Vera na fton në lexime të reja. Në mes titujve të shumtë që shtëpitë botuese kanë përgatitur për këtë sezon ne kemi zgjedhur tre prej tyre, të përshtatshëm për tre kategori të ndryshme lexuesish.
Shtëpia te selvia, Anisa Markarian
Botuesi: Çabej
“Shtëpia te Selvia” është romani më i ri i autores Anisa Markarian, që ne e propozojmë si njërin nga tre librat për leximet e verës. Libra ka vetëm pak javë që ka dalë nga shtypshkronja dhe jehonën e ka të madhe. Shtëpia botuese Çabej është kujdesur që libri të shkojë tek lexuesi, i cili ka shfaqur që më herët interes për krijimtarinë e autores.
Libri shpalos kujtimet e autores gjatë viteve të hershme të fëmijërsisë së saj, kujtime që lidhen me shtëpinë e vjetër ku u rrit, tek Selvia dhe jetën atje derisa si vajzë e rritur, e diplomuar për mjeksi, emigroi në Francë. Bashkë me autoren, mes faqeve të këtij libri do të ndeshni edhe të kaluarën tuaj, të cilat sipas autores përbëjnë gjerdanin e vyer të së shkuarës sonë.
Bijë e një nëne shqiptare dhe një babai armen, i cili i mbijetoi gjenocidit otoman dhe zgjodhi Shqipërinë për atdhe të dytë, Anisa Markarian lindi në Tiranë më 4 korrik 1962. Me gjithë prirjen për artin, sidomos letërsinë e kinematografinë, ajo studioi mjekësi dhe punoi si mjeke deri në vitin 1991, kur emigroi në Francë.
Libri përmblesh kujtime nga jeta e përditshme në Tiranën e viteve të para viteve ‘90, të cilat rrëfehen me një shqipe për t’u pasur zili, herë herë si një album familjar dhe më pas si grimca nga jeta e një fëmije, apo si një meditim mbi atë periudhë si dhe pasojat që kjo periudhë pati në të menduarit dhe të jetuarit e autores .
Disa nga tregimet e saj të para u botuan në vëllimet “Stina e gonxheve” (përzgjedhje me proza nga autorë të rinj, 1990) dhe “Jeta tjetër” (një antologji me krijime nga autorë mjeke, 2001). Në vitin 1999 boton librin e parë, “Sënduku i kujtimeve”, një përmbledhje tregimesh. Romani “15 ditë prilli” është libri i saj i dytë. “Shtëpia tek Selvia” është libri i tretë i autores, i hedhur në qarkullim nga enti botues Çabej në vitin 2022, një libër që sjell një përmbledhje me tregime të natyrës autobiografike.
Anisa Markarian jeton e punon në Francë si mjeke. Artistikisht shprehet vetëm në gjuhën e saj amtare, në shqip. E rekomandojmë këtë libër për faktin se libri do ju drejtojë përmes kujtimeve të një Tirane të vjetër, drejt nostalgjisë për të cilën të gjithë kemi nevojë.
AVENTURAT E KOKEKASHTES
Botuesi: Aeditions
“Aventurat e Kokëkashtës”, shkruar nga Stavri Pone, një histori shumë e dashur për fëmijët dhe ripunuar e ribotuar së fundmi, vjen si propozim për të vegjëlit në këto ditë të nxehta korriku.
"Romani “Aventurat e Kokëkashtës”, fitues i çmimit “Penda e Argjendtë”, është ndër më të njohurit dhe ndër më të mirët në letërsinë shqipe për fëmijë. Ky libër vjen sërish për lexuesin e vogël, i ripunuar prej autorit. Kokëkashta është një dordolec që rojtari Gjon e krijoi për të ruajtur arat e mbjella me grurë. Fëmijëve fillimisht iu duk si robot, pasi ai u kthye e u bë si qenie e gjallë. Në këtë libër do të njiheni me aventurat e pafundme të Kokëkashtës dhe mikut të tij, Hikut, për të gjetur Qytetin e Mrekullive, sipas premtimeve të Gishtos. A e gjejnë, vallë? "
Shkrimtari Stavri Pone ka shkruar disa libra për fëmijë, ku më i dashuri është “Aventurat e Kokëkashtës”, libër që edhe është inskenuar si pjesë pë Teatrin e Kukullave. Aventurat e personazhit të dashur, do të ekzaltojnë fëmijët e vegjël, të cilët njëlloj si Kokëkashta po kërkojnë aventurat e reja të verës.
21 leksione për shekullin e 21
Botuesi: Botart
“21 leksione për shekullin e 21”, shkruar nga Yuval Noah Harari është libri I tretë që rekomandojmë për lexuesit e verës. Ky është një libër, referencë e njerëzve që e duan informacionin dhe kanë interes ndaj cështjeve globale.
Autori i dy librave më të shitur të momentit në mbarë botën, "Sapiens" dhe “Homo Deus”, vjen me një analizë mbi sfidat globale si epidemitë, inteligjenca artificiale, edukimi, fetë, kombet, punësimi, mjedisi, demokracia, etj., dhe njëkohësisht ofron zgjidhje të cilat i shërbejnë çdo individi në epokën tonë.
"21 leksione për shekullin e 21" i Yuval Noah Harari-it është një hulumtim zhbirues dhe largpamës në problematikat më të nxehta të ditëve të sotme ndërkohë që lëvizim drejt hapësirave të panjohura të së ardhmes. Teksa teknologjia përparon më shpejt sesa vetë ndërgjegjësimi ynë rreth saj, pirateria informatike kthehet në një taktikë luftarake dhe bota ndihet më e polarizuar se kurrë, Harari na njeh me sfidat e rrjedhës së jetës në përballjen me ndryshimin konstant dhe të pa orientuar dhe shtron pyetje të rëndësishme ekzistencialiste që secili nga ne duhet t'ia bëjë vetes për të siguruar mbijetesën.
Në njëzetë e një kapituj gjithëpërfshirës, e njëkohësisht provokues dhe të thellë, Harari shtjellon më tej tezat e shpalosura në librat e tij të mëparshëm, duke hedhur dritë mbi çështjet politike, teknologjike, sociale dhe ekzistenciale dhe jep këshilla se si të përgatitemi për një botë të së ardhmes krejtësisht të ndryshme nga e sotmja.
Aftësia unike e Hararit për të shpjeguar nga vijmë e ku shkojmë, ka ngacmuar imagjinatën e miliona lexuesve.
Këtu ai na fton të marrim në konsideratë vlerat, kuptimin dhe angazhimin personal në një bote të tejmbushur me zhurmë dhe pasiguri. Kur rrethohemi nga informacione të pavërteta qartësia është pushtet. Paraqitja e sfidave komplekse dhe bashkëkohore në mënyrë të qartë e të kuptueshme, e bën "21 leksione për shekullin e 21" një libër thelbësor për t'u lexuar.
Neritana Kraja