Akademia KULT ia doli të kurorëzojë, ashtu si prej pesëmbëdhjetë vitesh rresht fituesit e edicionit të 16 të Çmimeve “KULT”, të vetmet çmime kombëtare vjetore që përfshijnë gjithë spektrin e artit dhe kulturës shqiptare, pavarësisht vështirësive që pandemia e covid-19 solli.
Akademia Kult
Ky mision bëhet edhe më i domosdoshëm e kuptimplotë në kushtet kur jeta kulturore është thuajse e paralizuar dhe kur gjithçka tjetër, që nga pandemia, ekonomia e deri tek politika, tentojnë të mos i lenë asnjë hapësirë dimensionit shpirtëror e kulturor.
Juria e Nderit e Akademisë KULT, e përbërë nga 184 anëtarë, përmes një platforme online të krijuar enkas për Çmimet “KULT 2020”, ka bërë përzgjedhjen e saj mes qindra e qindra botimeve, shfaqjeve, ekspozitave, koncerteve e festivaleve të sjella përgjatë gjithë vitit 2019 duke nominuar fillimisht 6 artistët më të vlerësuar 11 kategori.
Secili anëtar i Jurisë së Nderit të Çmimeve “KULT” ka bërë zgjedhjen e tij përmes një formati online të krijuar enkas për këtë eveniment, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme të krijuara nga pandemia e Covid-19.
Ndër 66 emrat e nominuar në kategoritë: Artisti Pamor i Vitit, Libri Artistik i Vitit, Libri Studimor i Vitit, Përkthimi më i Mirë i Vitit, Regjisori më i Mirë i Vitit, Aktori i Vitit, Aktorja e Vitit, Balerini i Vitit, Instrumentisti i Vitit, Interpretuesi Lirik i Vitit dhe Kënga e Vitit, kemi edhe emrat fitues.
Marsela Çibukaj në interpretimin i kengës Thërrime dashurie, e cila u shpall Kënga e Vitit 2020
Në përfundim të votimit juria dha çmimin Kënga e Vitit për këngën me “Thërrime dashurie” kënduar nga Marsela Çibukaj; Interpretuesi Lirik i Vitit u shpall Ivana Hoxha për rolin e Azukenës tek opera “Trovatore”; Balerinët e Viti u shpallën Lori Bala dhe Rovena Shqevi për baletin “Annuncation” të Angjelin Preljocaj; Instrumentisti i Vitit, Klajdi Sahatçi, instrumentist në violinë, për Koncertin me Orkestrën e RTSH-së, Aktorja e Vitit, Ema Andrea për rolin e Ljubov Andrejevina tek “Kopshti I qershive”; Aktori i Viti, u përzgjodh Indrit Çobani për rolin e Belizë tek “Engjëjt e Amerikës”; Regjia e Vitit, Arben Kumbaro për shfaqjen “Engjëjt e Amerikës”; Libri Artistik i vitit, Tom Kuka (Enkel Demi) për romanin “Ora e Ligë”, Libri Studimor i Vitit , Artan Fuga për “Shqipëria piramidale”; Përkthimi i Vitit, u përzgjodh Mira Meksi për “100 vjet vetmi” të Gabriel Garsia Markez; dhe Artisti Pamor i Vitit, Gazmend Leka, për ekspozitën “Dhoma e hapave të humbur”.
Edhe pse Mbrëmja Gala me tapetin e kuq e të ftuarit specialë munguan, këto Çmime padyshim që janë të rëndësishme dhe stimuluese.
Foto arkive nga ndarjet e çmimeve Kult ne edicionin e vitit 2019
Sipas organizatorë, edhe pse 2019-a ishte një vit i vështirë, prurjet kanë qenë të shumta.
Bëhet e ditur se në konkurrim ishin 370 autorë me librin e tyre artistik, 57 autorë me libra studimorë dhe 130 përkthyes të librave më të mirë botërorë.
Konkurrimit iu bashkëngjiten edhe 45 artistë pamorë, 39 regjisorë në garë për shfaqjet e tyre, 173 aktorë dhe 93 aktore. Gjithashtu ishin edhe 24 balerinë, 370 këngëtarë, 50 instrumentistë dhe 51 interpretues lirikë në garë për t’u shpallur si më i miri.
Pavarësisht vështirësive të vitit të kaluar, duke risjellë në vëmendje edhe tërmetet, artistët shqiptarë ishin aty duke punuar fort për të na dhënë pak paqe në ato ditë të vështira.
Si në çdo vit, kriteri themelor i vlerësimit është ai i prurjes, krijimit apo interpretimit më cilësor të vitit të vlerësuar si të tillë nga Juria e Nderit e Akademisë Kult e përbërë nga një numër mjaft domethënës i profesionistëve të çdo sektori.
Fituesit e çmimeve Kult
Kandidat për të qenë të nominuar dhe fitues të Çmimit Kult është çdo artist, krijues apo interpretues shqiptar, pavarësisht nëse banon apo jo në Shqipëri, por që aktivitetin e tij artistik, krijues apo interpretues e ka zhvilluar në Shqipëri përballë publikut Shqiptar gjatë harkut kohor të një viti kalendarik.
Nuk përfshihet në vlerësim aktiviteti i artistëve shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë. Gjithashtu, nuk përfshihen në vlerësim as artistë të huaj për aktivitetin e zhvilluar brenda territorit të Shqipërisë.
Çmimi Kult përfaqësohet nga një çertifikatë, kupë dhe vlerë monetare.
Motoja e Akademisë KULT “Honos Alit Artes” rikthehet çdo vit për të promovuar, në sytë e publikut mbarëshqiptar, krijimet dhe interpretimet më të arrira si edhe për të shërbyer si një stimul gjithnjë e më i fuqishëm për të gjithë komunitetin aktiv të artistëve dhe krijuesve.
Çmimet Kult organizohen nga Akademia Kult dhe organziohen në mënyrë të pandërprerë që nga viti 2005.
Neritana Kraja