Aleksandër Vezuli është diplomuar në Akademinë e Arteve për kompozicion dhe ka filluar që në moshën 15 vjeçare të shkruajë muzikë në gjinitë e ndryshme të saj. Përveç kompozimit në muzikën klasike, ai ka realizuar me sukses edhe këngë shumë të bukura, të cilat janë shpallur edhe fituese në evente të ndryshme muzikore. Në vitin 1990 ai emigron në Francë fillimisht e më pas në Belgjikë. Në vitin 1996 u zhvendos përfundimisht në Nju Jork, vendi ku jeton aktualisht. Që prej vitit 2005 ai është mësues i pianos në një shkollë muzike në Nju Jork, si dhe jep mësime të instrumentave muzikore në shkolla të ndryshme në SHBA. Vezuli prej vitit 2018 është drejtor artistik dhe menaxher në “Grand Montgomery Chamber Music Series”. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën artistike, integrimin jashtë vendit si dhe projektet muzikore në vazhdim.

Aleksander Vezuli ne nje emision televiziv (Facebook)

Aleksander Vezuli ne nje emision televiziv (Facebook)

CMG: Z.Vezuli është kënaqësi që ju kam të ftuar në Radio Ejani.

Aleksandër Vezuli: Faleminderit shumë për ftesën në emisionin tuaj dhe ju uroj gjithmonë suksese.

CMG: Kthehemi rreth 30 vite pas, ku shumë nga këngët tuaja janë vlerësuar me çmime. Na tregoni më shumë rreth suksesit tuaj para viteve 90-të?

Aleksandër Vezuli: Unë në anketat muzikore kam nxjerrë disa këngë, ku 5 nga ato janë fituese në këto anketa. Me thënë të vërtetën disa nga këto këngë i paraqisja në festival, por mi hiqnin nga fesivali dhe pastaj futeshin në anketa. Kam punuar pothuajse në të gjitha gjinitë muzikore, që nga muzika klasike, muzikë për film, këngë për fëmijë, këngë qytetare, duke u munduar që të bëj më të mirën time.

Aleksander Vezuli (Facebook)

Aleksander Vezuli (Facebook)

CMG: Në vitin 1988 kënga juaj fiton vendin e parë në koncertin “Kur Vjen Pranvera”, dhe një vit më pas renditeni në vendin e dytë me një këngë interpretuar nga Ema Qazimi. Kanë qenë këto dy vite triumfuese për ju?

Aleksandër Vezuli: Këto dy këngë penetruan në Koncertin e Pranverës, ku unë provova të hyja katër apo pesë herë dhe nuk u futa dot. Mund të përmend këtu një këngë pas “Këngës së marinarit” në vitin 1990, ka qenë “Një, dy,tre” me këngëtar Viktor Tahiraj. Ajo ishte një këngë në stilin rock dhe madje unë e kam shkruar dhe në autobiografinë time para shumë vitesh dhe më thonin se unë kërkoja të futja rrugën e rrokut në Shqipëri. Unë thashë se nuk kam ndërmend as të fus rrugën e rrokut apo diçka tjetër, unë vetëm shkruaj muzikë. Kështu që të paktën ato dy këngë u futën, historia e tyre është shumë e gjatë, por më në fund arriti që kënga “Mos u nxito” bashkë me “Këngën e marinarit” të dalin pas katër herë redaktimesh. Profesori i madh Çesk Zadeja, ish udhëheqës atistik mbaj mend kur më tha se kënga nuk del pa ndryshuar atë që thonë këta, duhet të ndryshosh. Unë i thashë profesor Çeskut se e kam ndryshuar, por ai më tha se duhet ta ndryshoja prapë. Hoqa refrenin të cilin e përdora për një këngë këtu në anglisht kur erdha në Amerikë, dhe vura një refren tjetër. Atëhere kjo këngë kaloi por me shumë ndryshime në orkestracion.

Aleksander Vezuli ne piano (Facebook)

Aleksander Vezuli ne piano (Facebook)

CMG: Cilët kanë qenë këngëtarët me të cilët ju keni bashkëpunuar në festivale dhe anketa muzikore gjatë atyre viteve? Si i kujtoni ato momente në bashkëpunim me interpretuesit e këngëve tuaja?

Aleksandër Vezuli: Vërtetë me të gjithë artistët e këngës para vitit 1990 kam bashkëpunuar mirë, se pas viti 1990 pata një pushim shumë të madh dhe u mora me disa gjëra të tjera. Kam punuar dhe jam tepër i kënaqur. Të gjithë këngëtarët kanë qenë të mrekullueshëm, të gjithë kanë qenë të intonuar dhe e kapnin këngën shpejt. Po përmend këngëtaren Parashqevi Simaku, që erdhi pak me vonesë për të inçizuar këngën sepse studioja më priste një orë. U ulëm në piano dhe këngën nuk e dinim fare, por ajo e mësoi për 5 minuta dhe pastaj u futëm në regjistrim, një vesh dhe një zë i përkryer. Po kështu dhe me Irma Libohovën e cila nuk kishte asnjë lloj problemi. Të gjithë këngëtarët kanë qenë të mrekullueshëm.

CMG: Ju jeni nga ata kompozitorë që dalloheni nga të tjerët duke ditur se nuk keni kompozuar vetëm këngë për festivale, por dhe muzikë filmash si dhe këngë për fëmijë. Flasim për gjinitë e tjera muzkore të krijimtarisë suaj?

Aleksander Vezuli, (Facebook)

Aleksander Vezuli, (Facebook)

Aleksandër Vezuli: Filmi i parë ka qenë me regjisorin e njohur i cili nuk jeton më, Gjergj Xhuvani që më propozoi të punonim bashkë. Ishte filmi i parë i tij dhe filmi i parë i imi si kompozitor. Kështu që ajo doli mirë, dhe më pas bëra një film të animuar, ku propozimi erdhi nga skenaristi Jani Duri, dhe pas 90-s këto vitet e fundit kam bërë dhe katër filma të tjerë me autorë të ndryshëm dhe me një të huaj. Kështu që gjashtë filma janë bërë gjithsej dhe shpresoj të bëj të tjerë në të ardhmen.

Përsa i përket muzikës klasike, kam shkruar shumë që në shkollë të mesme krahas këngës, por vetëm një vepër doli në radio dhe të tjerat mu hodhën poshtë. Unë paraqisja në radio pothuajse 7-8 vepra, por që u hodhën poshtë. Disa nga këto vepra kanë dalë në Gjermani, Holandë, këtu në Amerikë dhe në Greqi.

CMG: Pas viteve 90-të ju largoheni nga Shqipëria. Si u integruat me jetën jashtë Shqipërisë, duke ditur se këtu kishit krijuar një emër të mirë në art?

Aleksandër Vezuli: Nga ana intelektuale e përballova pasi unë e njihja mirë frëngjishten, kam filluar të studioj frëngjisht që në klasë të tetë. Kështu që kur shkova, kjo të paktën nuk më pengoi sepse është një pengesë shumë e madhe kur nuk din gjuhën. Por nga ana fizike kisha vështirësi tepër të mëdha. Nga ana muzikore bëja përpjekjet e mia, por nuk kishin shumë sukses sepse nuk lidhesha dot me njerëzit. Duhet të kesh kontakte dhe gjithçka që të dalësh.

CMG: Ju nuk jeni ndalur kurrë nga muzika sepse dhe aty ku jeni merreni me muzikën. Çfarë keni krijuar këto vitet e fundit?

Aleksandër Vezuli: Unë nuk jam shkëputur asnjëherë dhe si të thuash kam lindur me profesionin tim ose më mirë me pasionin tim i cili nuk më le, por si një krimb nga brenda të ngacmon dhe jam marrë me këtë. Kam bërë përpjekje të ndryshme edhe në Belgjikë për muzikë filmi apo ndonjë këngë. Një studio m’i mori përsipër pesë këngë, dhe më tha se i mbaron pas një viti. Unë thashë se kaq gjatë zgjasin këto, dhe ato më thanë se po, sepse studio e tyre ishte e zënë dhe nuk mundeshin t’i mbaronin dhe unë u largova për situatat që ishin.

Pastaj u largova në Amerikë dhe kam bashkëpunuar me këngëtare belge, ku njëra nga ato madje shkëputi lidhjet me mua dhe nuk e di se çfarë ndodhi. Kur erdha në Amerikë ajo e kishte nxjerrë CD-në e saj dhe një këngë që unë e kisha luajtur me kitarë në shtëpinë e saj ajo e inçizoi për ta mësuar mirë dhe mori motivin e këngës dhe e kishte përdorur atje. Unë nuk e gjeja dot më sepse ishte shkëputur, por që këtu në Amerikë më vjen buletini i Belgjikës dhe prandaj e mora vesh.

Kompozitori Aleksander Vezuli (Facebook)

Kompozitori Aleksander Vezuli (Facebook)

CMG: Cili është aktiviteti juaj muzikor tani në Amerikë?

Aleksandër Vezuli: Unë kam dhënë mësim në shumë shkolla në Amerikë dhe tani jap mësime private në shtëpinë time. Gjithashtu drejtoj dhe muzikën e dhomës këtu në Montgomeri.

CMG: Si i mbani lidhjet me Shqipërinë dhe a keni kontakte me ish kolegë dhe miqtë tuaj?

Aleksandër Vezuli: Unë kam shumë kontakte dhe falë Facebook i cili më krijoi kontakte. Kam realizuar 15-16 këngë për fëmijë, 7-8 këngë për të rritur. Përmes Facebook-ut i kontaktoj dhe më kontaktojnë, dhe kështu arrijmë të realizojmë këngën në forma të ndryshme dhe ta nxjerrim, përndryshe nuk do të dija se si mund të lidhesha me ta.

CMG: Keni ardhur ta vizitoni Shqipërinë?

Aleksandër Vezuli: Po kam ardhur, dhe në vitin 2018 ishte hera e fundit që erdha në Shqipëri, dhe me këtë rast dola në disa emisione televizive. Pastaj erdhi Covid dhe nuk kam ardhur, por dëshirojmë të vijmë sivjet edhe pse akoma nuk jam i sigurtë, kështu që ndoshta vitin tjetër mbase bëj një rrugë.

CMG: A mendoni se muzika vitet e fundit është bërë më tepër komerciale sesa muzika e vërtetë ?

Aleksandër Vezuli: Kjo është një pikë që unë e vuaj akoma, pasi sot është muzikë komerciale. Jo më shumë se dy-tre muaj paraqita një këngë te një këngëtar, dhe më tha se nuk është këngë komerciale. Unë i thashë se nuk shkruaj këngë komerciale, por shkruaj atë që unë ndjej. Ndërkohë që ai më tha se dua këngë komerciale sepse kjo lloj muzike që juve shkruani nuk futet në treg tani. Kjo është vështirësi shumë e madhe sepse veshi i tyre është mësuar me ritmet e tastierës duke kënduar nëpër lokale dhe restorante, dhe është vështirë t’ja kthesh idenë këtyre të rinjve, sidomos me atë ritëm që ta mundësh melodinë tënde.

CMG: Do të kishit dëshirë që të riktheheshit në Shqipëri me një koncert recital të krijimtarisë suaj muzikore ndër vite?

Libri i Autobiografise se kompozitorit Aleksander vezuli (Facebook)

Libri i Autobiografise se kompozitorit Aleksander vezuli (Facebook)

Aleksandër Vezuli: Unë për nga muzika e plotësoj recitalin, por vështirësitë financiare nuk lejojnë të bëhet. Madje para disa vitesh kisha një komunikim me dikë që punon në Bashkinë e Tiranës, ku më tha se mund të realizojmë një koncert duke ditur se unë kam shumë vepra sinfonike nga ato që janë në sirtar, por duhej që dirigjenti amerikan këtu në Amerikë të bënte kërkesën në bashki dhe pastaj të aprovohet. Kjo ishte një gjë e vëshitrë sepse dirigjentët këtu nuk i hyjnë këtyre punëve dhe të vijnë në Shqipëri për mua. Kështu që kjo punë është lënë.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj suksese.

Aleksandër Vezuli: Faleminderit shumë që isha në emisionin tuaj dhe ju uroj gjithmonë suksese.

Intervistoi: Gazmend Agaj