Natyra, jeta e egër, alpinizmi, ngjitja, peizazhi, mjedisi dhe ekologjia, bota nënujore, sportet ekstreme dhe aventureske, vendet historike, ekspeditat dhe rrugët, ushqimet dhe pijet etj, ishin referenca e edicionit të parë të “Travel Fest Albania”, në ekranin e madh ku një audiencë e madhe shijuan dhe biseduan për video, filma dhe dokumentarë. Festivali ndërkombëtar i filmit “Travel Fest Albania” u zhvillua këto ditë në Tiranë, duke shfaqur filma të fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe turizmin natyror, duke eksploruar tendencat më novatore në përfaqësimin audiovizual të përvojës së udhëtimit nëpër botë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), Drejtori artisik i këtij festivali, Gentian Kurti tregon për të veçantat e këtij festivali.

CMG: Si lindi ideja e festivalit të filmit “Travel Fest Albania”, që u zhvillua në Tiranë?

Gentian Kurti: Ky është edicioni i parë i “Travel Fest Albania”, që është një festival ndërkombëtar filmi. Kategoria e filmave që konkurojnë janë filma “travel”, që kanë të bëjnë me udhëtimin, turizmin, mjedisin, botën nënujore, ekologjinë, me ngrohjen globale. Ka shumë filma, të cilat japin një lloj mesazhi se si duhet ta trajtojmë planetin tonë, mjedisin, vendin ku jetojmë. Ky ishte edicioni i parë dhe shpresojmë që ta kthejmë në një traditë të veçantë.

CMG: Një pjesëmarrje e madhe ku kanë aplikuar 1000 filma dhe vetëm 128 prej tyre janë përzgjedhur nga 42 vende të botës. Kjo besoj ka qenë një punë kolosale nga ju dhe stafi për t’i parë dhe përzgjedhur këto filma?

Gentian Kurti: Në fakt është një punë dy vjeçare, ku aplikuan afër 1000 filma dhe në kaq shumë kohë na është dashur që të përzgjidhnim 128 filmat më të mire, të cilët mund të futeshin në konkurim. Janë filma interesantë nga 42 vende të botës, të cilët konkurojnë në Tiranë. Kjo është e veçanta e këtij festivali që arriti të sjellë në Shqipëri regjisorë, producentë të huaj, aventurierë pikë së pari, pasi ato kanë dhe pasionin e aventurës.

CMG: Pjesëmmarja në këtë festival është nga të gjitha kontinentet, jo vetëm vendet e Europës?

Gentian Kurti: Filmat janë nga i gjithë globi, ka nga Australia, Azia, Amerika dhe sigurisht ka dhe shumë filma nga Europa. Pra ky është një festival filmi gjithëpërfshirës.

CMG: Disa prej pjesëmarrësve në këtë festival kishin realizuar edhe filma për Shqipërinë gjatë pushimeve të tyre në vendin tonë.

Gentian Kurti: Ne jemi surprizuar nga këto filma. Në momentin që hapëm thirrjen për të aplikuar me filmat, na erdhën shumë filma që flisnin për Shqipërinë, për vendet e bukura të Shqipërisë, por ishin autorë të huaj. Kjo tregon që Shqipëria vërtetë është një vend tërheqës për regjisorët dhe producentët e huaj, pasi ka shesh xhirime shumë të bukura. Ne në Shqipërinë tonë sado të vogël i kemi të gjitha, nisur që nga mali, deti, fusha dhe lumi dhe është një shesh xhirmi vërtetë shumë tërheqës për të huajt. Kjo ishte vërtetë një surprizë e këtij festivali

CMG: Kush ju ka mbështetur në realizimin e këtij festivali?

Gentian Kurti: Mbështetje kemi nga Bashkia e Tiranës të cilën e falenderojmë, nga delegacioni i Bashkimit Europian dhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Të them të drejtën për këtë lloj festivali duhej një mbështetje dhe pa mbështetjen e tyre nuk do të arrinim që ta sillnim këtë festival në Tiranë.

CMG: Filmat u shfaqën për një javë në ambiente të ndryshme në kryeqytet ku kishte pjesëmarës dhe shumë turistë të huaj. Ka qenë hyrje e lirë për publikun?

Gentian Kurti: Filmat gjatë javës janë shfaqur në katër pika të ndryshme të Tiranës. Paradite janë shfaqur në Kinema Millenium dhe tek Qendra Ten. Këto janë ambiente të mbyllura sepse jemi në sezon me temperatura pak të larta, kurse pasdite janë shfaqur në dy pika të tjera, Amfiteatri i Liqenit dhe tek ish Parku Rinia. Ambiente “open door” ku të gjithë njerëzit, kalimtarët, turistët kishin mundësi të vinin dhe të shijonin filmat e “travel2. Normalisht ajo çka është për t’u theksuar dhe ka qenë qëllimi ynë që në fillim, është që në këtë festival të kenë mundësi të marrë pjesë çdokush. Askush nuk paguan asgjë, hyrja ishte falas për të gjithë.

CMG: Flasim për kohëzgjatjen e filmave pjesëmarës në këtë festival. Cili ishte minutazhi i filmave në konkurim?

Gentian Kurti: Në këtë festival janë filma të metrazheve të ndryshëm, duke nisur që nga filmi i shkurtër deri tek filmi i mesëm mund ta quaj, pasi filmi më i gjatë në festival është diku tek 50 minuta. Është vetë lloji i zhanri i këtij filmi “travel”, që nuk mund të jetë më i gjatë. Në 50 minuta ti mund të arrish të ndërtosh një dokumentar për një atraksion turistik dhe është koha e mjaftueshme.

CMG: Cila ishte juaria e këtij festivali për të përzgjedhur filmat?

Gentian Kurti: Juria është shumë e veçcantë, shqiptare dhe ndërkombëtare. Kemi regjisorë dhe producentë shumë të njohur nga Serbia, Greqia, Spanja dhe Gjermania, por kemi dhe nga Shqipëria emra shumë të njohur. Ema Andrea kryetare e jurisë, gazetari i njohur Lutfi Dervishin, Beti Njuma e cila është një gazetare e njohur, por ndërkohë ka dhe pasion ngjitjen në male. Normalisht pjesa gazetareske duhej në këtë festival, sepse vetë filmi “travel” anon më shumë tek pjesa e dokumentarit dhe brenda një dokumentari duhet vlerësuar shumë pjesa e gazetarisë dhe e mënyrës se si e tregon gjithë historinë që ke ndërtuar.

CMG: Nga 128 filma pjesëmarrës, sa fitues do të shpallen në këtë edicion të parë të festivalit dhe cilat janë kriteret në përzgjedhjen e filmave fitues?

Gentian Kurti: Në këtë festival do të jenë 22 çmime, ku në kategori të ndryshme secili do të ketë një fitues. Kategoritë që konkurojnë në film janë pjesa e aventurës, destinacioneve, xhirimet me dron, pra ka shumë kategori në këtë festival, dhe çdo kategori do ketë fituesin e vet. Absolutisht janë dhe çmimet kryesore që i ka çdo festival, që është “Filmi më i mire” i festivalit, “Montazhi më i mire”, “Muzika më e mire” dhe “Efektet audio më të mira”.

CMG: Genti, ju keni një karrierë të admirueshme në fushën e kinemasë si regjisor, por si u ndjetë në pozicionin e drejtorit artistik të këtij festivali ?

Gentian Kurti: Deri para pak kohësh unë isha ai pjesëmarrësi nëpër festivale ndërkombëtare dhe shqiptare. Ndërsa tani në pozicionin e drejtorit artistik të këtij festivali është përgjegjësi shumë e madhe. Tani vërtet po arrij ta kuptoj se çfarë punë të madhe kërkon dhe çfarë përgjegjësie ka të organizosh një festival të tillë. Për mua është një arritje në karrierë, dhe shpresoj që të vazhdojë festivali sa më gjatë.

CMG: Si ka qenë si eksperiencë pjesëmarrja juaj nëpër festivale ndërkombëtare të filmit?

Gentian Kurti: Pjesëmarrja nëpër festivale ka një aspekt shumë të veçantë, përfitimi që ti merr nga festivali janë kontaktet, sepse takon regjisorë, producentë të cilët janë në bashkëkonkurim me ty, por në fakt ata kthehen në miq dhe bashkëpunëtorë. Kjo është e mira dhe e bukura e festivaleve. Duke pasur këtë gjë parasysh ne donim të krijonim e të sillnim në Shqipëri këtë radhë me “Travel fest Albania”, që të jetë një pikë takimi për regjisorë dhe producentë të huaj bashkë me regjisorë dhe producentë shqiptarë. Ndoshta nesër krijohen ura komunikimi dhe bashkëpunimi për ta ngritur kinematografinë shqiptare akoma më lart.

CMG: Pas përfundimit të këtij festivali pjesëmarrësit do të bëjnë një udhëtim në jug të Shqipërisë. Mendoni se në edicionin tjetër do të sjellin sërish filma të realizuar në Shqipëri?

Gentian Kurti: Pas festivalit do të ketë dhe një tur dy-tre ditor në jug të Shqipërisë, ku regjisorët dhe producentët që kanë ardhur nga jashtë do të bëjnë një tur në rivierën shqiptare për ta shijuar. Absolutisht, duke qenë regjisorë dhe producentë, unë jam i sigurt që të gjithë ata do të xhirojnë gjatë këtij udhëtimi dhe ndoshta vitin tjetër do na vijnë me filma që mund t’i kenë realizuar gjatë këtij turi.

CMG: Ju personalisht keni ndonjë projekt artistik së afërmi?

Gentian Kurti: Aktualisht po punoj mbi një skenar filmi të gjatë, por që më kërkon shumë punë dhe do të më duhet pak kohë ta marr veten dhe pas festivalit që të arrij ta përfundoj si projekt. Uroj që brenda vitit të ardhshëm ta kem realizuar si projekt. Do të jetë një film pak dramë sociale, por nuk dua ta zbuloj që tani sepse duhet të piqet pak më shumë si ide. Sigurisht pas përfundimit të festivalit do të rifillojë sërish puna për edicionin e ardhshëm të “Travel fest”.

CMG: Cilin nga projektet tuaja artistike do të veçoje si më të suksesshmin?

Gentian Kurti: Një eksperiencë shumë e veçanë për mua si regjisor ka qenë realizimi i një filmi dokumentar për të persekutuarit. Ishte një histori e vërtetë e treguar nga një personazh real, që për fat të keq një vit pas xhirimeve të filmit ndërroi jetë. Kjo ka qenë një nga pikat kulmore të karrierës sime, që arrita të bëj një film të tillë, ku të gjitha skenat u inskenuan nga fillimi dhe nuk u përdor asnjë plan arkiv, që do të thotë se ne në xhirimet tona e kthyem totalisht kohën pas. Kjo ishte vërtetë një sfidë, por që ja dolëm me sukses.

CMG: Si jeni ndjerë kur filmi juaj ka konkuruar në një festival ndërkombëtar?

Gentian Kurti: Është një vlerësim i vëçantë sepse në momentin që aplikon në një festival jashtë dhe të vjen një email me përgjigjen se filmi juaj është pranuar dhe është pjesë e konkurimit, aty autori merr kënaqësinë maksimale që mundet. Një nga eksperiencat e mia më të veçanta ka qenë dhe Dokufest në Gjermani, i cili organizohet çdo vit. Është një eksperiencë që nuk do të harrohet dhe do të ngelë gjatë në memorien time sepse kam takuar regjisorë dhe producentë të huaj që edhe sot ne i ruajmë kontaktet, duke bërë dhe disa bashkëpunime të vogla.

Intervistoi: Gazmend Agaj