Çfarë mund të jetë një shqiptar pa plis? Pyetja ngjan mjaft provokative, ndërsa përgjigjet e mundshme që vijnë nga mosnjohja e botës shqiptare, i zhveshin shqiptarët nga tradita, historia, etnokultura e tyre, duke humbur diçka thelbësore, që quhet identitet.
Një plis, oes një qeleshe, ose një qylaf i bardhë si bora, i ka bërë dhe i bën të dallueshëm shqiptarët kudo që të ndodhen ata, në Veri apo Jug të vendit, në të gjitha trojet etnike por jo vetëm, kudo ku shqiptarët ndodhen.
Ansambli i kenve dhe valleve popullore ne interpretimin etyre me veshjet kombetare dhe me plisa- foto 55 news
Të gjithëve na ka rënë rasti të takojmë turistë të huaj, që vijnë në vendin tonë dhe ikin me nga një plis në kokë, ose raste kur emigrant shqiptarë që prej vitesh jetojnë jashtë atdheut, në organizime, ceremoni apo festime të ndryshme, kostumit formal me xhaketë, pantallona, këmishë të bardhë dhe kollare, i kanë shtuar edhe një plis. Kthim në traditë, nevojë për identitet, apo tendencë për një look sa më autokton? Secila përgjigje do të ishte pjesë e pyetjes që ngritem në fillim. Pasi plisi është pjesë integrale e shqiptarëve me një histori të lashtë, që nga koha pellazgo-ilire e deri në ditët e sotme, si për të firmosur autobiografinë tonë.
Sipas studiuesve, të cilët ju referohen arkivave nga muze të ndryshme të botës, plisi është përdorur ndoshta 2 mijë vjet p.e.s. Edhe Zeusi që ishte zot i Olimpit, na paraqitet në fotografi dhe skulptura me plis në kokë. Edhe Akili na paraqitet me plis në kokë. Edhe Hektori, Odiseu apo edhe Afërdita na paraqiten me plis në kokë.
Nje djale i vogel me plis - Tradita vazhdon - foto Koha
Plisi ka patur nje rol praktik , ai vendosej poshtë helmetës për të mos patur kontakt të direjtpërdrejta me kokën. Ndërsa në kohë paqeje, për tu mbrojtur nga shiu dhe të ftohtët, meqenese ishte i punuar me lesh deleje të ngjeshur, ku shiu dhe e fota nuk depërtonin.
Pikërisht me plisin e bardhë mbi krye shqiptarët janë dalluar nga të tjerët. Përdorimi i tij ka qenë i domosdoshme për të gjithë meshkujt, duke filluar nga mosha e hershme e djalërisë, madje ata që nuk e përdornin plisin, quheshin njerëz pa vlerë. Plisi përpara ka qenë një rekuizitë e domosdoshme për çdo mashkull presh moshës rinore deri në vdekje. Njeriu për të pasur dinjitet është dashur të ketë plisin në kokë.
Studiuesit theksojnë se në Shqipërinë veriore janë përdorur plisat e rrumbullakosur. Nga Dibra dhe Tirana kanë mbajtur plisa të rrafshuar. Ndërsa në Shqipërinë e jugut kanë qenë pak më të zgjatur dhe me një majë.
Plisi- foto Koha
Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe fjala plis ka kuptimin e një cope jo të endur, por që bëhet me lesh të shkelur mirë dhe të larë disa herë me sapun. Kryesisht punohen nga leshi i dhenve dhe ata zejtarë që merreshin me punimin e tyre, quheshin qeleshepunues. Sot ky profesion është në zhdukje, por qeleshet vazhdojnë të kërkohen dhe të përdoren, edhe pse jo në të përditshmen e njerëzve.
Karaketeristikë e plisit është se ai duhet të ruhet gjithmonë i bardhë, sikur nderi. Dikur është përdorur për t’u mbrojtur nga të ftohtit, shiu e dielli i fortë. Mirëpo, plisi shpreh edhe krenarinë kombëtare, qëndresën, mosnënshtrimin ndaj pushtuesve të shumtë, pastërtinë morale si dhe ndershmërinë e popullit tonë.
Plisi - foto Koha
Sot në përditshmërinë e tyre, e përdorin vetëm të moshuarit, që e kanë mbartur qysh nga mosha e fëmijërisë. Këta burra këshillojnë se një burrë shqiptar duhet të jetë i kujdesshëm që plisi mbi kokën e tij të jetë gjithmonë i bardhë. Bardhësia shkon përtej simbolit të pastërtisë, sepse tregon edhe ndershmërinë e burrit shqiptar. Por, ndonëse çdo ditë e më pak e shohim tek burrat shqiptarë në përditshmëri, plisin apo qeleshen e shohim sa herë ka ndeshje sportive.
Tifozët kuqezi në çdo ndeshje sportive, zbardhin stadiumet me plisat e tyre në kokë. Me plisin, ata identifikohen edhe kur i ndjekin përfaqësueset tona sportive në paraqitjet e tyre jashtë vendit. Kapelja e bardhë shërben si simbol identifikimi për Shqiptarët kudo që përdoret. Plisi është nga ato simbole që e identifikon shqiptarin në një turmë njerëzish që nga largësia, ende pa pasur mundësi që ta këmbesh një fjalë me të.
Tifozet Kuq e Zi me plisa ne stadium duke ndjekur kombetaren e futbollit - foto A2CNN
Së bashku me gjuhën dhe traditat tona, plisi është simbol i identitetit kombëtar shqiptar të cilin shqiptarët e kanë ruajtur me xhelozi e krenari këtë simbol.
Neritana Kraja