Raif Hyseni ka lindur në qytetin e Mitrovicës, në Kosovë. Ai sjell për artëdashsësit albumin e tij muzikor të titulluar “Raif Hyseni 24”. Fizarmoniçisti dhe kompozitori i mirënjohur Raif Hyseni ka luajtur për shumë vite me violinistin, kompozitorin e shkëlqyer dhe drejtuesin orkestrës Isak Muçolli, si dhe me orkestrën e muzikës popullore të Radio Televizionit të Prishtinës dhe grupin foklorik Besnikët para se të emigronte në Shtetet e Bashkuara në vitin 1995. Që prej asaj kohe, ai është bërë i njohur në gjithë komunitetet shqiptare me virtuozitetin e tij në fizarmonikë, dhe dirigjimin e përkryer të orkestrës së tij.
Hyseni themeloi Ansamblin e Parë Ballkanik Shqiptar në 2014. Ai ka shkruar këngë të shumta dhe pjesë instrumentale për fizarmonikën duke përfshirë: "Fantazia për Fizarmonike", "Udhëtimi nëpër Shqipëri", "Një këngë pa fjalë", "Fizarmonika dhe tre gotat", "Perla" "Manhattan Cocek", "Tango Tirana "," Xhaz i qetë, i ëmbël, i butë dhe i sofistikuar "," Bosphorus Breeze ""Shqiptaret në Japoni "" Steve's Gajda "," Era "," Lamtumirë " , "Kavalieri kosovar" dhe shumë te tjera. Ai shkroi muzikë për teatrin, si dhe filmin dokumentar "Nga Refugjat në Emigrant". Ai ka realizuar koncerte në të gjithë botën, SHBA, Evropë, Australi dhe Azi. Sot, Raifi jeton në New Jersey me bashkeshorten e tij këngëtaren e mirënjohur Merita Halili, dhe tre vajzat e tyre. Raifi së bashku me Meritën kanë dhënë shumë koncerte në skenat më të rëndësishme të botës, duke rrembyer duartrokitje pafund nga publiku shqiptar dhe ai botëror.
Raif Hyseni ka marrë çmime dhe mirënjohje të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Me albumin e tij muzikor ai konfirmon talentin me shumëllojshmërinë e muzikës popullore shqiptare, duke futur një gamë të gjërë të stileve botërore. Per Raif Hysenin dhe albumin e tij muzikor kanë dhënë vlerësime shumë muzikologë dhe artistë të njohur nga trevat shqiptare dhe bota, vlerësime të cilat janë përkthyer në 9 gjuhë te botës. Shumë vite në muzikë, një trashëgimi e tërë e vlerave etnomuzikore dhe bashkëpunime të shumta ndër vite, e shtynë artistin e njohur Raif Hyseni të krijojë këtë album, që do të mbetet si pasuri folklorike në muzikën shqiptare.
Në një intervistë ekskluzive për Bio Folk, Raifi na tregon rreth realizimit të albumit të tij muzikor si edhe aktivitetet e tjera artistike në SHBA.
CMG: Raif, faleminderit që je pjesë e emisionit Bio Folk në Radio Ejani.
Raif Hyseni: Pëshëndetje të gjithë dëgjuesëve të emisionit Bio Folk në Radio Ejani! Edhe pse jemi larg gjeografikisht, me zemër dhe me shpirt jemi shumë afër pranë njëri tjetrit. Ju falenderoj sinqerisht nga zemra që më dhatë mundësinë t’u drejtohem të gjithë dëgjuesëve të emisionit tuaj.
CMG: Ju kohët e fundit keni publikuar albumin muzikor, ndër më të veçantët deri tani. Ç’mund të na thoni për realizimin e këtij albumi muzikor dhe si lindi kjo ide?
Raif Hyseni: Në fakt ideja ka qenë e hershme, mirëpo për mua dhe Meritën rëndësi të madhe ka pasur promovimi i vlerave tona kombëtare, ato muzikore, artistike dhe tradicionale para amerikanëve dhe sidoms para institucioneve amerikane. E veçanta e këtij albumi është sepse marrrin pjesë 28 muzikantë nga shtete të ndryshme të Amerikës, siç janë New York, New Jersey, Illionis, Michigan, pastaj New Mexico, Arizona dhe shumë shtete ku të gjithë janë muzikantë profesionistë. Gjithashtu edhe muzikantë prej Finlande, Turqie, Bullgarie. Kuptohet pjesë e albumit është dhe orkestra ime që përbëhet nga muzikantë nga Shqipëria, Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut.
Janë gjithësej 15 kompozime të miat origjinale, të cilat i kam shkruar dhe aranxhuar vetë. E veçanta tjetër është sepse për këtë album kanë shkruar 8 profesorë të njohur në fushat e tyre, ku kanë bërë një lloj vlerësim kritike mbi punën time. Me këtë rast unë dua të falenderoj profesorët e nderuar Rafet Rudi, akademikun Vasil Tole, Dr.Lisa De Lorenzo, Dr.Jeff Kunkel, Dr.Jane Sugraman, Prof. Blerim Grubi nga Shkupi, Prof.Ismail Mehmeti nga Chicago si dhe professor Afrim Shabani i cili është i vetmi shqiptar që është i liçensuar nga Royal Academy of Arts në Toronto të Kanadasë. Të gjitha këto vlerësime janë në gjuhën shqipe, si dhe në gjuhën angleze, gjermane, italiane, turke, japoneze, spanjolle, arabe dhe në gjuhën kineze të cilën e ka marrë përsipër Prof.Dr. Yang Cui e cila është profesoreshë e Universitetit të Pekinit dhe për këtë unë jam shumë falenderues për të gjithë ata të cilët e kanë përkthyer vlerësimet dhe kritikat nga gjuha shqipe në gjuhët që i citova më lart.
Një tjetër e veçantë është sepse për herë të parë një album nga një kompozitor shqiptar përfshin motive nga vende të ndryshme, ku ne jetojmë në Ballkan. Përmes këtij albumi kam dëshirë që të tërheq vëmendjen e muzikantëve dhe artëdashësve botërorë që përmes muzikës sime të njihen më nga afër me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi.
Ky është një projekt kombëtar dhe në të kanë marrë pjesë 50 veta duke përfshirë edhe fotografin e njohur shqiptar Fadil Berisha i cili ka realizuar fotografitë e mia. Unë mendoj se për veten time dhe besoj edhe për dëgjuesit të cilët do të thonë fjalën e fundit, pra është një album shumë i veçantë, i cili titullohet “Raif Hyseni 24” sepse unë kam lindur me 24 qershor dhe ari më i mirë është ari 24 karatësh.
CMG: Promovimin e këtij albumi e kishit pak ditë më parë online në platformën Zoom. Le të flasim për këtë!
Raif Hyseni: Promovimin e albumit tim e kisha javën e kaluar me platformën Zoom live dhe në prani të qindra artëdashësve të mi dhe të muzikës popullore nga të gjitha kontinentet e botës, të cilët ndanë disa çaste të këndshme.
Dëshira ime ishte të vija në pah të gjithë ata muzikantë të cilët kanë muzikuar me mua në këto 15 kompozime dhe që të dihen kush janë. Ky ishte një eveniment shumë i rëndësishëm për mua dhe për të gjithë pjesëmarrësit që ishin prezent.
CMG: Si kanë qenë ditët tuaja në këto kohë pandemie? Çfarë angazhimesh keni pasur?
Raif Hyseni: Në fakt kjo situatë ka qenë e jashtëzakonshme edhe për ne sikurse për gjithë botën. Ka qenë në njëfarë mënyre sfiduese psikologjikisht, fizikisht dhe artistikisht, sepse nuk ishim mësuar që të rrinim 24 orë për një kohë të gjatë me të gjithë anëtarët e familjes, duke u ballafaquar me momentet e izolimit. Mirëpo fatmirësisht kaluam pa asnjë problem shëndetësor gjithë famlja jonë dhe shpresoj duke ju lutur Zotit që askush mos ta ketë këtë virus në trupin e tij.
Gjatë kësaj kohe unë kam dhënë mësim online me studentët e mi pranë Monclair State University, gjithashtu edhe në shkollën e mesme. Kuptohet edhe Merita ka bërë punën e vet online, ndërsa vajzat janë marrë me studimet dhe punët e tyre të përditëshme online. Vlen të përmendet sepse i gjithë aktiviteti jonë fizik kur kemi qenë para pandemisë, tani çdo gjë është bërë online, por që nuk është e njëjta vlerë sikur të jesh prezent fizikisht. Shpresojmë që të vijnë ditë sa më të mira për gjithë njerëzimin.
CMG: Ju përveçse një muzikant virtuoz, keni edhe mësimdhënien si një fushë që e lëvroni ne SHBA me studentë nga e gjithë bota. Sa e vështirë është për të huajt që të mësojnë muzikën shqip?
Raif Hyseni: Kur njeriu dëshiron të bëjë diçka nuk ka asgjë në botë që mund ta ndalojë atë të arrijë qëllimin e caktuar. Në fillim neve kemi pasur pak vështirësi mirëpo me kalimin e kohës e kemi kaluar këtë. Ka qenë pak e vështirë për ne sepse muzikën shqiptare që kemi prezantuar para audiencës amerikane, ata të cilët nuk kanë pasur asnjë lloj njohurie mbi muzikën shqiptare dhe gradualisht pas punës sistematike që kemi bërë unë me Meritën dhe orkestrën time kemi arritur që studentët amerikanë ta dëgjojnë dhe shijojnë muzikën shqiptare nga afër, por jo sikur e dëgjon nga Youtube apo rrjetet e tjera sociale. Për këtë arsye ata në fillim kanë pasur vështirësi sidomos me ritmet e thyera shqiptare, ku unë kam punuar shumë në instrumenta të ndryshme, që ata kanë ekzekutuar.
Gjithashtu edhe Merita ka punuar me këngëtarët dhe sidomos në shqiptimin e fjalëve në gjuhën shqipe, që nuk është aq e lehtë për amerikanët. Si rezulat i kësaj pune ne kemi arritur që ta formojmë Ansamblin shqiptaro-amerikan pranë qendrës së folkut të Evropës Lindore që përmban rreth 130 anëtarë dhe është Ansambli më i madh shqiptar në historinë e kësaj organizate.
Para 8 viteve hapëm edhe katedrën e parë për muzikën shqiptare ku studentët amerikanë hyjnë në provim dhe studiojnë muzikën shqiptare në çfarëdolloj instrumenti si edhe në këndim. Kemi arritur që me këta studentë të marrim pjesë në festivale të ndryshme këtu në Amerikë. Për herë të parë unë pata rastin që ansamblin tim prej17 vetash t’i dërgoj në Kosovë, ku shfaqëm koncert në Ferizaj, Prishtinë dhe në Shkup ku festuam 4 korrikun, pavarësinë e SHBA-së.
Për këto aktivitete i jam shumë mirënjohës Monclair State University që më dha mundësinë duke paguar të gjitha shpenzimet, por edhe mikëpritësit të cilët mbuluan shpenzimet në Kosovë, Komuna e Ferizajt me Kryetarin Agim Aliu. Përshëndes Ansamblin Kastrioti të cilët na kanë bërë një mikpritje fantastike mua bashkë me studentët. Ky është një sukses shumë i madh për ansamblin shqiptar sepse studentët të cilët ishin në Kosovë dhe Shkup e panë nga afër kush janë shqiptarët dhe kur u kthyen në Amerikë pyetja e parë e tyre ka qenë, Raif kur do të shkojmë prapë në Kosovë dhe Shkup. Me këtë punë ne jemi marrë gati 23 vite dhe kuptohet që suksesi nuk mungon.
CMG: Çfarë projektesh keni në të ardhmen?
Raif Hyseni: Unë do të vazhdoj të jap mësim online për studentët e mi. Gjithashtu do të vazhdoj online seminare të ndryshme për studentë nga Amerika dhe vende të tjera të botës. Sigurisht që do të vazhdoj ta promovoj albumin tim përmes platformave të ndryshme sociale, dhe kisha dëshirë që edhe të tjerë nëse kanë mundësi ta ndajnë, sepse ky album nuk i përket Raif Hysenit, por i përket të gjithë shqiptarëve. Shpresojmë të mbarojë kjo pandemia që të kthehemi në jetën normale.
CMG: Nje mesazh urimi nga Maestro Raif Hyseni për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk.
Raif Hyseni: Nuk ka gjë më të bukur dhe fisnike e vullnetit të mirë dhe dëshirës së mirë kur dikujt i thua “ejani”, ashtu siç e bëtë ju bashkë me stafin tuaj në Radio Ejani, e sidomos në emisionin Bio Folk. Ju falenderoj shumë që na ftoni gjithmonë gjithë artistët shqiptarë nga të gjitha trevat ku përmes emisionit tuaj të ndajmë sadopak disa momente të këndshme për të gjithë ne. Unë ju përshëndes të gjithëve duke ju uruar shëndet juve, dëgjuesve dhe të gjithë shqiptarëve dhe njerëzimit nëpër botë.
Intervistoi: Gazmend Agaj/ redaktoi Wang Lei