COD (Qendra për Hapje dhe Dialog), Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Biblioteka Kombëtare kanë mirëpritur në mjediset e tyre, shkrimtarin spanjoll Javier Cercas, një ndër shkrimtarët më të vlerësuar sot në botë. Takimet kryesisht janë përqëndruar në tre romanet e tij më të fundit të sjella në shqip nga Shtëpia Botuese Dudaj, romanin “Mashtruesi”, si dhe romanet “Monarku i hijeve” dhe “Ushtarët e Salaminës”. Në promovim, krahas shkrimtarit të madh, kanë qenë të ftuar edhe përkthyesi i veprës, shkrimtari Bashkim Shehu dhe studiues të tjerë të letërsisë. Të tre librat e prezantuar nga Javier Cercas në Tiranë fokusohen tek lufta civile spanjolle. Ndonëse nuk lidhen me njëri-tjetrin për nga subjekti konkret dhe personazhet, mund të konsiderohen si një triptik. Kështu, nëse në romanet “Ushtarët e Salaminës” dhe “Monarku i hijeve” tema e trajtuar është ajo e humanitetit përtej ndasive politike të skajshme dhe armiqësive vrastare, në romanin dokumentar “Mashtruesi”, shpaloset me një kthjelltësi tronditëse, përpjekja mjeshtërore për manipulimin e së kaluarës.
Javier Cercas është një nga personalitet më të spikatur të kulturës dhe letërsisë europiane. Letërsia është gjithnjë një hapësirë e rëndësishme komunikimi mes popujve kulturave, ndaj ardhja e një autori që çdo ditë e më tepër është në diskursin publik botëror, për qasjen dhe debatin mbi të shkuarën dhe luftën, sot është një moment reflektimi mbi rolin që duhet të ketë letërsia në gjithë këtë tablo.
Nëse i marrin romanet me rradhë do të shohim se në qendër të romanit “Monarku i hijeve” është jeta e shkurtër e një djaloshi, i cili në vitin 1936, në fillim të luftës civile, u përfshi në ushtrinë e gjeneral Frankos dhe dy vjet më vonë u vra në betejën e Ebros. Ky djalosh, që kishte luftuar për një kauzë të padrejtë dhe kishte vdekur në anën e gabuar të historisë, ishte xhaxhai i nënës së Javier Cercas-it, i cili sot ndien detyrimin të kuptojë arsyet e këtyre zgjedhjeve, në mënyrë që të mund ta ndajë të vërtetën nga gënjeshtra. Rezultat është ky libër që ecën me hapa hipnotike, plot me aksion, emocion dhe ironi, i cili na rikthen në temat thelbësore të rrëfimtarisë së Cercas-it: natyra poliedrike dhe misterioze e heroit, ambiguiteti i pashmangshëm i çdo rikonstruktimi historik, vështirësia e të marrit të përgjegjësisë të së shkuarës sate, mbi të gjitha kur ajo nuk është komode.
“Monarku i hijeve”, si hetim personal dhe kolektiv, si një roman për luftën thellësisht kundër luftës, u përgjigjet në mënyrë të papritur dhe iluminuese pyetjeve të ngritura nga autori mbi pesëmbëdhjetë vjet më parë me romanin tjetër “Ushtarë të Salaminës”. Në romanet e tij shpërfaqet ekzistencializmi mbi luftën e brendshme e të dukshme të njeriut dhe kërkimit të identitetit nëpërmjet së vërtetës.
Zoti Cercas, në takimin e zhvilluar në Tiranë rrëfeu për artin e të shkruarit, për konceptin e tij mbi letërsinë dhe përgjegjësinë që ka dhe përfaqëson një shkrimtar në atë çka ai shkruan, Europën e sotme përballë presioneve të reja. Raporti i letërsisë me të vërtetën, tematikat e tij ku mbizotëron përballja e fakteve historike me vërtetësinë e tyre, sa të drejta dhe reale kanë qenë ngjarjet historike të ndodhura dhe cilat kanë qenë pasojat që kanë sjellë më pas.
Çdo ditë shumë përdorues të internetit dhe lexues të kualifikuar në të gjithë botën, bëjnë kërkime ku pyesin për "librat Javier Cercas". Rezultatet kryesore të përgjigjeve kanë të bëjnë me librin “Ushtarët e Salaminës (2001). Ky roman është i katërti i prezantuar nga shkrimtari njëkoësisht është përgjegjës për një rritje të jashtëzakonshme në karrierën e tij. Me këtë roman ai fitoi njohjen e kritikës letrare, duke marrë komente të shkëlqyera. Në lidhje me këtë libër, Mario Vargas Llosa deklaroi: "një nga romanet më të mëdhenj të kohës sonë".
Pavarësisht se veprën e parë e ka prezantuar në vitin 1987, njohja e kësaj letërsie nuk mbërriti deri në fillim të shekullit XXI. Duhet të theksohet se gjatë asaj periudhe të gjatë në hije, një mik i madh besoi tek ai. Ishte shkrimtari kilian Roberto Bolaño, i cili do të pohonte se Javier është jashtëzakonisht i talentuar. Sot suksesi i shkrimtarit spanjoll është bërë provë e besueshme se Bolaño nuk kishte gabuar.
Javier Cercas Mena ka lindur në Spanjë në vitin 1962. Karrierën e filloi si gazetar duke punuar si kolumnist për gazetën spanjolle El País dhe për vite ishte mësues filologjie në universitet. Vepra e tij është kryesisht fiction dhe karakterizohet nga përzierja e zhanreve të ndryshme letrare, përdorimi i të ashtuquajturit roman jofiction dhe bashkimi i lajmeve dhe eseve me letërsinë artistike. Ai ka bërë edhe përkthime të ndryshme të veprave të autorëve të tjerë. Që nga romani i tij i suksesshëm “Ushtarët e Salaminës” veprat e tij janë përkthyer në më shumë se njëzet vende dhe më shumë se tridhjetë gjuhë. Shitjet e shumta të këtij romani e lejuan t'i përkushtohej ekskluzivisht veprimtarisë së shkrimtarit, duke lënë postin e profesorit. Dy vjet më vonë, u realizua edhe një version filmik bazuar tek romani. Tani kemi fatin që ky roman, por jo vetëm, të takojë edhe lexuesin shqiptar. E për më tepër të takojnë në Tiranë edhe autorin e tyre.
Neritana Kraja