Shpellat e lashta kineze janë vlerësuar gjerësisht si thesare përgjatë Rrugës së Mëndafshit. Këto pika të trashëgimisë kulturore janë të shpërndara në mbarë vendin, por tani teknologjia digjitale i ka bashkuar ato.
Ekspozita e parë e përbashkët e tre grupeve kryesore të shpellave të Kinës, përkatësisht Mogao në Dunhuang të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore, Longmen në Luoyang të provincës Henan të Kinës Qendrore dhe Yungang në Datong të provincës Shanxi në veri të Kinës, është duke u zhvilluar në qytetin Luoyang.
Ekspozita, e organizuar nga institutet kërkimore të të tre grupeve të shpellave, mbahet në Muzeun e Luoyang-ut dhe do të zgjatë tre muaj, deri më 18 janar 2021.
Ekspozita thyen barrierat hapësinore të këtyre relikteve kulturore, duke paraqitur aftësitë e gdhendjes dhe pikturimit që dëshmohen në këto shpella, historinë e tyre të pasur, si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke përdorur printimin 3D, realitetin virtual dhe teknologji të tjera digjitale.
Profesori Jia Zhuofei nga Universiteti Jiaotong i Xian-it thotë se teknologjia digjitale ka hapur një fushë të re në studimin dhe ekspozimin e këtyre relikteve kulturore, duke i lejuar vizitorët të vlerësojnë hijeshinë e veçantë të thesareve të lashta.
"Teknologjia e realitetit virtual është një arritje e madhe në drejtim të shfaqjes së shpellave të prishura", u shpreh Shi Jiazhen, drejtori i institutit së studimit të shpellave Longmen, duke folur për restaurimin virtual të statujave të shkatërruara të Budës. Ekrani i realitetit virtual u mundëson shikuesve të shohin pamjen origjinale të figurave mbi 1 000-vjeçare.
Një koleksion i statujave të Budës shfaqet në ekspozitë
Shpellat Mogao, Longmen dhe Yungang u përfshinë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s përkatësisht në vitet 1987, 2000 dhe 2001. Ky vit shënon 20-vjetorin e përfshirjes së shpellave Longmen në listë.