“String Art” është një lloj arti i cili realizohet përmes gozhdës së goditur me çekiç, për të bërë modele të lakuara. Ky lloj arti daton që prej vitit 1962, krijuar nga një profesor francez matematike franceze për të marrë më pas popullaritet nga artisti amerikan John Eichinger. Ai u specializua në krijimin e modeleve gjeometrike, të cilat i quajti më pas “Mandala”, art që përhap gjerësisht në vitin 1970, duke frymëzuar më pas edhe artistë të tjerë.
Artisti shqiptar Edison Abazi krijon “String Art” me anë të thurrjeve të fijeve me ngjyra, telit, gozhdëve, për të bërë modele gjeografike. Ai ka lindur më 27 Qershor të vitit 1984 në Peshkopi, ka jetuar për 22 vite në Tiranë ku ka lëvruar për 20 vite cirkun, është marrë me pikturë, me muzikë dhe ka organizuar eventesh artistike, etj. Prej 7 vjetësh Edisoni jeton në Çeki, ku ka realizuar mini ekspozita, ndërsa në shtator do të hapet një ekspozitë e madhe me punimet e tij. Pas një ekspozite të suksesshme në Ambasadën Shqiptare në Çeki, Edisoni paraqiti për publikun artdashës shqiptar, një ekspozitë në gusht të këtij viti edhe në Tiranë. Veprat e Edisonit janë ekspozur dhe shitur në Çeki, Austri dhe Gjermani.
Për Grupin Mediatik të Kinës artisti Edison Abazi flet për pasionin e tij për këtë lloj arti kaq të veçantë edhe në botë.
CMG: Si lindi dëshira për t’u marrë me këtë art kaq të veçantë dhe nga e more frymëzimin?
Edison Abazi: Ka qenë krejtësisht një rastësi mund të them. Teksa po ndiqja disa video me përmbajtje artistike në youtube, papritmas më doli një video ku po realizohej një pikturë totalisht pa bojëra, por vetëm me gozhdë dhe fije, që quhet “String Art”. Nga ai moment kam kuptuar për herë të parë edhe kuptimin e vërtetë të “String Art” dhe që ekzistonte ky lloj profili. Më bëri kureshtar dhe fillova të ndiqja videon deri në fund. Pasi e pashë se kjo gjë më frymëzoi, më shtyu të shihja disa punime dhe elementë të tjerë nga artistë të ndryshëm, të cilët gjendeshin në internet. Kështu pasoi çdo ditë, duke parë shumë materiale të tjera, derisa një ditë papritur mu shfaq një artiste me një realizim pikture, të cilin nuk e kisha hasur më parë.
Kjo artiste nga Japonia ]quhet Kumi Yamashita. Nuk kisha deri në ato momente asnjë informacion për këtë personazh, por më pas sigurisht pasi bëra një kontroll të shkurtër në internet, kuptova se ajo ishte një ndër artistet më të mira në botë. Më pas vazhdova të shoh me kureshtje dhe detaje të gjitha videot e punimeve, që ajo kishte bërë ndër vite. Hyra më në detaje që të shihja teknikën që ajo përdorte, kujdesin që kishte ndaj realizimit të punimeve, pasi ky lloj profili ka në tërësinë e tij shumë elementë, si Matematika, Gjeometria, të cilat bashkohen dhe bëjnë të mundur realizimin e pikturës. Qoftë edhe një element sado i vogël të mungojë, nuk është i mundur një realizim profesional i kësaj pikture.
Deri tani kam mbi 60 punime profesionale, në një periudhë kohore përafërsisht 6 vite, ndërsa më përpara kam realizuar dhe punime të tjera siç janë logo, shkrime që hyjnë tek puna fillestare, nisja e rrugës për të qenë më pas një profesionist.
CMG: Cila ka qenë puna më e vështirë që ke hasur gjatë realizimit të këtyre punimeve?
Edison Abazi: Puna ime më e vështirë nuk ka mbaruar ende, pra ka nisur por nuk është përfunduar. Ajo konsiston në një punim të cilin mendoj se pas disa muajsh do ta kem mbaruar. Bëhet fjalë për një picture, që i kushtohet një heroi të Republikës Çeke, me dimensione 1.5 me 2m, pra është një format i madh. Shpresoj ta përfundoj në kohë pasi kjo pikturë do të jetë kryefjala e ekspozitës sime, e cila do të hapet pas disa muajsh në Republikën Çeke, në kryeqytetin e saj, Pragë.
CMG: Cila është puna jote e parë dhe kur fillove ta merrje seriozisht këtë gjë ?
Edison Abazi: Frymëzimi im ka qenë artisja japoneze me famë botërore, Kumi Yamashita, të cilën e kam ndjekur që prej fillimit me teknikat e saj të realizimit dhe vazhdoj ende ta kem si frymëzim, pasi teknika e saj është shumë e veçantë .
CMG: Ke vite që merresh me art dhe krijime të ndryshme në shtëpi, por a e mendoje se puna jote do të të çonte drejt një fame ndërkombëtare?
Edison Abazi: Nuk e kam menduar asnjëherë që po emigroj për një famë ndërkombëtare, por përderisa ajo çfarë unë realizoj po pëlqehet masivisht nga populli, atëherë fama vjen vetë. Mjafton që ajo çka realizohet të ketë cilësi dhe të jetë një produkt që ja vlen. Pra ky produkt që prodhohet nga artisti, të pëlqehet nga publiku dhe është publiku i cili do japë vlerësimin e tij.
CMG: Cili është synimi yt për të arritur?
Edison Abazi: Fokusi im nuk është fama ndërkombëtare, por i jam përkushtuar vërtet shumë këtij profili, pa menduar famën dhe vlerën monetare. Përkushtimi im ka qenë vetëm për të realizuar një punim të mirë dhe cilësor dhe finalizimi i gjithë kësaj pune, apo këtij mundi ndër vite, do të jetë ekspozita që do të zhvillohet pas disa muajsh në Çeki. Nëse kjo ekspozitë do të shkojë siç unë e kam menduar e planifikuar, do të jetë një hap shumë i mirë përpara. Besoj se do të çelet ndonjë derë tjetër artistike e mirë.
E mira dhe e veçanta me këtë ekspozitë është fakti se kam punuar disa portrete, personazhe të njohura në Republikën Çeke, me peshë e influencë të madhe në këtë vend në ditët e sotme. Nëse pjesë marrja e tyre do të jetë aktive në këtë ekspozitë, pra nëse ata do të jenë prezentë, atëherë ky do të jetë finalizimi më i bukur i kësaj ekspozite. Uroj shumë t’i kem prezent e të mundem që secilit prej tyre t’ua dhuroj personalisht atë ditë portretet që kam realizuar.
CMG: Ka një kohë të caktuar kur ti i realizon këto punime?
Edison Abazi: Doja që t’ju tregoja një kuriozitet për punën time në “String Art”. Koha më e përshtatshme për mua për të punuar është darka, pra orët e vona të natës, pasi në këtë lloj profili duhet të jesh shumë i qetë, të kesh një qetësi absolute për të bërë të mundur realizimin e pikturës. Një kuriozitet tjetër është se frymëzimi im është dhe besoj do vazhdojë të jetë Kumi Yamashita dhe kam dashur të realizoj në pikturë një nga portretet e saj. Mendova të testoja veten nëse mund ta përfundoja atë punim të saj, një portret ky shumë i vështirë, dhe të kuptoja se deri ku mund të arrija. Mbi të gjitha nuk kisha shumë eksperiencë e kështu i nisa një e-mail. Në shkrimin e parë nuk mora asnjë përgjigje, i shkruajta sërish dhe e njëjta gjë, por unë doja me patjetër që të merrja një lloj autorizimi prej saj nëse mund të tentoja të realizoja një ndër punimet e saj, por nuk mora asnjë shkrim për shumë kohë. Nuk hoqa dorë dhe pas disa muajve, pasi kisha tentuar disa herë t’i shkruaja, i dola drejtpërdrejtë në temë dhe i thashë të më tregonte nëse mund të më jepte leje për ta nisur këtë portret, i cili ishte punim i saj, por unë e kisha me shumë qejf dhe dëshirë që ta realizoja e të testoja veten, pra një sfidë me veten time.
Më erdhi një përgjigje, me një pyetje retorike, “Dëshiron ta realizosh ti këtë ?” Kjo qe përgjigjja e saj dhe sigurisht që unë i shkruajta, duke e pohuar, se doja të tentoja, aq sa mund të realizoja. Ajo më dha konfirmimin dhe unë nisa punën. E realizova ashtu siç e mendova dhe aq sa munda dhe në fund ja nisa punën e përfunduar, duke e pyetur, se si i dukej puna ime, pra një vlerësim mbi punimin që unë kisha bërë . Përgjigja e saj ishte shumë shkurt, por e qartë. Ajo më tha “Është fantastike!”, fjalë tejet frymëzuese për mua.
Disa gozhdë të vogla, fije me ngjyra, shumë talent dhe përqëndrim duhen për të krijuar këto punime artistike të quajtura “String Art”. Këto teknika janë me të vërtetë sa të bukura aq edhe të vështira, por mbi të gjitha tejet të veçanta në këtë lloj profili. Një ndër artistët më të veçantë të këtij arti ë shtë Kumi Yamashita, e cila frymëzon tashmë edhe të rinjtë shqiptarë me artin e saj.
Intervistoi: Sava Lena