Irini Qirjako është një nga emrat e shquar të këngës popullore e veçanërisht asaj polifonike, me një karrierë të gjatë prej më shumë se tre dekadash, nga zërat e artë të Ansamblit te Kengeve dhe Valleve Popullore, një artiste dhe veprimtare e shquar. Kënga polifonike “Këngët e atdheut tim, janë ilaç janë shërim” të Lefter Çipës, mbetet një nga këngët e saj më të dashura, një himn, të cilin e këndon herë pas here e që zbukuron gjerdanin e artë të perlave që kjo artiste ka kënduar në vite në shumë skena të vendit e në botë.
Irinin e sheh gjithmonë të qeshur. Zëri i saj është po ai i rinisë, me timbër, i pastër, korrekt. Nuk abuzon me asgjë, pasi zërin e ka stolinë që zoti ja ka falur. Ajo është identifikuar si këngëtare tipike e këngës së polifonisë labe. Në çdo aktivitet, ajo këndon plot vullnet dhe dëshirë. Thuajse i ka shëtitur të gjitha shtete europiane, ku zëri i saj i veçantë, por sidomos kënga e bukur labe e ka bërë të marrë miliona duartrokitje që nga Izmiri dhe deri në Paris.
Ka një eksperiencë të gjatë pune të frytshme me kompozotorin e mirënjohur Edmond Zhulali, por ajo ka bashkëpunuar edhe me Aleksandër Peçin. Irini ka publikuar 5 albume muzikore si dhe disa video klipe. Në intervistën ekskluzive për “Bio Folk ajo na tregon rreth aktivitetit të saj artistik.
Irin Qirjako me kostum popullor
CMG: Në këto kohë të vështira që po jetojmë edhe jeta juaj artistike është ndërprerë ?
Irini Qirjako: Sigurisht që kjo është një pandemi globale që ka pezulluar nga aktivitetet të gjithë artistët e botës. Në fakt për ne artistët të na heqësh artin është sikur na ke vrarë, por kur mendon se jeta është shumë më e shtrenjtë se gjithçka tjetër, sigurisht që jemi të detyruar për të shpëtuar jetën tonë, njërëzit tanë, të afërmit dhe të dashurit tanë duke zbatuar protokollet se çfarë thotë mjekësia dhe lusim Zotin që kjo pandemi të largohet sa më shpejt.
CMG: Si e keni kaluar karantinën në muajin mars ?
Irini Qirjako: Në periudhën e karantinës në mars, prill dhe maj sigurisht që kemi ndenjur në shtëpi në izolim total, pastaj më vonë kur u lirua pak dolëm dhe gjëja e vetme që kisha ishte një koncert dhe dokumentar që do të bëhej në Itali. Ky është një projekt i madh me shtëpinë diskografike Ponderosa dhe me dy muzikantët shqiptarë Eklant dhe Redi Hasa, shoqëruar nga instrumentistë italianë. Ky është një projekt i madh dhe ne ishim të detyruar të shkonim për të bërë koncertin dhe një dokumentar, realizuar nga televizioni italian Rai 3. Dokumentari nuk ka përfunduar, por më e bukura është se koncertin e dhamë në ullishte dhe erdhën shumë spektatorë të ulur në karrige në distance, që e shijuan koncertin mes ullinjëve dhe portokalleve.
CMG: Ju gjithmonë keni qenë shumë aktive nëpër aktivitete dhe gëzime familjare, duke prodhuar edhe këngë të reja. Si ndjeheni tani pa aktivitetet artistike ?
Irini Qirjako: Tani jemi kthyer në shtëpiake dhe jam bërë një amvisë e mirë e shtëpisë. Kam bërë turshi me lakër, ullinjtë i kam futur në vazo, pra jam bërë një amvisë shumë e mirë. Nganjëhre vjen një moment dhe më kap një trishtim i tmerrshëm duke thënë se kështu do rrimë ne? Pastaj i them vetes, mos Irini se nuk ka gjë më të shtrenjtë sesa jeta dhe me këtë kurajo qetësoj veten. Pastaj ulem në piano dhe këndoj duke kaluar ditën, bëj dhe fiskulturë mbasdite dhe kështu kalon gjithë dita. Edhe fansat e mi më dërgojnë në rrjetet sociale buqeta me lule dhe mesazhe të bukura. Sigurisht edhe unë i respektoj dhe ju kthej përgjigje, ndonjëherë nuk mundem të gjithëve, sepse janë aq shumë ku mund të bëj edhe ndonjë mesazh të përgjithshëm, por përpiqm ti respektoj të gjithë fansat e mi.
Irini me grupin polifonik
CMG: Ju jeni një këngëtare e njohur e polifonisë labe dhe këngëve qytetare të jugut. Kë keni më për zemër nga të dyja këto rryma muzikore?
Irini Qirjako: Në shtëpinë tonë kur isha e vogël, këndoheshin këngë polifonike dhe unë me atë jam brumosur që në barkun e nënës. Polifonia fle në shpirtin tim dhe është në çdo qelizë të trupit tim. Kur erdhi demokracia duhet të lëvroja edhe këngën qytetare sepse u hap tregu muzikor, filluan koncertet private dhe unë duhet t’i përshtatesha patjetër tregut dhe natyrisht që i këndoj bukur sepse ato këngë janë mbështetur mbi polifoninë, por vetëm është shtuar orkestra e sazeve. Kur di të këndosh bukur polifoninë edhe këngën qytetare e këndon bukur, por unë mbretëreshë jam në polifoni.
CMG: Ju keni dhënë një kontribut të çmuar si soliste e shumë viteve në Ansamblin e Knëgëve dhe Valleve Popullore. Dy nga ikonat e valles shqiptare Besim Zekthi dhe Rexhep Çeliku kanë ndërruar jetë kohët e fundit. Ndonjë vlerësim për këto dy korifej të valles shqiptare?
Irini Qirjako: Kur shkova në fillim në Ansambël, solisti primar ka qenë Besim Zekthi dhe kur e kam parë për herë të parë në shfaqje, sidomos te vallja e shqipeve unë kam shtangur me portretin e tij, me krahët që i lëvizte tamam si shqiponjë. Jam mrekulluar me koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Mbas Besim Zekthit po lulëzonte Rexhep Çeliku, edhe ai një valltar brilant që fluturonte në skenë. Këto dy valltarë gjigantë të Ansamblit shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore veç talentit të tyre, ishin gjigantë dhe në skenë sepse jo të gjithë balerinët janë trupmëdhenj. Ato të dy ishin diva në skenë dhe unë i kam dashur shumë, i kam pasur të shtrenjtë dhe shpeshherë shoh fotot me ata dhe më mbushen sytë me lot. Shteti duhet të bëjë më shumë për këta kolosa të artit shqiptar. Në shpirtin tim ata jetojnë dhe janë të pavdekshëm.
Irini në intervistë me CMG
CMG: Çfarë projektesh keni në të ardhmen për adhuruesit tuaj?
Irini Qirjako: Siç e përmenda më lart projekti i parë është ai me shtëpinë diskografike italiane Ponderosa, që është ndër më të mëdhatë në Itali. Vjet në nëntor dhamë dy koncerte me muzikë polifonike të Bahut dhe polifoninë shqiptare, ku më zgjodhën mua dhe unë zgjodha pesë vajza të Ansamblit shtetëror. Koncerti u dha në një Katedrale të madhe ku brenda ishin 800 veta dhe jashtë ishin 600 persona, që prisnin të dëgjonin këngët.
Në këtë grup kisha edhe Sabahete Vishnjen, Irena Saraçin dhe Fiqerete Kapon që e kisha kthyese. Plani ishte të shkonim në koncerte në disa shtete të Evropës, por për arsye të pandemisë u ndërprenë dhe besoj se do ta vazhdojmë sapo të mbarojë kjo situatë. Kjo është dhe ëndrra ime, koncertet e mia në skenat e botës me publikun e huaj e kam lumturinë më të madhe, sepse këtë kam përjetuar tërë karrierën time.
Intervistoi: Gazmend Agaj