Kultura kineze është si një qiell xixëllues dhe erashka është si një yll i ndritshëm, me histori prej qindra vjetësh, dhe një pjesë qendrore në kulturën dhe artin kinez. Brenda dhe jashtë vendit, erashkat janë shumë popullore.
“E dimë që Guangdong-u është i famshëm për zonën tregtare 'Shisanhang', për eksportimin e mallrave kineze jashtë vendit, sidomos erashkat” tha Li Jing, një prodhues i erashkave të rrumbullakëta.
Sipas tij, ka shumë lloje erashkash, si erashka prej pendësh, erashka të pikturuara, erashka me dantella dhe erashka të qëndisura, që prodhohen në Kinë dhe pastaj eksportohen në vendet evropiane.
Në shekullin e 17-të dhe 18-të, erashkat e palosshme kineze hynë në Europë, duke u blerë kryesisht nga gratë dhe zonjat e oborreve mbretërore të Francës dhe Britanisë. Ato janë të bëra prej lëkure qengji ose pule, mëndafshi, dhe garzë, dhe janë të zbukuruara me vizatime shumëngjyrëshe dhe qëndisma, të cilat i bëjnë të duken luksoze.
Në të njëjtën kohë, në Kinë, ku e kanë zanafillën, erashkat janë të ndryshme.
“Erashkat e eksportuara në Europë, si Britani dhe Spanjë, janë bërë prej materiale të ndryshme nga ato në Kinë. Ata (perëndimorët) parapëlqejnë të përdorin pendët dhe shtojnë skaje dantellash, ndërsa kinezët u kushtojnë vëmendje dendësisë së strukturës dhe modelit,” tha Li Jing, duke shtuar se “ne kinezët preferojmë të lëmë më shumë hapësirë të zbrazët në erashkë, ndërsa perëndimorët fokusohen në kompleksitetin. Për këtë arsye, erashkat e tyre duhen shumë të zbukuruara, pothuajse pa asnjë boshllëk.”
Erashka e rrumbullakët kineze nuk është thjesht një ndërthurje e perkryer e funksionalitetit dhe bukurisë, por simbolizon respektin e lartë të kulturës kineze ndaj dijetarëve dhe një nderim për të gjithë universin, për harmoninë dhe unitetin.
Li beson se koncepti kinez i “Unitetit të Madh të Qiellit dhe Njeriut” shfaqet në shumë objekte kineze dhe kjo është arsyeja pse kinezët preferojnë të lënë më shumë hapësirë. “Ne ndjekim ekuilibrin natyror, që në fakt do të thotë ndjekje e natyrës,” thekson ai. (Li Huailiang/Artan)