Këngëtarja e njohur e muzikës popullore dhe ish solistja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Hatixhe Lushi ka lindur në qytetin e bukur të Librazhdit, buzë lumit Shkumbin. Fillimet e saj me këngën popullore i ka patur qëkur ishte gjashtë vjeçe. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në çdo festival folklorik të Gjirokastrës, ku ka interpretuar mjeshtërisht këngët “Loti i kurbetit”, baladën “Ibrahim Keta i ri”, si edhe shumë këngë të tjera vaji, që sot janë pjesë e repertorit të kësaj këngëtareje të njohur popullore. Veçohet në premierën “Rituali i jetës”, kënga e vajit “Biri im” që i takon në fakt Malësisë së Madhe, por ajo u dashurua me të. Hatixhe Lushi ka një lidhje të hershme edhe me Ansamblin Popullor, qysh në vitin 1997. Duke patur shumë sukses në këngët e vajit, ajo cilësohet si zëri më i mirë i këtyre këngëve. Në një intervistë për emisionin “Bio Folk” në Radio Ejani ajo rrëfen eksperiencën e saj artistike si dhe planet në të ardhmen.
Hatixhe Lushi ne interviste me CMG
CMG: Znj.Hatixhe përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në emisionin “Bio Folk”.
Hatixhe Lushi: Ju falemnderoj dhe jam shumë e lumtur që të realizoj këtë intervistë me ju, sepse dini si t’i trajtoni artistët duke i përcjellë me dinjitet siç e meritojnë. Sot dua të flas se vërtetë kjo kohë kaq e zymtë kërkon nota të gëzuara. Unë si natyrë e dua jetën, e dua gëzimin, e dua këngën dhe në këtë situatë unë prapë këndoj dhe kjo më mban gjallë, sepse nuk mund të rri dot pa këngën.
CMG: Ju jeni një nga artistet që edhe në rrjetet sociale publikoni shumë shpesh këngët tuaja, duke dhënë pozitivitet. Kjo ndoshta më tepër edhe për të kaluar këtë situatë të pandemisë?
Hatixhe Lushi: Është mëse e vërtetë. Ne duhet të bëjmë kujdes, por jo të kemi frikë. Unë mundohem të sjell gjëra të gëzuara të jetës sime edhe kur dal për të pirë kafen, dhe faqja ime e facebook është një gazetë për mua.
Hatixhe Lushi me veshje popullore
CMG: Znj.Hatixhe ju keni dhënë një kontribut për këngët popullore sidomos të zonës së Librazhdit. Shumë të njohin edhe për baladën e Ibrahim Ketës.
Haixhe Lushi: Ajo baladë është e mrekullueshmë dhe më ka sjellë fat. Unë e kam kënduar në vitin 1983 në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, një baladë e shoqëruar me një fyell dhe ka qenë një dashuri e imja ku i pata adhuruesit nga gjithë vendet ku jetojnë shqiptarët. Bukuria e kësaj balade nuk qëndroi vetëm te fyelli, por më vonë kompozitori i njohur Naim Gjoshi të cilin dua ta përshëndes sepse ai është shumë i rëndësishëm në arritjet e mia muzikore, e përpunoi aq bukur atë baladë duke i futur të gjitha ngjyrat e zërit tim, ku edhe sot ajo qëndron në majë.
Hatixhe Lushi me kostumin popullor
CMG: Ju përveç shumë këngëve dhe videoklipeve keni realizuar edhe disa koncerte recitale. Çfarë mund të na tregoni më shumë për karrierën tuaj artistike?
Hatixhe Lushi: Unë kam realizuar disa koncerte recitale dhe në Librazhd kam bërë tre koncerte të paharruara. Por unë kam realizuar edhe një koncert tani së shpejti para dy viteve dhe ajo ishte një dashuri për Librazhdin, ndaj e titullova “Librazhdi im sa fort të dua!”. Kam realizuar edhe koncerte recitale me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, ku për mua është gjëja më e bukur që kam bërë me përgjegjësin e grupit vokal Gramoz Burbën dhe gjithë pjestarët e Ansamblit. Aty i dhashë të gjitha vlerat e këngëve jo vetëm të Librazhdit, por të gjitha trevave në një mënyrë perfekte artistike. Dua t’i falenderoj pafund anëtarët e Ansamblit sepse kam qenë pjesëtare e tij.
Hatixhe Lushi me artisten e madhe Nexhmije Pagarusha
CMG: Znj.Hatixhe ju keni dhe miqësi me artistë të mëdhenj, një prej tyre edhe me Nexhmije Pagarushën. Çfarë kujtoni nga kjo miqësi?
Hatixhe Lushi: Një nga dashuritë e mia është edhe dashuria për Nexhin, sepse lidhja dhe njohja me të ka qenë tepër e veçantë dhe shpirtërore, një miqësi familjare dhe e kujdesshme nga të dyja palët. Unë sa herë shkoja në Prishtinë për një koncert shkoja te shtëpia e Nexhmije Pagarushës, por edhe ajo kur vinte në Tiranë rrinte te shtëpia ime. Fjalët e saj më përcjellin në çdo moment dhe më japin forcë dhe guxim. Gjithmonë më thonte që të mos shqetësohesha sepse jo të gjithë i kuptojnë këngët që unë interpretoja, por që do të vijë një ditë që të gjithë do ta kuptojnë zërin tënd sa i bukur është sepse brenda zërit tënd ka shtatë ngjyra zani më thoshte.
CMG: Ju keni interpretuar “Bareshën” e Nexhmije Pagarushës dhe së fundi keni publikuar edhe një këngë dedikuar kësaj artisteje të madhe.
Hatixhe Lushi: Kënga e Bareshës ka qenë një obligim dhe mirënjohje për Nexhmijen. Unë jam munduar vite të tëra me “Bareshën” sepse pozicioni i shtrirë i asaj kënge është shumë i gjërë dhe këtë këngë ja bëra dhuratë djalit tim Artit, por edhe Nexhit që e dua shumë. Gjithmonë them se unë para “Bareshës” së Nexhmijes jam një bareshë e vogël fare spese nuk mund të arrihet interpretimi i Nexhmije Pagarushës. Kjo këngë është shkruar për atë dhe Rexho Muliqi ja ka kushtuar gruas së tij, duke ja ditur tonalitetet e zërit. Unë jam sforcuar shumë që e realizova, por jam e lumtur që bëra një bareshë.
Përsa i takon këngës që ja kam kushtuar Nexhmije Pagarushës ka qenë një dhimbje e madhe largimi i saj nga jeta. Unë kisha kohë që e mendoja që duhej të bëja diçka për Nexhin. Takova Burim Krasniqin në Prishtinë dhe i kërkova të më bënte një baladë për Nexhmijen. Tekstin e këngës e bëra vetë dhe Burimi bëri një baladë shumë të ndjerë me orkestrim dhe inçizim nga Naim Gjoshi dhe Hamit Skilja. Kjo këngë ishte një dhuratë që ja bëra shpirtit të saj, fjalët e këngës nuk janë fjalë të mëdha, por ato kishin vetëm një kuptim “Mall për Nexhin”. Videolkipi i kësaj këngë është realizuar nga Burim Krasniqi.
Hatixhe Lushi me Sabahete Vishnja dhe Irini Qirjako
CMG: Çfarë projektesh artistike keni në të ardhmen?
Hatixhe Lushi: Kam një baladë tjetër shumë të bukur “Çobani” e cila është një këngë e zonës së Kukësit, e kënduar nga Rexhep Kovaçi. Këtë baladë unë do ta sjell në mënyrën time dhe them se do të jetë një gjë e veçantë dhe e bukur. Kam disa këngë që i kam për zemër, por kjo periudhë sikur të kufizon nga shumë gjëra.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk.
Hatixhe Lushi: Unë dua të përshëndes veçanërisht Drejtorin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Gerti Druga i cili më ka besuar Ajkunën që qan Omerin. Ajo është pika më e lartë që unë kam arritur në Ansambel dhe aty është vetja ime. Dua të përshëndes të gjithë pjesëtarët e ansamblit të cilët i dua shumë. Një përshëndetje edhe për ju e dëgjuesit tuaj, që gjithmonë i mbështesni artistët.
Intervistoi: Gazmend Agaj