Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Pekinit të këtij viti, një regjisor dokumentarësh nga Japonia tregoi historinë e tij lidhur me Kinën.
Takeuchi Ryo u bë i famshëm pas shfaqjes së dokumentarit të tij për jetën e popullit kinez gjatë pandemisë së koronavirusit të ri.
Dokumentari me dy pjesë fokusohet në përgjigjen ndaj epidemisë në qytetin Nankin në mars dhe jetën e 10 qytetarëve të Wuhan-it që i mbijetuan sëmundjes.
Dokumentari u mirëprit në Kinë e në Japoni dhe pjesa e Nankinit u publikua madje në ballinën e portalit më të vizituar japonez.
Ryo thotë se nuk e priste që dokumentari të bënte jehonë kaq të madhe:
“Është e pabesueshme. Dokumentari u transmetua në të gjitha kanalet kryesore televizive të Japonisë, jo një herë në ditë, por herë pas here. Dhjetëra milionë japonezë e kanë shikuar dokumentarin. Historitë u botuan edhe në gazetë.”
Shumica e shikuesve japonezë kanë bërë komente pozitive, duke shprehur interesin e tyre për luftën e Kinës kundër epidemisë.
Por Ryo shtoi se disa përdorues interneti e kanë kritikuar atë që ka folur mirë për Kinën, edhe pse nuk e kanë parë dokumentarin.
Regjisori theksoi se ai vetëm ka treguar të vërtetën, duke shpresuar se bota do të njohë se çfarë ndodhi në Kinë gjatë pandemisë. Ai tha:
“Kur xhiroja pjesën e Wuhan-it, ajo që shpresoja më shumë ishte t'ua bëja të ditur të huajve gjendjen e vërtetë në këtë qytet. Sepse në atë kohë shumë të huaj ishin të mendimit se Wuhan-i ishte ende i rrezikshëm, megjithëse qyteti nuk kishte raportuar raste të reja të sëmundjes dhe gjendja ishte përmirësuar vërtet shumë. Por disa të huaj nuk e besonin këtë.”
Tani Ryo i kushton shumë vëmendje punës së ndihmës ndaj të varfërve në Kinë. Dokumentari i ardhshëm i tij do të shfaqë historinë e daljes nga varfëria brenda vetëm një dekade të banorëve të kombësisë yi në malin Daliang, një nga zonat më të varfra në Kinë. (Fani)