Jerida: Përshëndetje miq të “Mësojmë kinezisht”. Kam kënaqësinë të kem në studio një studente nga Instituti “Konfuci” në Tiranë. Ajo është Atinela Nikolla. Le të flasim për rrugëtimin tënd në gjuhën kineze, si lindi dashuria për këtë gjuhë tek ti?
Atinela Nikolla: Për mua gjuhët dhe kultura aziatike kanë qenë gjithmonë një tërheqje. Ndoshta ka filluar që në 2016 me një libër që mu dhurua nga një nga miqtë e mi. Ishte libri “Tigri i bardhë”, i cili ishte në gjuhën angleze, por trajtonte kulturën kineze, mitologjinë, jetën. Pasi e lexova librin shkova të blija dhe dy vëllimet e tjera të tij, madje ka dhe 3 të tjera që ende nuk i kam blerë, sepse nuk i gjej në Shqipëri. Ndërsa në 2018 aplikova për punë si mësuese e anglishtes në Kinë, sepse anglishten e flas mirë. Mendova të shkoja për të ndryshuar ambjent, mënyrë punë dhe jete dhe për të parë diçka ndryshe. Do të ishte një eksperiencë e re dhe plus kurioziteti për Kinën, për të cilën ke dëgjuar ose parë vetëm nëpërmjet televizorit.
Atinela Nikolla
Bëra aplikimin dhe në momentin që duhet të dorëzoja dokumentet një mike e imja më tha që ta mendoja mirë, se duhet të isha e sigurtë për këtë, për gjërat që kisha këtu dhe u vura në mëdyshje me veten. U stopua projekti për gjuhën kineze, por për mua kultura dhe gjuha kineze kanë qenë diçka që më kanë dalë shumë shpesh përpara. Më duk si një sinjal që duhet të shkoja. Në fund të vitit 2021, kur po meresha me gjuhën koreane, mikja ime më dërgoi linkun e Institutit Konfuci.
Mu duk si një sinjal që duhet të futesha në kurs. Në fillim mendova të regjistrohesha në të gjitha nivelet, që të mos kryeja regjistrimin vazhdimisht. Vetëm mendoja se si do ta menaxhoja kohën dhe a do të isha në gjendje të mësoja gjuhën. Megjithatë u bëra shumë e varur pas gjuhës kineze.
Jerida: Pra ky ishte kontakti i parë me Institutin Konfuci.U regjistrove, por si ishte dita e parë e kursit?
Atinela Nikolla: E dini çfarë më ka pëlqyer në ditën e parë? Kishte kaq shumë njerëz! Unë mendoja se do të isha e vetme aty, por kishte njerëz që studjonin gjuhën kineze. Ndjehesh sikur je në një familje dhe nuk je vetëm. Sepse njerëz që nuk e studjojnë ose nuk kanë shumë njohuri të gjuhës dhe kulturës kineze janë veshur me stereotipe të tipit “Çfarë je duke bërë?!”, “Çfarë të duhet kjo gjuhë?!”. Ose të paragjykojnë se ju duket e vështirë si gjuhë, ndërkohë që unë e shikoj në një prizëm tjetër. Të mësuarit e një gjuhe është sikur të hapësh një dritare, një horizont të ri. Ti mëson diçka të re. Është mirë të flasësh mirë gjuhën tënde, por është e rëndësishme të zhvillohesh dhe në drejtime të tjera, në kultura të tjera. Nuk duhen parë me këndvështrime të ngushta.
Jerida: E vërtetë. Aq më tepër që gjuha lidh njerëzit me njeri-tjetrin. Nga gjuha fillon njohja e artit, kulturës, mënyra e jetesës. Ndalemi tek Instituti “Konfuci” sepse momentet e para mbeten në kujtesë. Kur filloi mësimi si u ndjeve?
Atinela Nikolla: Jam ndjerë shumë mirë. Eksperienca e të mësuarit të gjuhës kineze në Institutin “Konfuci” për mua ka qenë shumë e mirë dhe e bukur, sepse nga ana e profesorëve ka qenë një punë shumë e mirë dhe e palodhur dhe na i kanë lehtësuar shumë gjërat.
Atinela Nikolla
Jerida: Po hieroglifet? Personalisht më duken të vështira.
Atinela Nikolla: Mendoj se secili ka mënyrën e vet për të asimiluar një gjuhë. Ne shqiptarët ndoshta, ngaqë gjuha jonë futet në gjuhët indoeuropiane, pavarësisht se është pak më ndryshe, kemi asimiluar më shpejt të mësuarit e gjuhëve që janë më afër me shtetin tonë. Kur i sheh në fillim hieroglifet të duket e vështirë, ndërkohë që një pjesë e tyre lidhet me format. Përshembull hieroglifi i gojës është një katror. Jo të gjitha hieroglifet, por një pjesë e tyre kanë forma të ngjashme me kuptimin që parashtrojnë. Pastaj sa më shumë që i shikon aq më shumë të fiksohen.
Unë nuk jam eksperte, por mendoj se hieroglifet kineze kanë një logjikë të strukturuar në një lloj formati. Teksa e diskutonim me një nga profesorët i thashë lidhur me dy fjalë “ siao” dhe “ shiao”. Në shkrimin e hieroglifit ndryshimi është që i shtohet një vizë poshtë. Në kuptim të dyja shprehin “ pak” sepse njera është “ e vogël” dhe tjetra “shumë pak”. Nëse hieroglifi është si një grep me dy vija anash për të thënë “shao” i shtohet një vizë poshtë. dhe ndoshta, sipas mendimit tim, sepse jam akoma e re në studimin e kësaj gjuhe, hieroglifet kineze janë shtuar kaq shumë ,sepse janë mbi 50 mijë sepse kanë një strukturë logjike. Gjuha kineze është shumë e strukturuar përderisa ka arritur në 50 mijë karaktere. Gjëja më e bukur është studimi i hieroglifeve.
Jerida: Si vazhdon të jesh e motivuar për ta mësuar deri në fund këtë gjuhë, sepse ke kaluar nivelin e parë dhe je në nivelin e dytë, ndërkohë që ke një rrugë të gjatë për të bërë.
Atinela Nikolla: Niveli i parë ka qenë i vështirë sepse mua më zuri dy herë Covid 19, përpos pjesës që nuk arrija dot oraret e kursit, madje u thashë se do e ndërprisja për këtë shkak. Profesorët më mbështetën sepse më ndërruan grupin, por meqë po kaloja një situatë të vështirë shëndetësore më mbështetën që të mos humbisja mësimet e kursit. Pastaj kur kalon nivelin e parë je shumë i varur ndaj asaj gjuhe dhe do të vazhdosh më tutje, të mësosh më shumë, sepse e shikon që sa më shumë mëson, aq më shumë zhvillohesh.
Atinela Nikolla
Jerida: Meqë ti e ke kaq për zemër mësimin e gjuhës kineze, në rrethin tënd shoqëror ka nga ata që duan të mësojnë këtë gjuhë?
Atinela Nikolla: U pëlqen të konsumojnë ushqimet kineze dhe nuk më thonë më për çfarë e do që e mëson.Stereotipin se “çfarë të duhet kjo gjuhë?” e kam dëgjuar dhe nga miqtë të tjerë në Institut, të cilët ishin ndeshur me to.
Jerida: Kam përshtypjen se gjërat po ndryshojnë madje brezi i ri e ka tendencën për të mësuar gjuhët aziatike, si kinezishten, apo japonishten e gjuhën koreane. Ndoshta janë filmat që shohin, muzika që dëgjojnë që ndikojnë.
Atinela Nikolla: Ndoshta janë ndikuar nga kultura lindore. Aktualisht kultura K-pop e Koresë së Jugut është duke ndikuar në masë të rinjtë, adoleshentët. Kam arritur në mendimin se nëse mëson gjuhën kineze, dy gjuhët e tjera do ta kesh shumë të lehtë t’i mësosh. Çelsi është gjuha kineze. Sa i përket karaktereve, më shumë se sa të vështira, të shkathtësojnë mendjen.
Jerida: Letërsia kineze. Na tregove një histori të bukur me librat e parë, mitologjinë, po pastaj ?
Atinela Nikolla: Në 2020, në kohën e pandemisë një mike më dha të lexoja librin “ Bretkocat” të Mo Yan, i shqipëruar nga profesor Iljaz Spahiu. Në përgjithësi i lexoj librat në gjuhën angleze dhe po mendoja ta gjeja në versionin anglez. E lexova, e shijova jashtë mase. Prek tema të ndryshme të shoqërisë kineze, por me një stil shumë të hollë e të veçantë. Është një libër që do t’ja rekomandoja kujtdo ta lexonte. Libri ka një personazh shumë interesant siç është halla, e cila kishte një profesion që sillte jetë, sepse ishte infermiere që priste fëmijët të lindnin.
Jerida: Të ka tërhequr ky libër dhe besoj se do të vazhdosh të lexosh të tjerë, sepse është një letërsi shumë e mirë dhe e veçantë.
Atinela Nikolla: Patjetër që po.
Jerida: Në Institutin “Konfuci” është krijuar Klubi i Miqve të Librit, çfarë mund të na thoni për të?
Atinela Nikolla: Është krijuar nga studentët në bashkëpunim me profesorët. Në të janë të mirëpritur si studentët që mësojnë gjuhën kineze dhe të tjerë që janë të apasionuar pas kulturës dhe filozofisë kineze. Në klub kemi trajtuar filozofinë e Lao Tsu, e cila është mjaft interesante sepse përqafon shpirtëroren, besimin tek simbolikat e natyrës dhe është shumë metaforike.
Atinela Nikolla
Jerida: Në emisionet që kemi bërë jemi ndalur në fjalët e urta dhe idiomat që janë shumë aktuale, kur mendon se në çfarë kohe janë shkruar ato mbeten këshilla me shumë vlerë për cilindo.
Atinela Nikolla: Është shumë interesante kur i diskutonim në Klubin e Librit, sepse janë shumë të rinj që diskutojnë se cila do të ishte mënyra e duhur për të jetuar jetën.
Jerida: Si është organizimi në Klubin e Librit?
Atinela Nikolla: Po mblidhemi çdo të mërkurë në orën 19.00. Tani është verë dhe jemi pushim, por në takimet tona trajtonim pjesë nga Lao Tsu.
Jerida: Besoj se do të rikthehet takimi juaj në shtator dhe kushdo mund të marrë pjesë. Po në lidhje me kulinarinë kineze ke marrë më shumë informacione, si të duket?
Atinela Nikolla: Për mua ekziston një batutë, ngaqë ushqimi im i preferuar është orizi, që në kinezisht i thonë “ mifan”, më thonin “ martohu në Kinë sepse ti 7 ditë të javës po të hash oriz je në rregull”. Pastaj janë noodles, që në shqip ngjajnë me makaronat, por nuk janë tamam ashtu, si spageti i famshëm në Itali dhe Europë.
Jerida: Ti nuk ke qenë asnjëherë në Kinë?
Atinela Nikolla: Jo
Jerida: Besoj se e ke dëshirën që të shkosh dhe ta shikosh nga afër gjithë këtë informacion që po merr në Institutin “Konfuci”. Nëse do të shkoje tani cila do të ishte gjëja e parë që do të doje ta vizitoje?
Atinela Nikolla: Quhet “Porta e parajsës” dhe kam dëshirë të shkoj atje, të ngjis shkallët dhe pastaj Muri Kinez, që është një nga atraksionet më të njohura nga të gjithë. Për Pekinin të gjithë studentët shqiptarë që kanë shkuar atje flasin me një dashuri që më ka çuditur dhe jam kurioze ta vizitoj.
Jerida: Je në përfundim të nivelit të dytë të gjuhës kineze. A do ta vazhdosh studimin e saj?
Atinela Nikolla: Nuk i le asnjëherë gjërat përgjysmë.Aktualisht jam regjistruar në një shkollë verore tek Instituti “Konfuci”, ku do të trajtoj tema filozofie, kryesisht atë lindore në raport me atë perëndimore si dhe tema të tjera. Ndaj nuk kam ndërmend që të shkëpus marrëdhëniet, por i vetmi shqetësim është se nuk i kam përfunduar të gjitha nivelet, por do të përpiqem t’i kuptoj.
Intervistoi Jerida Sakaj