Bukuria kushton dhe për të pasur një veshje të veçantë shpesh, i drejtohemi Atelierëve. Ata bëjë një punë e cila mbetet në kohë përtej viteve sepse çdo prodhim është unik në llojin e tij. Anila Konomi është një ndër stilistet e para në Shqipëri e cila ka marrë pjesë në kompeticione të mëdha të modës. Studimet në degën Tekstil dhe puna në byronë teknologjike të N.P.V. Tiranë krijuan profilin e saj profesional, për të vijuar me punësimin në Institutin e modës.

Anila_konomi (Burimi Instagram)

Anila_konomi (Burimi Instagram)

Para disa vitesh, Anila krijoi një fasoneri për të prodhuar veshje në masë por, ajo thotë se Shqipëria ka një treg të vogël dhe ky ishte një hap i gabuar për të. Sfilatat e para të saj kanë qenë rreth viteve 2000 dhe më pas ato u bënë më prezente në kalendarin e modës në Shqipëri. Krijimtaria e stilistes Anila Konomi është shfaqur edhe në spektaklet e shumta si “Miss Shqipëria”, por dhe në spektakle, festivale, etj. Në vitin 2002 Anila Konomi u nderua me çmimin “Stilistja më e mirë e vitit” .

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, stilistja e mirënjohur Anila Konomi rrëfen jetën e saj personale si edhe ndan mesazhe motivuese për të rinjtë që sapo kanë nisur karrierën në fushën e modës.

CMG:Cilat janë trendet në veshjet e këtij viti, që morën vëmendjen e atelieve në mbarë botën?

Anila Konomi : Ky ka qënë viti i koloreve dhe ngjyrave të forta dhe të ndezura. Patjetër që stilistet e kanë menduar këtë gjë më parë, nuk i kanë sjellë pa qëllim këto ngjyra të forta në treg. Vijmë nga një periudhë shumë e vështirë dhe e zymtë si Covid-19, ku njerëzit nuk kishin mundësi të visheshin, dilnin apo edhe vetë stilistët të stilonin.

Kështu shpërthyen ngjyrat, vetë Velantino këtë vit nuk solli "Red Valentino" por "Pink Valentino", një firmë që pas ngjyrës së kuqe ka qenë fanatik, këtë vit ndryshoi tërësisht. Shtëpitë e modës e përqafuan këtë ndryshim dhe filluan që edhe ato të eksperimentojnë me ngjyrat. Kjo bëri një bujë të madhe dhe ngjyrat filluan të jenë më prezente.

Ngjyra e gjelbër ka qenë kudo në të gjitha tonalitetet e saj, kombinimet e portokallisë me të verdhën e limonit etj. Në tërësi nuk mund të flasim për veshje vetëm kur bëhet fjalë për një bluzë apo diçka tjetër, veshje janë edhe aksesorët. Është vënë re që edhe aksesorët kanë po të njëjtin ndikim në marëdhënie me ngjyrat.

Kryesisht këtë vit thuajse të gjithë personazhet vip i kanë lyer flokët me portokalli të ndezur. Në modë ka qenë këpuca stil platformë dhe tepër elegante, kjo erdhi me një shije të fortë si ngjyra pink. Ndërsa nëse i referohemi, syzeve ato patën tendencën e një stili “Vintage”, por në dekor me skeletin e bardhë tepër modern.

Në tërësi kemi një kolorit ekstrem dhe këtë vit është cilësuar si një frymë e çuditshme ngjyrash, tepër futuriste, me bluza me jakat lart, bashkime të disa materialeve, kjo ishte fryma që sollën stilistët këtë vit.

Anila Konomi me stafin e saj(Foto instagram)

Anila Konomi me stafin e saj(Foto instagram)

CMG: A mund të bëjmë një krahasim të tregut shqiptar me tregjet e vendeve të tjera në rajon?

Anila Konomi: Më vjen keq në fakt për këtë, kur shoh se sa hapa të mëdhenj bën industira e madhe e modës në botë, në krahasim me ne. Tendencat dalin në butik më shpejt se tek ne. Shqipëria është një vend me ekonomi shumë herë më të ulët, pra nuk e përballon dot.

Njerëzit tek ne nuk kanë shumë para sa për të ndjekur modën, por ajo që kemi si vlerë të shtuar është dëshira e madhe për t’u veshur bukur.

Kam vënë re që vajzat të cilat ndjekin modën, pavarësisht nëse nuk kanë mundësi të blejnë dorën e parë të një veshje të sapo dalë nga koleksioni, marin dorën e dytë ose të tretë dhe e përshtasin tepër mirë.

Dëshira e vajzave dhe grave shqiptare nuk mungon për të ndjekur modën, janë gjithmonë të vëmëndshme dhe të guximshme.

Djemtë dhe burrat kanë një lloj stepje, ata vijojnë ende të jenë fanatikë të ngjyrave gri, blu, kryesisht të errëta dhe nuk shkojnë përtej kësaj.

Unë do të doja t’i shihja të rinjtë të veshur me ngjyra, djemtë dhe burrat duhet të veshin materialin lino sepse ju rri tepër bukur.

Sa më i ri të jesh aq më shumë guxim duhet të kesh për të ndjekur modën. Mua më vjen mirë që bloggeret tona janë të guximshme, në botë bloggeret paguhen nga shtëpitë e modës ndërsa këtu jo.

Pavarësisht që nuk ndodh kjo ato janë të gatshme që një veshje, e cila kushton shtrenjtë dhe që nuk e blejnë dot, e marrin dhe e stilojnë diku me kosto të ulët dhe në fund ju rri tepër bukur.

Ndryshimi pra është që ne nuk kemi arritur të kemi firmat tona, shumë pak stilistë kanë guxuar. Në një logjikë të ftohtë ne jemi edhe pak njerëz në numër, nuk mund të prodhojmë 1000 palë pantallona sepse nuk kanë ku të shiten. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në këto shtëpitë e vogla të modës, atelietë, të cilat është shumë luks t’i frekuentosh.

Ajo që mendoj është se duhet të edukohemi “Të blejmë shqip”, sepse ne kemi tendencën të blejmë marka që nuk janë origjinale, por tepër të shtrenjta, ndërsa fare mirë mund të blejmë prodhime të stilistëve puna e të cilëve flet më tepër.

A.Konomi në atelienë e saj (Foto Telegrafi)

A.Konomi në atelienë e saj (Foto Telegrafi)

CMG: Kemi kaluar dy periudha tepër të vështira, pandemia dhe rritja e çmimeve së fundmi pasojë e luftës në Ukrainë. Ju si stiliste sa e keni ndjerë në punën tuaj?

Anila Konomi: Sigurisht të gjithë e kemi ndjerë, nuk them që unë kam qënë më pak e prekur. Patëm një humbje shumë të fortë, por u rikthyem fuqishëm sepse dëshira e njerëzve për t’u veshur e për të shijuar jetën është shumë e madhe.

Shohim që kanë filluar përsëri të bëhen koleksione, por sigurisht që kostot nuk dalin barazim. Fatmirësisht tani kemi filluar të kemi mundësi zgjedhje, mund të zgjedhësh një veshje për një mbremje dhe që mund ta përballojë xhepi. Periudha e pandemisë ishte një rënie më shumë se sa ekonomike, ishte mentale. Na ndryshoi një sistem me të cilin ishim mësuar. Sot nuk kemi siguri për të ardhmen. Pasiguria është një pasojë shumë e madhe, pasi nga aspekti ekonomik ne si shqiptarë jemi mësuar me pak dhe nuk na bën shumë përshtypje, por kemi dilema të mëdha se si mund të jetë kjo botë në vazhdim.

Veshje nga A.Konomi (Foto Fashion Myway)

Veshje nga A.Konomi (Foto Fashion Myway)

CMG: Ju keni 30 vite në profesion. Cilat kanë qenë vitet e ndritura të biznesit tuaj dhe cilët faktorë e bënë të tillë dhe momentet më të dobëta të biznesit?

Anila Konomi: Unë vitet më të suksesshme i kam pasur në vitet, 99-2000 deri ne 2014. Pse pikërisht këto vite? Pasi kaluam një fazë të vështirë më 97, njerëzit menjëherë e gjetën shpresën tek e bukura, ata kërkonin të visheshin bukur. Shpresa e madhe për rilindje dhe për gjëra të bukura bëri që dhe unë të vazhdoja ëndrrën për biznesin tim.

Atelierët në këto vite u forcuan shumë, patëm klientë, bashkëpunime me koncerte, televizione. Të paktën 80 veshje në natë unë i prodhoja për koncertet e artistëve të ndryshëm.

Kjo më shtoi të ardhurat, dëshirën për punë dhe staf. Më shumë se të ardhurat mua mu rritën ëndrrat për të bërë një gjë edhe më madhore në jetën time profesionale.

Këtu zë fill dështimi më i madh në jetën time. Njerëzit duhet të mësohen që pas çdo suksesi të madh vjen një dështim, i cili në një formë apo tjetër të bën të mësosh.

Jam mësuar me parimin që njerëzit e suksesshëm janë dy herë fitore një herë dështim. Për mua dështimi ka qënë një shkollë që më ka bërë të mësoj si të ngrihem më fort.

Unë thurra shumë ëndrra për të ngritur një fabrikë prodhimi veshjesh dhe ashtu bëra. Ky ishte një projekt që nuk më dha asnjë rezultat dhe aty kam kuptuar se sa vend i vogël është Shqipëria dhe që nuk mund t’i plotësojë ëndrra kaq të mëdha. U riktheva sërish në Atelie dhe vazhdova profesionin tim me shumë dashuri.

CMG: Te shkosh tek stilistja vijon të mbetet luks apo edhe një njeri me një rrogë minimale ja përballon xhepi të vijë dhe të përgatisë diçka për të veshur?

Anila Konomi: E vërteta është që ne presim ata njerëz që kanë një jetesë normale dhe jo një rrogë minimale, sepse e vërteta është që nuk e përballojnë dot. Kjo shtresë është permanente për ne, edhe në grupmosha madje është e specifikuar. Ne na vijnë kliente nga mosha 30 e sipër, të cilat tashmë i njohin shijet dhe dinë se çfarë kërkojnë.

Intervistoi Megi Latifi