Në këto ditë të vështira të pandemisë, në Shqipëri, duket se askush nuk e ka mendjen tek festivali i këngës së fundvitit, që ka një traditë 59 vjeçare. Por në realitet, kjo ngjarje e rëndësishme e muzikës do të mbahet, edhe pse do t'i duhet të dalë nga salla e ngrohtë e Pallatit të Kongreseve, në rrugë.
Këngëtarët pjesëmarrës në Festivalin e 59 të Këngës
Pëpara dilemës se çdo të bëhet me festivalin, organizatorët zgjodhën të gjejnë një vend të hapur, në mënyrë që kjo traditë të vazhdojë dhe besnikët e audiencës së tij, të mos heqin dorë nga kënaqësia e muzikës, as në këtë mes dhjetori të vështirë, por edhe për të ngjallur besim dhe optimizëm që në fund të fundit, ne shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë.
Festivali tashmë është në procesin përfundmitar të përgatitjes, këngëtarët janë në punë për detajet e fundit të këngës, po kështu gazetari Blendi Salaj e ka gati skenarin, që sivjet supozohet të tejkalojë përmasat e skenarëve të mëparshëm, pasi është shkruar nga një profesionist i fjalës dhe i mendimit, duke i dhënë fjalës peshën që i takon.
Drejtuesit e festivalit të 59 në RTSH.
Blendi Salaj do tw drejtojë festivalin me aktoren Jonida Vokshi.
Regjia e festivalit këtë vit rikthehet tek Pali Kuke, regjisor me përvojë, ndaj kureshtja është e madhe, se si do ta zgjidhë ai nga koncepti regjisorial mbajtjen e këtij festivali, ku kufizimet janë aq të mëdha sa që regjisori nuk nguron ta quajë si "festivali i pandemisë":
"Gjykoj që festivali është një institucion që duhet mbrojur dhe në kohë murtaje. Eshtë shumë unikal, do të ngelet i barazvlefshëm ndoshta me festivalin e 11-të. Festivali i Radiotelevizionit nuk u ndërpre në 97-ën.... Kemi dalë nga një interier i zakonshmë, i përhershëm, që është Pallati i Kongreseve dhe po shkojmë tek një arkitekturë shumë solide, shumë interesante, që duket se vërtet e mbron festivalin përmes atyre kollonave", shprehet Kuke.
Regjisori Pali në konferencë për shtyp duke folur për Festivalin e 59
Më tej ai tregon se si pasojë e kufizimeve, festivali do të operojë disi më ndryshe. Me dashurinë për t’i trajtuar secilin nga artistët në mënyrë të barabartë, festivali tenton të jetë live, domethënë këngëtarët do të këndojnë live, ndërsa baza muzikore do të jetë e regjistruar.
Janë 26 këngë, që do të dalin në natën e parë. Në natën e dytë këngët do të vijnë në një frymë tjetër. Në skenë nuk duhet të performojnë më shumë se 6 veta, përfshirë dhe interpretuesin dhe ky është një tjetër kufizim i festivalit sivjet.
Tjetër pasojë e situatës, janë edhe datat e festivalit. Ata janë lënë të hapura, mes një intervali nga data 17 deri në 25 dhjetor, në varësi të epidemisë dhe motit, pasi gjithçka është menduar të zhvillohet në ambient të hapur dhe mbarëvajtja e motit, përbën kriter edhe për mbarëvajtjen e festivalit.
Organizatorët kanë menduar për të gjitha, madje edhe për rrethanat në të cilën dikush nga këngëtarët mund të sëmuret. Nëse një prej artistëve do të preket nga COVID 19 do të zëvendësohet nga artisti pasardhës, sqarojnë ata.
Në mesin e artistëve që sivjet konkurrojnë për vendin e parë janë një miks i artistëve tashmë të njohur të muzikës shqiptare, dhe këngëtarëve relativisht të ri në skenë si: Manjola Nallbani, Kamela Islamaj, Kastro Zizo, Era Rusi, Erik Lloshi, Rosela Gjylbegu, Florent Kabashi dhe të tjerë.
Por, nëse bazohemi në klikimet dhe komentet që këngët e postuara në YouTube i kanë marrë deri më tani, tashmë mund të kuptohen cilët janë artistët dhe këngët e preferuara të publikut, që potencialisht do të garojnë kokë më kokë për vendin e parë.
Gara në internet deri tani po zhvillohet e bukur dhe ndër të preferuarat e publikut janë artistja e re, Inis Neziri, e cila më shumë emocion interpreton baladën e dashurisë me titull “Pendesë”, Anxhela Peristeri e cila konkurron me këngën “Karma”, këngëtari i ri, Mirud, i cili sjell këngën ritmike “Nëse vdes”, dhe Era Rusi me një këngë krejt ndryshe nga projektet tjera konkurrente e cila titullohet “Zjarri im”.
Arilenena Ara, fituesja e edicionit të 58 të festivalit
Por është skena e festivali ajo që përcakton fituesin real.
Mungesën e emrave të tjerë të njohur të këngëtarëve të traditës në këtë garë, Martin Leka, drejtor i festivalit, e shpjegon kështu:
“Kemi qenë të rinj, edhe unë jam bërë i vjetër, ashtu sikundër të gjithë këta që shihni këtu janë këngëtarë edhe kompozitorë, që do të bëjnë emër të madh në të ardhmen. Refuzoj që t’i ndaj në të rinj edhe të vjetër”, thotë Leka.
Ndërkohë Leka sqaron edhe përbërjen e jurisë kërkesat ndaj saj. Ai thotë se votimi i jurisë që do të përzgjedhë këngën fituese, do të jetë transparent.
“Juria do të jetë vetëm me anëtarë shqiptarë, që do të votojnë në mënyrë transparente. Do të jenë njohës të mirë të këngës dhe tekstit. Nën shembullin e jurisë që përzgjodhi 26 këngët në RTSH do të jetë edhe juria”, shprehet Leka.
Nuk duhet harruar se ky festival ka të drejtën që zgjedhë këngën përfaqësuese të Shqipërisë për në festivalin Eurovision 2021.
Fituesja e vitit të kaluar, Arilena Ara do të shkonte në Roterdam për Eurovizionin e këtij viti, por festivali u anulua për shkak të pandemisë. Kjo do të thotë që ajo nuk ka mundësi të realizojë ëndrrën e saj në Eurovizion me këngën e saj “Shaj”.
Tani, pasi Festivali do të zhvillohet në dhjetor, do të zgjidhet një këngë e re për Eurovizion.
Festivali i Këngës është një konkurs vjetor i muzikës së lehtë i organizuar nga RTSH. Jo vetëm që është një ekspoze e talenteve shqiptare, por përcakton përfaqësuesin në Festivalin Europian Eurovizion. Festivali zhvillohet çdo vit që nga viti 1962. Filloi transmetimin e parë në radio dhe përparoi duke kaluar në televizion ndër vite
Festivali i parë u fitua nga Vaçe Zela me këngën e quajtur “Fëmija i Parë”.
Neritana Kraja