rinj që dhe ata ta interpretojnë siç e këndojmë ne këngën popullore. Kur dëgjon të gjitha grupet, bazën e koncerteve e kanë te kënga përmetare. Kabaja është përmetare dhe nëpër dasma e gëzime do të fillohet me një kaba përmetare, pra kjo tregon që muzika përmetare ka një vlerë të jashtëzakonshme.
Evgjeni Culli ne interviste me CMG
Përmeti është dhe një qytet shumë i bukur dhe i pastër dhe njerëzit janë shumë të dashur dhe mundohen që të japin shumë nga vetja për njerëzit që shkojnë të vizitojnë qytetin e Përmetit. Unë prandaj i kam kënduar qytetit tim dhe kur kam ardhur këtu në Tiranë në fillim e ndjeja shumë mungesën e qytetit tim dhe gjëja e parë që kërkoja ishte sesi mund t’ja shpërbleja. Me një tekst të shkëlqyer që ka bërë poeti Arben Duka për këngën “Në Përmet o në Përmet” mua më duket sikur kam lënë një pjesë të shpirtit atje.
Intervistoi: Gazmend Agaj