Elita Ziberi, vajza e artistit të mirënjohur tetovar, solistit të grupit “Elita 5”, Arif Ziberit fillimet në muzikë i pati me grupin XXL, për të vazhduar me pjesëmarrjen e saj në spektaklin e talenteve të reja në Turqi. Sot ajo është mësuese e muzikës, por një rëndësi të veçantë i ka kushtuar publikimit të këngëve të grupit “Elita 5”, duke i sjellë në nj ripërpunim. Në dhjetor të vitit të kaluarFestivali Grand Prix dekoroi disa personalitete, ndër to vlerësoi edhe Elita Ziberin me çmimin “Grand Prix the best”, si një ndër artistet më të mira.
CMG: Përshëndetje Elita! Si është të jesh vajza e një artisti të famshëm të muzikës rock si Arif Ziberi?
Elita Ziberi: Përshëndetje! Faleminderit shumë për ftesën! Është një ndjenjë shumë e veçantë që jam vajza e Arifit të grupit të njohur “Elita 5”. Ata kanë lënë gjurmë tek të gjithë shqiptarët dhe është një mburrje shumë e madhe për mua.
CMG: Muzika ka qenë pasioni yt, apo babai të ka orientuar drejt rrugës së artit?
Elita Ziberi: Të them të drejtën nuk ka qenë babi që më ka orientuar në muzikë, pasi unë që e vogël e kam dashur shumë. Në shtëpi këndoja shpesh para pasqyrës. Kam dhe dy motra, por vetëm unë e vazhdova muzikën dhe do të merrem me të deri sa të jem gjallë.
CMG: Ti ke konkuruar rreth 4 vite më parë në spektaklin e talenteve të reja në Turqi. Si ishte për ty kjo eksperiencë dhe çfarë përfitove nga kjo pjesëmarrje?
Elita Ziberi: Kam konkuruar në talent show-n turk "The Voice" rreth 4 vite më parë. Ka qenë diçka spontane dhe e bukur. Aty e pashë veten se vlej, sepse aty nuk më njihte askush dhe ishte një shtytje shumë e madhe që të vazhdoj të merrem me muzikë. Gjithashtu ishte një eksperiencë shumë e bukur të cilën nuk do ta harroj asnjëherë.
CMG: Fillimet e tua në muzikë i ke me grupin muzikor XXL. Na trego për bashkëpunimet me ta?
Elita Ziberi: Me grupin XXL kam punuar rreth 11 vite. Prej tyre kam mësuar shumë gjëra. Kam mësuar që të dëgjoj muzikë të mirë, kam bashkëpunime mjaft të mira. Kemi realizuar koncerte dhe mbrëmje shumë të bukura me grupin XXL.
CMG: Vazhdimësia jote në muzikë do jetë si soliste apo sërish me grupin?
Elita Ziberi: Vazhdimësia ime do jetë si soliste. Kam vendosur ti përkushtohem vetes, të bëj këngët e mia dhe shpresoj të kem sukses.
CMG: Ti ke realizuar shumë cover-a të këngëtarëve të njohur, por më së shumti të grupit “Elita 5”. Pse kjo dëshirë ?
Elita Ziberi: Të them të drejtën covera-t i kam bërë spontanisht. Kanë qenë këngët që unë i kam preferuar, i kam dashur shumë ndaj i kam realizuar. Nuk e kam menduar asnjëherë se nga covera-t po marr ndonjë famë. Gjithçka ka nisur thjesh për qejf. Jam rritur me këngët e “Elita 5” dhe do vazhdoj edhe më tej t’i bëj covera këngët e tyre.
CMG: A po punon për materiale të reja muzikore?
Elita Ziberi: Po merrem me projekte të reja, me këngët e mia dhe shpresoj që të nxjerr së shpejti një album. Kam shumë këngë të tjera ku kam marr pjesë në "Top Fest",në "Zhurma show" që gjithashtu do t’i bashkangjis për t’i përmbledhur në albumin tim.
CMG: Cili është zhanri muzikor ku ti e ndjen veten më mirë?
Elita Ziberi: Zhanri i preferuar është R&B si edhe "pop rock" pasi aty e shoh veten më mirë.
CMG: Do të të shohim në ndonjë bashkëpunim me babain tënd, apo me grupin “Elita 5”?
Elita Ziberi: Të them të drejtën ma kanë bërë këtë pyetje shumë njerëz, por unë ja kam lënë kohës gjithashtu edhe babit tim se kur dëshiron ai të bëj këngë me mua. Unë do të jem përherë e gatshme që të bëj këngë me babin tim.
CMG: Si është jeta jote në Tetovë?
Elita Ziberi: Në mëngjes përgatitem për punë pasi jam mësuese e muzikës. I mbaj orët online me nxënësit dhe mbasi e mbaroj orarin mesimor, dal për kafe me shoqërinë, më pas kthehem në shtëpi. Gatuaj diçka etj, kjo është rutina ime.
CMG: Po jeta jote private?
Elita Ziberi: Jeta ime private?(Qesh) Jam singell. Mendoj se ka ardhur koha që të kem një të dashur, por se kur do të vijë ai, nuk e di ende (qesh). Për momentin jam e lumtur me gjithçka kam.
CMG: Deri ku dëshiron të arrish ti në muzikë?
Elita Ziberi: Mendoj që të arrij edhe më lart, që shqiptarët të më njohin edhe më shumë. Gjithmonë e kam dashur muzikën, publikun. Përherë kam bërë muzikë që ti gëzoj njerëzit që vijnë të më dëgjojnë. Ai është gëzimi im më i madh që mund të kem.
CMG: Çfarë pret nga viti 2021?
Elita Ziberi: Në këtë vit të ri 2021 pres sa më shumë punë e koncerte. Në kohën e pandemisë kishim më shumë ide, por pak punë. Por ajo që është më e rëndësishme është që të kemi shëndet, pastaj të gjitha të tjerat vijmë vetë.
CMG: Të falenderoj për këtë bisedë dhe të uroj suksese!
Elita Ziberi: Shumë faleminderit për ftesën. Ishte kënaqësi. Kisha kohë që nuk kisha dhënë intervistë për publikun në Shqipëri. Ju uroj çdo të mirë!
Intervistoi: Sava LENA